E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, Berisha premton 24 orë ujë të pijshëm

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi takime në Laprakë, njësinë numër 7, Sukth dhe Ishëm. Berisha u bëri thirrje socialistëve, që të bashkohen me PD-në.


TIRANË- Ashtu si katër vite më parë, edhe në këtë prag fushate, Kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se qeveria, që ai drejton, ka gati projektet dhe financimet, për të sjellë ujin e pijshëm në çdo familje shqiptare. Gjatë takimit të zhvilluar mbrëmë me banorë të Laprakës dhe të njësisë bashkiake nr. 7, në Tiranë, Berisha premtoi 24 orë ujë të pijshëm. "Në katër vite, ne krijuam 80 mijë vendeve pune.


Në katër vitet që vijnë, ne do të krijojmë 160 mijë vende të reja pune. Ne kemi gati 5.6 miliard euro investime në 104 hidrocentrale, në 6 parqe industriale, në 4 parqe energjetike, janë gati projektet për asfaltimin e të gjitha rrugëve të Shqipërisë, janë gati projektet dhe financimet për të sjellë ujin e pijshëm në çdo familje shqiptare kudo që ndodhet.


Dua të garantoj 450 familje, të cilat vuajnë në një situatë të vështirë strehimi se do të ndërtojmë banesa sociale dhe do të zgjidhim përfundimisht problemin e tyre", - tha ai. Berisha i bëri thirrje qytetarëve, që


të marrin pjesë në mitingun përmbylljes së fushatës, në datë 26 qershor, në sheshin "Skënderbej".


Kryetari i PD-së i bëri thirrje edhe socialistëve, që të bashkohen me PD-në. "Ju bëj thirrje socialistëve, të kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne në projektin tonë europian, bashkohuni me ne, se ëndrra evropiane, është ëndrra më e bukur e çdo shqiptari, dhe ne duhet ta ndajmë këtë të mirë të madhe, me çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Bashkohuni me ne, edhe sepse kryetari juaj, në një akt të pashembullt në historinë e demokracisë europiane dhe botërore, ju thotë dilni në garë dhe për vete, ia mbath.


Ky zotëri ka dy vjet, që u thotë socialistëve shqiptarë, ejani përtej të majtës e të djathtës, dhe ata e kanë dëgjuar me durim, por tani, kur gjërat dalin në dritën e diellit, ai tregoi se nuk ka as të majtë e as të djathtë, por vetëm 99-sha", - tha ai. Ndërsa gjatë takimit të zhvilluar në komunën e Ishmit, ai premtoi se, do të financohet çdo projekt për nxitjen e prodhimit bujqësor, sikundër do të financohen edhe inputet, për kulturat bujqësore, dhe nafta për sipërfaqe të mbjella.


Duke iu referuar shqetësimit të Ambasadorit të OSBE-së, kryeministri Berisha bëri thirrje që të mos votohet familjarisht. "Të shkojmë bashkërisht në qendrat e votimit, por të votojmë një nga një, sepse votimi në grup na i nxin zgjedhjet para gjithë Evropës",- tha ai. Ndërsa në Sukth, përveç premtimit për 24 orë ujë, Berisha premtoi se Sukthit do t'i ndërtohet unaza. Edhe këtu, Berisha i ka bërë thirrje socialistëve, që të bashkohen me PD-në.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›