Ka një Rami-zim të frikshëm të shoqërisë shqiptare

Nuk e di pse mu përmend libri i famshëm “Zoti i Gjërave të Vogla”, me autore Arundhati Roy, 14 vjet më parë ajo tronditi botën letrare me “Zoti i gjërave të vogla”, një vepër që e nxori nga anonimiteti letrar dhe e shndërroi në një “perëndeshë” të vogël të vendit të saj të madh. Që nga ai moment, ajo është shndërruar edhe në një nga kritiket më të mëdha të gjërave që nuk shkojnë dhe në një nga aktivistet më sypatrembura të të drejtave njerëzore. Arundhati Roy mbush 50 vjeç këtë vit, dhe kur e sheh nuk të jep përshtypjen e një 50 vjeçarje, shpejtësia me të cilën personaliteti i saj vepron e ndërvepron me të tjerët, ka bërë që koha të ndalet në fytyrën e saj, koha ka harruar të bëjë detyrën e vetë, ajo ka këtë moshe, por energjia e saj, drita që e rrethon kur flet, kur lëviz, bën që të duket një zonje e re 35 vjeçare. Ka një vitalitet mbresëlënës dhe me veshjen e saj tradicionale duket edhe më e re dhe edhe më e mençur. Ka një lëkurë të shndritshme dhe një trup që të bën të mendosh se është e dhënë edhe pas jogës. Ajo gjithmonë mban me vete në çantë një kopje të dorëshkrimit të librit të saj të parë. Në vend që të rehatohej edhe me qeverinë e vendit të saj, ajo i ka kaluar vitet e fundit duke qenë një nga kritizeret më të mëdha të saj, duke e akuzuar për të gjitha mëkatet dhe padrejtësitë me të cilat përballen njerëzit e thjeshtë për faj të “sëmundjeve” të klasës qeverisëse. Ajo ka ngritur vazhdimisht zërin pa frikë kundër digave të mëdha që janë ngritur nëpër lumenjtë e vendit, si pasojë e të cilave janë zhvendosur shumë banorë dhe janë shkatërruar shumë shtëpi e toka të punueshme, ka akuzuar qeverinë për oreksin e saj për të shtuar arsenalin e armëve bërthamore, për pushtimin e Kashmirit, e kështu me radhë. Ajo refuzon në mënyrë të vazhdueshme që të balancojë të keqen përkundrejt të mirës. Ajo është e ndërgjegjshme që lakmia ka përmasa dhe veti spektakolare, që korrupsioni brenda radhëve të qeverisë është i përmasave të frikshme, që 800 milionë njerëz në vendin e saj jetojnë vetëm me gjysmë dollari në ditë. E nisa fillin e këtij shkrimi me këtë personazhe të famshme në Indi sepse që: Prej ditësh është folur për një libër të Kryetarit të Opozitës nuk e di e as kam ndërmend ta lexoj, pasi mendoj se do jetë një baladë, jo si balada e Kurbinit, por një baladë për bashkinë dhe humbjen e tij politike. Por, rastësisht në internet ose më saktë në rrjetin social FaceBook, më rastësisht një shkrim me titull: “Mizerabel dhe Islami & CO” me autor George Pani (autorin nuk e njoh) u mundova të gjej se çfarë do të thotë “Mizerabel”! Hulumtova në enciklopedi nuk munda ta gjej, më pas tentova të marr në telefon Artan Lamen, por meqenëse numri im është një numër i thjeshte dhe z.Lame e ka (numrin) me kontrate, nuk e hapi, por nuk më prish pune kjo, fundja Lamja nuk ka dëshirë të flasë. T’i kthehemi shkrimit të Z. Pani, ekzaktësisht ai shkruan se “Pas vjedhjes përfundimtare të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, i gjithë objektivi i “demokratëve” por edhe i shumë “socialistëve” që nuk ju dolën llogaritë siç deshën, është drejtuar kundër Ramës dhe vetëm kundër tij. E gjithë sorrollopia është hedhur në veprim, duke u munduar të shmangin me të gjitha mënyrat vëmendjen e të gjithëve nga realiteti i zgjedhjeve, nga varfëria, nga kriza, nga buxheti i zbrazur dhe nga problemet e shitjes pjesë - pjesë të Shqipërisë, për përfitime familjare të sojit të Sali Berishës. Në çdo gazetë apo media të lyer me ngjyrën blu dhe të zhytur në batakun e batakçiut Berishë, ziejnë “idetë” dhe mendimet për të cilat fola më lart. Së fundi, kësaj morie shushkane të mazhorancës, i është shtuar edhe një “zgjidhje” tjetër e cila është sa e fëlliqur aq edhe e rrudhosur. Bëhet fjalë për një koalicion të mundshëm, LSI – PS... i fryjnë dhe e sponsorizojnë kaq fort këtë ide ‘berishiane’, saqë Berisha vetë ka filluar ta besojë këtë gënjeshtër të sajdisur prej tij. Kësaj teme, së bashku edhe me