E Shtunë, 31 Tetor 2026

E pëson te dentisti

Rogers Hyseni u ekzaminua me Hepadenovirusin e AND-së, një lloj i rëndë i Hepatitit B, pasi kishte hequr një dhemb

ELBASAN - Prindërit e një 14-vjeçari shqyen sytë, kur mjekët i thanë që hepatiti nga i cili vuante i biri mund të transmetohej vetëm përmes gjakut dhe rrugëve seksuale. Sigurisht që Rogers Hyseni, 14 vjeç, banues në Elbasan, nuk kishte marrë ose dhënë gjak, ndaj në të tilla kushte habia ishte e pamasë. Prindërit morën e dhanë me fëmijën e tyre që u diagnostikua se vuante nga Hepadenovirus i AND-së, derisa Rogersi u kujtua se ka shkulur një dhemb te dentistja, madje ka këmbyer fjalë me të, pasi të njëjtën shiringë e ka përdorur edhe tek dy pacientë para tij dhe dorezat i ka pasur gjithë gjak. Fillimisht i mituri ka ndier pafuqi dhe këputje të trupit dhe më pas dhimbje në bark. Sëmundja është rënduar, duke i cenuar rëndë mëlçinë. Djaloshi u është nënshtruar analizave të hollësishme, dhe në fund është identifikuar me Hepadenovirusi i AND-së, një lloj Hepatiti B. Sëmundja e rrallë mund të përhapet nëpërmjet gjakut dhe elementeve të tij, me anë të sekrecioneve dhe me rrugë seksuale. “Para disa kohësh kam hequr një dhëmb tek dentistja. Pashë se dentistja e përdori shiringën 2-3 herë. Dorezat i kishte të mbuluara me gjak. Para se të më shkulte dhëmbin, i thashë që t’i hiqte dorezat. Por ajo më tha: “Nuk ka gjë, ja po i laj me ujë”. I fërkoi pak me ujë dhe më hoqi dhëmbin, po me të njëjtat doreza”, tregon për “Korrierin” 14-vjeçari, që rrezikon të mbetet i sëmurë kronik. Sipas tij, një muaj pas vizitës te dentistja, filloi këputja e trupit. “Më dhembte stomaku dhe mëlçia. Qëndrova shtrirë një javë, derisa e kuptuan sëmundjen. Familja më dërgoi të bëj analiza dhe doli që isha i infektuar me Hepatit B shiringal. Pra, që është përhapur me anë të shiringës. Jam i bindur se infeksionin e kam marrë nga dhëmbi. Mjekët më pyetën nëse isha bërë operacion, nëse isha vrarë, shpuar apo çarë. Por unë nuk kisha asgjë nga këto. Pastaj më pyetën nëse kisha hequr ndonjë dhëmballë. Dhe atëherë u kujtova për shiringën dhe dorezat e dentistes”, shton Rogersi.

 Familjarët: “Shteti të vërë dorë”

Prindi i djalit të infektuar, Bardhyl Hyseni, 42 vjeç, shprehet mjaft i shqetësuar. “Neve nuk na vjen mirë si prindër, që djali të infektohet në rrethana të tilla. Ne i paguajmë njerëzit për shërbime të tilla. Unë nuk mund ta akuzoj vetë dentisten. Atë e akuzon shëndetësia dhe analizat. Djali është infektuar me hepatit shiringal. Nuk ka bërë as operacione, nuk është dëmtuar. Që nga viti 2004, ai nuk ka bërë qoftë edhe një vizitë të thjeshtë tek mjekët”, sqaron 42-vjeçari. Sipas tij, djali ka qenë shumë i mbarë dhe i shëndetshëm. “Mjekët na thanë se është sëmundje shumë e rrezikshme. Unë dua që të më shërohet fëmija. Ky është qëllimi im, nuk kam asgjë me të tjerët. Për shëndetësinë duhet të merren personat përgjegjës. Në radhë të parë, ai që shkaktoi infektimin e fëmijës tim të jetë human. Ta pranojë gabimin dhe të më kërkojë falje, pasi çdo njeri në jetë gabon”, shton i ati i djaloshit të infektuar, sipas të cilit, “shteti të vërë dorë, që të tillë gabime të mos ndodhin më”.

   Një mëlçi e sëmurë gjithë jetën?

Mjekja Ariana Papajani shpjegon se Hepatiti B shkaktohet nga një Hepadenovirus i AND-së. Periudha e inkubacionit për këtë sëmundje zgjat nga 3 javë deri në 5 muaj. “Infeksioni merret nga gjaku dhe nënproduktet e tij, nga pështyma dhe gjëndrat me sekrecion, nga lëngjet e organizmit dhe me rrugë seksuale. Rasti në fjalë ka rezultuar pozitiv me antigenin B. Rogersi vuan nga Hepatiti B akut dhe rrezikon për Hepatit Fulminant dhe Hepatit B Kronik, që do të thotë një mëlçi e sëmurë gjithë jetën. Sipas mjekes, rasti do të mbahet 6 muaj nën mbikëqyrje dhe pas kësaj periudhe do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të tjera. Pacienti po mbahet nën kontroll dhe me mjekim simptomatik”. Raste të kësaj natyre ka pasur edhe herë të tjera në Elbasan dhe nën akuzë janë dentistët që nuk respektojnë rregullat e dezinfektimit dhe asepsisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›