Opinioni im për shkrimet tuaja mbi Ministrinë e Mbrojtjes
Para pak ditësh, në gazetën tuaj është botuar një artikull (i përbërë nga dy pjesë) i gjatë, ku flitej për Ministrinë e Mbrojtjes, duke e parë këtë Ministri në syrin e një ushtaraku të lartë, i cili punonte dhe kishte një karrierë të gjatë, sipas gazetarit që e citonte. Shkrimi fliste për të gjithë ministrat që kishin kaluar, nga Zhulali, Hajdaraga, Majko, Mediu, dhe deri te ministri aktual Oketa.
Në këtë pikë dua të ndalem. Unë që shkruaj këtë paragraf, nuk kam të bëj fare me z. Oketa, por jam një gazetar i lirë dhe mendoj se ministri Oketa ka “lëvizuar” duart dhe po punon në këtë ministri dhe e këtë e them me fakte dhe argumente (të prekshme dhe të perceptueshme nga të gjithë), duke filluar që nga caktimi i poligonëve për asgjësimin e municioneve të panevojshme dhe të rrezikshme, si dhe fabrika e demontimit në Mjekës të Elbasanit të predhave të kalibrave të ndryshëm, deri te reduktimi i shpenzimeve të kota në MM-së.
Kam parë dy ministrat e fundit që kanë qenë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke filluar nga z. Majko dhe z. Mediu, kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë punë, por nuk kanë pasur vullnet. Z. Mediu nuk e bëri se më shumë ishte në SHBA për të perfeksionuar anglishten e tij (siç theksoni edhe ju me të drejtë në shkrim), ndërsa Majko e kishte mendjen të vendoste baste që të bënte tunele, të cilat do të ishin si ai që lidh Anglinë me Francën nën det. Ministri Gazmend Oketa është modeli që duhet marrë shembull, prandaj, për mendimin tim personal, ia vlen që të jetë Ministër i Mbrojtjes.