E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontributi i shqiptarëve në bashkimin e Italisë

02-06-2011 / Nga Ilirian Dahri

Mungesa e delegacionit të Serbisë më rastin e festimeve për 150 vjetorin e Bashkimit të Italisë,  sigurisht që nuk do të vihet re nga vetë italianët. Nga ana tjetër, prania e dy delegacioneve me zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria do të shihet si dicka e natyrshme jo vetëm se tani shqiptarët kanë dy shtete por sepse i natyrshëm ka qenë edhe kontributi i shqiptarëve ndër vite për Bashkimin e Italisë.  Natyrisht në këto ditë festimesh, në vendin fqinj do të përmenden figurat më të shquara italiane të cilat luftuan për arritjen e Bashkimit të Italisë 150 vjet më parë. Do të kujtohet zbarkimi i të njëmijtëve të udhëhequr nga Xhuzepe Garibaldi, në Marsala, më  11 maj, të vitit 1860, dhe fitoret e tij të njëpasnjëshme në Sicili. Do të kujtohen librat e tij të kujtimeve mbi këtë fakt prej të cilëve mund të veçonim edhe fjalët e tij mbi kontributin e arbëreshëve të asaj kohe. Në fakt, pikërisht në ditët që Garibaldi do të zbarkonte në Sicili do të njihte kurajon e madhe të arbëreshëve të cilët ju bashkuan Heroit të dy botëve  në një numër që arrinte në 400 luftëtarë arbëreshë nga Hora e Shqiptarëve (Piana degli Albanesi). Dhe pikërisht nga Hora e Shqiptarëve Garibaldi do të përgatiste sulmin e tij kundër qytetit të Palermos. Vetë Heroi i dy botëve e kujton këtë fakt në kujtimet e tij: “Nga asnjë vend tjetër i botës nuk mund t’ia dilnim me sukses në marshimin tonë, përvecse nga Hora e Shqiptarëve”. Pra që në fillimet e tij Xhuzepe Garibaldi u mbështet tek arbëreshët të cilët më pas do ti cilësonte trima. Si për të këmbyer respektin kundrejt shqiptarëve, Xhuzepe Garibaldi pak më vonë do të ndihmonte financiarisht Kolegjin e Shën Adrianos, të arbëreshëve të Kalabrisë duke vënë në dukje edhe njëherë në kujtimet por edhe në motivin e kësaj ndihme se: “për ndihmën e vyer që shqiptarët kurajoz dhe mikpritësiI kanë dhënë kauzës sonë kombëtare”. Natyrisht do të kujtohet edhe Risorgimenti Italian dhe mbështetja e patriotëve arbëreshë që mori përmasa të mëdha, por sidomos kryengritja e vitit 1799, që përmbysi burbonët, por do të kujtohet edhe krijimi i Qeverise së zgjedhur në të cilën merrnin pjesë edhe arbëreshët G. Albanesi dhe Ministri i Brendshëm i Italisë, arbëreshi Paskal Bafa. Ndërsa me hyrjen në skenë të Macinit një tjetër figurë arbëreshe do të shfaqej në historinë e Italisë, një figurë e shquar siç është ajo e Domeniko Mauros për mos të harruar arbëreshin tjetër Agesilao Milano, që në vitin 1856 tentoi të vriste Ferdinandin e II, duke vdekur më pas i varur. Por sidomos me betejën e Volturnos, që do të ishte edhe humbja finale e borbonëve, më 1 tetor të vitit 1860, Xhuzepe Garibaldi do të shprehej me shumë fjalë entuziaste për Shqiptarët e Italisë. Gjithsesi në këtë beteje trupat garibaldini arrinin në 24 000 luftëtarë të cilët përbënin edhe ushtrinë e jugut kundrejt 50. 000 të trupave borbonike. Kjo është edhe beteja më e madhe e Risorgimentit Italian si për numrin e forcave të shumta në betejë por edhe për rezultatet e rëndësishëm të Garibaldit i cili në këtë mënyrë arriti të shtypte rimëkëmbej e trupave burbone. Për një kohë të gjatë kësaj beteje ndoshta për arsye politike nuk i është dhënë rëndësia e duhur por duhet nënvizuar se kundër borbonëve, të armatosur mirë, me ushtarë dhe oficerë po aq të mire, luftonin ushtarët e Garibaldit të cilët ishin të papërgatitur por gjithsesi mjaft të zotë duke filluar nga vetë Xhuzepe Garibaldi i cili në këtë betejë të famshme u shqua për intiutën e tij taktike. Në këtë betejë kaq domethënëse për Garibaldin dhe vetë historinë e Italisë fjalët e Heroit të dy botëve të shqiptuar një ditë më pas janë më të vërtetë shumë entuziaste për luftëtarët arbëresh. “Të gjithë arbëreshët janë heronj. Ata që thonë të kundërtën nuk njohin historinë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›