Ka humbur Astrit Patozi
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Vlorës, për PD njëherazi edhe nënkryetari i përgjithshëm i PD-së e ish kryetari i grupit të saj parlamentar, Astrit Patozi ka humbur pa lënë asnjë gjurmë. Ditën që në Vlorë do të zhvillonte mitingun e radhës kryetari i PS-së, ai ka lënë një shënim në shtabin e tij elektoral se po shkonte për të vazhduar fushatën në rrethet Sarandë dhe Delvinë dhe është larguar nga Vlora.
Korrespondenti ynë në Vlorë ka marrë një konfirmim zyrtar për shkuarjen e tij në këto dy rrethe nga shtabi elektoral në këtë qytet. Por, burimet tona të mëtejshme pohojnë se Astrit Patozi është parë të kalojë Qafën e Llogorasë për në drejtim të Sarandës dhe Delvinës por çuditërisht nuk është parë në këto rrethe. Po këto burime tregojnë se ai ka ngecur nëpër hotelet midis Himarës edhe Sarandës, por se në cilin konkretisht dhe me kë është aktualisht nuk bëjnë dot me dije. E vërteta është se ai nuk ndodhet në asnjë nga tre qytetet e mëdha të qarkut, ku është caktuar të bëjë fushatë elektorale. Ndërkohë që burime tepër të sigurta nga selia qendrore në Tiranë bëjnë me dije se ai po lufton për jetë a vdekje. Po njerëz pranë shtabit qendror të kësaj partie në Tiranë bëjnë me dije se humbja këto dy ditë e tij është bërë pikërisht se ai nuk do të donte të ishte i pranishëm në qytetin e Vlorës ku Edi Rama mbushi sheshin e Flamurit me përkrahësit e tij. Megjithatë e rëndësishme është të gjendet Astrit Patozi, njeriu më i afërt i Berishës që vulosi listën e kandidatë deputetëve në qarkun e Vlorë dhe që mesa duket ka vulosur edhe humbjen e tij.