PS: PD, kandidatë me mandate të pavlefshme
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se do t'i bëhet shkresë-kujtesë të gjithë kandidatëve që gjenden në papajtueshmëri me Kushtetutën. Kundërshton PD: Ata
janë regjistruar
TIRANË- Partia Socialiste i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të marrë masat e duhura për të eliminuar konfliktin ligjor në të cilin janë disa funksionarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhur në organet e qeverisjes që garojnë njëkohësisht edhe për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke iu referuar nenit 69 të Kushtetutës ku parashikohet ndërmjet të tjerave se, një kandidat për deputet nuk mund të jetë njëkohësisht edhe funksionar i lartë shtetërore, ushtarak apo i zgjedhur në organet e qeverisjes, selia rozë e përfaqësuar në KQZ ka ngritur dje shqetësimin se disa pjesëtarë të listave shumëemërore të forcave të ndryshme politike, që garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit, në kundërshtim me Kushtetutën vijojnë të mbajnë pozicionet e tyre të punës, duke shfrytëzuar për hesap të fushatës së tyre elektorale burimet njerëzore dhe kapitale publike, që ata kanë në administrim.
Përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj, ka shfrytëzuar kohën e diskutimeve jashtë rendit të ditës, për të ngritur një problem shqetësues, që ekziston, që nga dita e miratimit të listave të kandidatëve për deputetë, lidhur me papajtueshmërinë e të qenurit kandidat me një sërë funksionesh publike.
Sipas tij, disa persona, që sot garojnë për Partinë Demokratike, vijojnë të mbajnë pozicionet e tyre në administratën shtetërore, apo në organet e qeverisjes lokale, si prefektë apo kryetarë të njësive vendore, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante ligjin dhe duke bërë një garë të pandershme, pasi po shfrytëzojnë të mirat publike që administrojnë.
Gjonçaj ka deklaruar se ata nuk do të mund të gëzojnë kandidatin e fituar pasi kanë shkelur ligjin. "Unë e di se shumë përfaqësues të PD-së në garë e kanë këtë problem dhe ata në bazë të kësaj dispozite, nuk do të mund ta përfitojnë mandatin", - tha Gjonçaj, por pa përmendur emra konkretë se për cilët kandidat bëhet fjalë.
Megjithatë dihet tashmë se dy kandidatë potencialë të listave të PD-së siç është Gerti Bogdani, që garon në Tiranë dhe Lefter Maliqi në Berat nuk kanë dhënë ende dorëheqjen e kërkuar.
Për këtë arsye në emër të PS-së, ai ka bërë thirrje që këta persona të japin dorëheqjet dhe një kopje e këtij akti t'i vihet në dispozicion edhe KQZ-së. Nga ana e tij, Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka deklaruar se do t'i bëhet një shkresë-kujtesë të gjithë kandidatëve, që gjenden në papajtueshmëri me nenin 69 të Kushtetutës.
Por sipas përfaqësuesit demokrat në këtë komision, një kërkesë e tillë nuk ka asnjë vlerë juridike, ashtu siç nuk kanë vlerë as dorëheqjet e kandidatëve pasi janë regjistruar.
Neni 69 i Kushtetutës
1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët
b) ushtarakët e shërbimit aktiv
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar
ç) përfaqësuesit diplomatikë
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.