E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rama orientoi në mënyrë të gabuar sheshin e Flamurit

Partia Demokratike në qytetin e Vlorës ka reaguar ndaj mitingut elektoral që zhvilloi kryetari i PS-së, Edi Rama në sheshin e Flamurit të këtij qyteti. Sipas PD-së, më shumë se politikan Edi Rama është munduar të shfaqet si këngëtar në këtë miting, duke theksuar faktin se kreu socialist vulosi humbjen në këtë qark. Dega e PD-së në Vlorë, nëpërmjet nënkryetares së saj Bahrije Isufi komenton se Edi Rama i rrethuar prej njerëzve të importuar nga Fieri, Berati, Lushnja, Tirana, u vetgënjye. Ky protagonist i deformuar, orientoi në mënyrën më të gabuar sheshin historik të Flamurit. Rama sfoli në podiumin e liderëve, se tashmë e di mirë që nuk është në nivelin e burrave të shtetit. Kurrsesi nuk mund të fliste nga foltorja historike, por vetëm nga podi që tekanjozi Rama e ndryshoi në momentin e fundit, theksoi ajo. Sipas Isufit, program i Ramës brenda kishte dhe barsoleta, ku ai harron që fabula e tij politike është e limituar te politikani dështak. Ndër të tjera ajo ka shtuar se Rama është paraqitur përpara vlonjatëve i sëmurë, si një njeri që nuk kontrollonte veten, i shpërfytyruar nga siguria e humbjes së 28 qershorit. Ai u bë frymëzues i një pjese të shëmbëlltyrës së tij politike, i një grupi vandalësh, që vunë dorë mbi flamurin kombëtar dhe flamujt e kundërshtarëve të vet politik. Ai mund të vërë dorë tek flamuri simbol i Partisë Demokratike, dhe kjo është çështja e tij, por jo tek flamuri kombëtar, kjo është çështja e të gjithëve!, shtoi ajo. Duke folur në emër të partisë që përfaqëson, nënkryetarja e PD-së së Vlorës, Isufi denoncoi veprimet rrugaçërie, e ndërkohë kërkoi nga ajo pjesë e shëndoshë e socialistëve të distancohen nga agresiviteti i Ramës dhe pasuesve të tij. Ajo ftoi në mënyrë të përsëritur politik-bërësit socialist, që ti kthehen një fushate të qetë, etike, programore dhe të argumentuar. Partia Demokratike është e vendosur në këtë filozofi të të bërit fushatë, sepse jemi të vendosur tek fitorja e sigurt. Rama filloi të numëronte mbrapsht, në fakt në Vlorë ai vulosi humbjen e tij të 28 qershorit, përfundoi nënkryetarja e PD-së, dega Vlorë. Ndërkohë që nga ky shesh, kreu i socialistëve i bindur tek fitorja, i drejtoi një thirrje kundërshtarit të tij politik. Nga ky shesh i Flamurit, i bëj thirrje Berishës të humbasë me dinjitet, u shpreh Rama, duke shtuar se forca politike është e gatshme të marrë mbi supe të ardhmen e vendit dhe tu jap problemeve të vjetra zgjidhje të reja. Në fjalimin e tij përpara qytetarëve vlonjat, kryetari i PS-së e etiketoi Vlorën si epiqendrën e fitores së socialistëve dhe për të, kur vendos Vlora, fitorja është e sigurt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›