E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi, Krimet e Rënda: Kumbaro po i fshihet Drejtësisë



Laureta Rryçi

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e avokatit të Ilir Kumbaros për ndryshim të masës së sigurisë ndaj klientit të tij. Sipas avokatit Vojo Bregu, Gjykata e Krimeve të Rënda, në procesin për zhdukjen e Remzi Hoxhës, po gjykon me dy standarde. Mbrojtësi ligjor i Kumbaros shpjegoi se ndërsa gjykata kishte vendosur gjykimin në gjendje të lirë ndaj dy të pandehurve të tjerë, Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit, nga ana tjetër është treguar më e ashpër ndaj klientit të tij duke dhënë masën e sigurisë arrest me burg. Një tjetër moment për të cilin avokati ngriti pretendimet e tij kishte të bënte edhe me rrezikshmërinë shoqërore të Kumbaros. Sipas avokatit, Kumbaro nuk përbënte asnjë rrezikshmëri shoqërore, pasi nuk ka kryer ndonjë vepër tjetër penale dhe nuk ka asnjë mundësi që nëpërmjet lirisë së tij të përfitojë për të prishur provat gjatë procesit që po zhvillohet prej disa kohësh. Mirëpo të gjitha këto pretendime u kundërshtuan fort nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana. Ky i fundit i kërkoi kolegjit penal, që drejtohet nga gjyqtari Gurali Brahimllari, që ta rrëzojë këtë kërkesë.
Vendimi
Pasi ka dëgjuar të dyja palët, kolegji penal është tërhequr për më shumë se gjysmë ore në dhomën e këshillimit për të vendosur në lidhje me kërkesën e Kumbaros. Kolegji penal bëri publike se Gjykata e Krimeve të Rënda ishte shprehur vetëm pak kohë më parë në lidhje me këtë kërkesë. Për këtë arsye gjyqtarët kishin vendosur ta rrëzonin kërkesën e Kumbaros duke theksuar se gjatë gjithë procesit i pandehuri i është fshehur Drejtësisë. Në ndryshim nga dy të pandehurit e tjerë, të cilët nuk kanë bërë një tentativë të tillë, por kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të qenë në dispozicion të Drejtësisë.
Reagimi
Vendimi i gjykatës solli reagimin e ashpër të avokatit Vojo Bregu, i cili, në seancë akuzoi gjyqtarët se po e paragjykonin këtë çështje. Bregu shkoi edhe më tej duke thënë se ditën e sotme ka ndër mend të depozitojë një kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues. Kërkesa do të gjykohet nga një gjyqtar tjetër i Gjykatës për Krimet e Rënda, i cili do të vendosë nëse qëndron pretendimi i avokatit të Ilir Kumbaros. Sakaq, drejtuesi i kolegjit penal u shpreh se kjo është një e drejtë që i takon të pandehurit ta kërkojë. Ndërkohë që bëri publike se kishte ardhur përgjigjja nga autoritetet italiane për mbërritjen e letër-porosisë. Kjo letër-porosi u dërgua vetëm pak kohë më parë dhe ka si qëllim marrjen në pyetje të dy ish-shikasve, Riza Shehu dhe Edmond Çoku, për informacionet që kanë mbi zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.

boc
Ankimimi në Gjykatën e Lartë

Avokatët e ish-shikasit Ilir Kumbaro, mbi të cilin rëndon akuza për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, kanë apeluar në Gjykatë të Lartë masën e re të sigurisë. Sipas avokatëve, të dyja shkallët e gjykatave për krimet e rënda kanë marrë një vendim në kundërshtim me ligjin ndaj klientit të tyre pak ditë pasi Gjykata e Lartë e kishte shuar masën e sigurisë për Kumbaron. Vendimi i parë i Gjykatës së Lartë i shërbeu Ilir Kumbaros për të rifituar lirinë nga autoritetet angleze. Avokatët, sapo morën vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë, e përdorën për ndërprerjen e procedurave për ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri. Kumbaro është një nga të pandehurit për procesin ku pritet të zbardhet dhe zhdukja e Remzi Hoxhës. Përfaqësuesi i akuzës shpeshherë është shprehur se në këtë proces është e vlefshme jo vetëm dëshmia e Kumbaros, por edhe prezenca e tij për të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për shuarje të masës së sigurisë, prokuroria tentoi sërish të rikuperonte terren duke kërkuar një masë të re sigurie për Kumbaron. Kjo kërkesë u pranua edhe nga kolegji i Shkallës së Parë, edhe nga kolegji i Apelit. Tanimë do të jetë Gjykata e Lartë që do të vendosë nëse Kumbaro do t’i lajë njëherë e mirë hesapet me Drejtësinë shqiptare.

Akuzat që rëndojnë ndaj Ilir Kumbaros

Gjykata e Tiranës, më 18 shkurt 2003, vendosi ndaj Ilir Kumbaros masën “arrest me burg” në mungesë duke e shpallur në kërkim. Ai dyshohej për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “torturës”, kryer në bashkëpunim. Për mungesë provash dhe faktesh, çështja ndaj Ilir Kumbaros u pushua për t’u rihapur në shtator të 2006-s me vendim të prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Theodhori Sollaku. Më 5 maj të vitit 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” vetëm ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budion Meçe, masë e cila u ndryshua më pas nga Apeli. Për Kumbaron nuk u kërkua vendosja e një mase të re, “kleçkë”, e cila është shfrytëzuar mjaft mirë nga avokatët për të bindur Gjykatën e Lartë se masa e marrë në mungesë ndaj klientit të tyre i ka humbur efektet.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›