PD: Nesër në Kongresin e turpit, Rama do prezantojë programin e dështimit

Partia Demokratike ironizoi sot programin politik të Partisë Socialiste, i cili do diskutohet në Kongresin e bojkotuar nga baza dhe në Kongresin e zgjedhur me gisht nga vetë Rama. Sipas PD, ky është dështimi më i madh në 20 vitet e fundit të ekzistencës politike të PS. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, tha se Edi Rama do tentojë të mashtrojë qytetarët nesër, përmes programit të tij, për shkurtimin e vendeve të punës, rritjen e taksave si dhe bllokimin e ligjeve të integrimit. “Të ndalemi një moment dhe të shqyrtojmë atë që qytetarët do të shohin nesër në kongresin e PS-së. Partia Socialiste do të mbajë kongresin i cili do të hyjë në histori si Kongresi i bojkotuar nga baza dhe kongresi i delegatëve të zgjedhur me gisht nga Z. Rama. Kjo është disfata më e madhe në 20 vitet e fundit të ekzistencës politike së PS-së. Ne nuk duhet të befasohemi nga pesha dhe rrethanat nën të cilat po mbahet ky kongres por qytetarët nuk duhet të mashtrohen. Ky kongres do të kërkojë të heqë vëmendjen nga historia e dështuar e z. Rama dhe humbja e tij në 8 maj ku ai mori 141 000 vota më pak se shumica. Ky kongres kërkon të heqë vëmendjen nga z. Rama dhe bllokmenët e rinj që e futën PS-në në kuti të votimit për të mbrojtur karrigen e kryetarit të tyre. Ky Kongres kërkon që të heqë vëmendjen nga historia izoluese e PS-së, nga përpjekjet e tyre për të bllokuar lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në Europë. Ky kongres kërkon që të heqë vëmendjen nga bojkoti që PS i ka bërë Parlamentit për vite me radhë dhe veprimet e tyre për të bllokuar integrimin dhe progresin e Shqipërisë. Tani, në këtë kongres do të dëgjojmë shumë fjalë për strategji politike – ajo ç’ka kemi parë nga PS-ja në dy vitet e fundit është bllokimi i progresit për axhendën e tyre personale politike dhe ajo që do të shohim tani është axhenda e tyre personale politike – asnjë veprim konkret për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Tani ne e dimë që Z. Rama do të shtiret duke folur për politikat në këtë kongres, politika që ndëshkojnë suksesin dhe shkurajojnë krijuesit e vendeve të punës. Në të vërtetë, ajo ç’ka duan qytetarët është që të dëgjojnë arsyen se pse PS-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të vetëm konkret e të mundshëm që të përmirësojë jetën e qytetarëve: të votojë ligjet e pakundërshtueshme që kërkojnë 3/5”- u shpreh zëdhënësja e PD. Duke u ndalur te politika e bllokimit të PS, Mustafaraj theksoi se “deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë kundërshtim të qenësishëm se pse PS-ja nuk i voton ligjet dhe të zbatojmë rekomandimet ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin dhe pastrimin e parave; ligjin për Kodin Rrugor; ligjin për imunitetin dhe luftimin e korrupsionit. “A e kundërshton PS-ja përditësimin e Kodit Rrugor, i cili lejon përdorimin e teknologjisë së fundit dhe garanton sigurinë e drejtuesve të automjeteve? A i kundërshton PS-ja përpjekjet për të miratuar rekomandimet ndërkombëtare për ndalimin e korrupsionit të zyrtarëve shqiptarë? A e kundërshton PS-ja ligjin i cili përmbush detyrimet tona ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë për të mbrojtur të drejtat pronësore industrial? Këto janë pyetjet për të cilat nesër nuk do të kemi përgjigje. Ajo që do të dëgjojmë nesër nga z. Rama, kryetari i cili udhëheq me aftësi të rrallë PS-në nga dështimi në dështim, është paraqitja para delegatëve, të zgjedhur prej tij me gisht, e programit të humbjes së ardhshme të PS-së. Disfata vazhdon, të flasësh është gjë e lehtë. Veprimet janë ato që sjellin ndryshim. Partia Demokratike është e përkushtuar në veprimet që sjellin ndikim pozitiv për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Ne do të vazhdojmë të punojmë për rritjen ekonomike, të krijojmë vende pune, ndërtojmë rrugë e shkolla dhe të punojmë për integrimin, jo vetëm të flasim”- theksoi zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj.
...