tema të tjera ashtu si edhe më parë, i është bashkuar edhe Kaçi i Islamëve së bashku me Andin e Harasanajve, por ngadonjëherë del me “fishekë” mësimore edhe Malaj i Gjallicës”- shkruan autori. Por, le të ndalemi në detaje dhe fakte të pakundërshtueshme. Edi Rama ka humbur në Tiranë dhe këtë e kemi parë të gjithë. Pak rëndësi ka nëse ai e pranon këtë, pavarësisht se opozita ka këmbëngulur që të quhen të pavlefshme zgjedhjet e Tiranës. Ato vota janë shprehje e një vullneti të qartë dhe pas leximit të këtij vullneti në afro 250 mijë votues të Tiranës kemi një fitues dhe ky është Luzim Basha, Edi Rama është humbës i bashkisë, por jo vetëm i bashkisë, por dhe i minibashkive. Edi Rama ka humbur votën për Kryetar Bashkie të Kryeqytetit; Edi Rama ka humbur Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke ia lënë këtë për herë të parë direkt nga zgjedhjet të djathtës, që prej vitit 1996. Edi Rama ka humbur 7 nga 11 minibashkitë në kryeqytet, gjë që s’kish ndodhur kurrë që nga viti 2000 kur ato u kompozuan. Edi Rama ka humbur këshillat e minibashkive, gjë që po ashtu s’kishte ndodhur për thuajse një dekadë. Dhe e pesta, pa dyshim shumë e rëndësishme, i ka humbur këto duke mos qenë një kandidat i thjeshtë, por lideri i opozitës dhe kandidat për Kryeministër i Shqipërisë (zoti mos e thëntë). Nuk ka asnjë dyshim se një njeri që ka humbur në katër plane njëherazi, më shumë sesa të flasë për fitore, duhet të analizojë shkakun se përse e ka humbur këtë betejë Dhe këtu nuk besoj se e ka fajin Kaçi, Andi apo edhe Malaj. Në tetor 2005, kur Rama zuri vendin që Nano i kishte lënë vakant në krye të opozitës, ai pati vetëm një teori. Atë të bashkimit të së majtës. Rama e dinte që Nano doli në opozitë falë Metës dhe premtoi ta ndreqte këtë gabim. Ai e bëri këtë më 2007-n, por refuzoi ta bënte në 2009-n, kur çelësin e zgjedhjeve e kishte ai në dorë. Një koalicion me LSI do ta nxirrte atë fitues. Rama vendosi të luajë të gjitha për gjithçka (ollin). Në vend të përfshirjes, ai zgjodhi përjashtimin. Largoi Metën, flaku Nanon, nuk u dha asnjë rol aleatëve dhe përfundimi qe ai. Në 2011-n, ai hyri në një betejë edhe më radikale. Kundër Berishës, Metës, Nanos, Idrizit, Bashës, Blushit, Malajt, Islamit, Harasanit e, madje edhe kundër Hysni Milloshit, që ia ktheu duke e nxjerrë nga zyra në Bashki. Rama zgjodhi të përjashtonte dhe të ndante. Të ndante politikanë, parti, media, duke besuar tek një fitore deux ex machina, që natyrisht deri më sot, s’ka ndodhur në Shqipëri. E derisa s’ka ndodhur deri më sot, s’kishte pse të ndodhte këtë herë. Midis të mundurës dhe të pamundurës, Rama zgjodhi këtë të dytën dhe fitoi atë që desh, një humbje të shumëfishtë. Pra Vite më parë, kur rusët sulmonin Çekosllovakinë, për të rrëzuar regjimin liberal të Dubçekut, saktësisht në vitin 1968, në Pragë, nuk ju doli përpara asnjë ushtar që t’i kundërshtonte. Hasheku kishte vdekur dhe nuk mund ta vazhdonte të shkruante sagën e tij të ushtarit të mirë Shvejk, i cili të paktën në letra dhe mënyrën e tij, të tallej me pushtuesin që vinte nga stepat. Por me sa duket, vetë personazhi ishte materializuar dhe në udhëtimin e tij drejt Bugjojevicës, të nisur që në motet e Luftës së Parë të Përbotshme, kishte ngatërruar rrugë dhe një ditë të bukur kishte mbirë në malet e Shqipërisë. Për t’iu përshtatur vendit dhe zakoneve, kishte ndërruar emër e fe, dhe nën lëkurën e një vendaliu të quajtur Edi Rama u fut në radhët e Partisë Socialiste. Rolin e ushtarit të mirë Shvejk e ka marrë Erioni i Mjaftit që Rama e pyet dhe kur bën seks me dashnoren të formuar tek Gjallica, por me eksperiencën G99... As këtu nuk ka faj Kaçi, Andi Harasani, apo edhe Malaj. Si përfundim? Si përfundim Rama na përfaqëson të gjithëve. Ka një Rami-zim të frikshëm të shoqërisë shqiptare. Dhe është ky Rami-zim që shpërfaqet e ia bën “mu” kudo, në Tiranë e në Bruksel, në politikë e në shoqëri, është ky Rami-zim faqe botës që i bën zyrtarët e lartë të BE-së të shfryhen halabakçe në adresë të shqiptarëve.
...