E Diel, 1 Nëntor 2026

PROGRAMI I MAXHORANCËS DHE QEVERISË SË INTEGRIMIT EUROPIAN (2009-2013)

I. SHQIPËRIA EUROPIANE. VIZIONI DHE SYNIMET THELBËSORE

Zgjedhjet e 28 qershorit shënuan progres të qënësishëm për konsolidimin demokratik të vendit dhe për vazhdimësinë e reformave integruese të tij. Këto zgjedhje prodhuan një maxhorancë të re qeverisëse që konsiston në një koalicion me bazë të gjerë të forcave politike të djathta e të majta.
Me këtë përgjegjësi historike, ky koalicion i gjerë i jep jetë dhe mbështet Qeverinë e Integrimit Europian dhe angazhohet për vazhdimin me hapa të sigurtë dhe ritme të përshpejtuara të proçeseve integruese me synimin e përgatitjes për anëtarësim të Shqipërisë, brënda mandatit katërvjeçar të kësaj qeverisjeje, dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen brënda vitit të parë të mandatit qeverisës.
Kjo maxhorancë dhe Qeveria e saj e Integrimit Europian kanë besimin e plotë se janë të gjitha mundësitë për arritjen e objektivave tona kombëtare integruese.
Programi i Qeverisë së Integrimit Europian ofron tërësinë e objektivave, reformave e masave, të gjitha të lidhura e që ushqejnë arritjen e objektivit përgatitjes së vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian kërkon plotësimin e kritereve politike, kritereve ekonomike dhe plotësimin e standarteve europiane në një numër të gjerë fushash e sektorësh.
Programi i Paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë nga Qeveria e Integrimit Europian është i hapur për kontributet e deputetëve, në veçanti të opozitës, si dhe të të gjithë faktorëve e aktorëve të shoqërisë shqiptare. Pasurimi i tij, përgjatë diskutimeve parlamentare por edhe jashtëparlamentare, është më shumë se i mirëpritur dhe do të gjejnë pasqyrimin e tyre të duhur në programin përfundimtar.
Maxhoranca dhe Qeveria e Integrimit Europian angazhohen për zbatimin e plotë të këtij programi, do të jenë tërësisht të hapura dhe do të nxisin monitorimin e vlerësimin e performancës zbatuese nga çdo aktor politik e shoqëror i interesuar si dhe nga partnerët tanë europianë.
Maxhoranca dhe Qeveria e Integrimit Europian besojnë se pavarësisht nga interesat e ndryshme politike, programi i paraqitur do të gëzojë mbështetjen e të gjithë faktorëve dhe aktorëve realisht të interesuar e të angazhuar në zhvillimin dhe integrimin e vendit përgjatë zbatimit të tij. Qevëria ka bindjen se ajo dhe programi i saj do të gjejnë, si gjithnjë mbështetjen e Bashkimit Europian e vendeve anëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të partnerëve të tjerë të Shqipërisë.

II. OBJEKTIVAT DHE REFORMAT KRYESORE TË QEVERISË SË INTEGRIMIT EUROPIAN

II.1. FORCIMI I DEMOKRACISË DHE SHTETIT LIGJOR. ARRITJA E STANDARTEVE TË PRAGUT TË ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EUROPIAN
Reformat e mëdha demokratizuese dhe ligjore do të vazhdojnë të përbejnë një nga drejtimet më prioritare të programit dhe përpjekjeve të qeverisë. Qeveria do të vazhdojë këto reforma të nisura me qëllim që të arrihen nivelet më të larta të drejtësisë dhe shkallës së zbatimit të ligjit, të luftës kundër krimit e korrupsionit, të sigurisë së kufijve, të garancive të të drejtave themelore të njeriut si kushte të progresit të vendit, të liberalizimit të vizave dhe fitimit të statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian.
Të gjitha këto reforma e kanë të domosdoshme kontributin e opozitës, ndaj maxhoranca dhe Qeveria e saj e Integrimit Europian mirëpresin një kontribut të tillë.

II.1.1. PËRSOSJA E SISTEMIT DHE ADMINISTRIMI ZGJEDHOR. KUVENDI.
Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 shënuan: “...një progres të qënësishëm...”;  “...plotësuan angazhimet kryesore të OSBE...” “vlerësimi i përgjithshëm për këto zgjedhje është pozitiv...”; “...nuk pati prova për parregullsi në numërimin e votave, as edhe në manipulimin e rezultateve.” Këto janë disa nga vlerësimet e Raportit përfundimtar i OSBE/ODHIR.
Me zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Shqipëria ka lënë pas njëherë e përgjithmonë kohën e zgjedhjeve të manipuluara dhe legjitimitetit të cënuar të institucioneve të dala prej tyre. Ato janë një fitore e demokracisë, fitore e shqiptarëve.

Reforma e sistemit zgjedhor dhe e administrimit të zgjedhjeve.
Megjithatë maxhoranca dhe qeveria është e vendosur të vazhdojë anagzhimet drejt arritjes së standarteve më të larta të zgjedhjeve dhe administrimit zgjedhor.
Ndërkaq, vazhdimi i modernizimit të teknologjisë zgjedhore dhe përdorimi masiv i mjeteve elektronike të informimit e komunikimit mbetet një drejtim prioritar i modernizimit të administrimit e monitorimit zgjedhor që do të mbështetet nga Qeveria me fonde të mjaftueshme.

Kuvendi, institucioni i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës në shërbim të progresit të vendit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Kuvendi ka konsoliduar më tej rolin e tij si fokus i debatit politik” theksohet në raport-progresin e Komisionit Europian të vitit 2008.
Maxhoranca është e bindur dhe e vendosur që Kuvendi të vazhdojë të forcojë rolin e tij kushtetues ku diskutohen politikat dhe vendosen ligjet, ku jep llogari qeveria dhe bëhet transparencë për publikun e gjerë e dëgjohen pa diskriminim grupet e interesit.
Maxhoranca është e gatshme të diskutojë e bashkëpunojë me opozitën për të gjetur rrugë, mënyra e mjete për një forcim të roleve të Kuvendit, të opozitës dhe të çdo deputeti. Ne mirëpresim që opozita të vijë sa më shpejt në Kuvend dhe të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm në arritjen e këtyre synimeve.

II.1.2. SIGURIA PUBLIKE DHE DREJTËSIA. FORCIMI DHE EFIKASITETI I SISTEMIT TË RENDIT PUBLIK DHE DREJTËSISË.
Vazhdimi i reformavet në sistemin e institucioneve e ligjeve që garantojnë rendin, sigurinë publike dhe të drejtat kushtetuese do të përbëjë prioritetin e prioriteteve të maxhorancës dhe Qeverisë së Integrimit Europian.

Rendi dhe siguria publike dhe individuale. Parandalimi dhe zbulimi i krimeve. Fuqizimi i mëtejshëm i strukturave të rendit dhe sigurisë publike.
Fuqizimi e modernizimi i strukturave të Policisë së Shtetit si dhe të institucioneve të tjera me rol në rendin dhe sigurinë publike do të vazhdojë me ritëm të lartë e do të mbështetet me burime të konsiderueshme.
Qeveria do të vazhdojë angazhimin maksimal “me zero tolerancë ndaj krimit”, duke kuptuar në radhë të parë krimin e organizuar, trafiqet e korrupsionin. Në vazhdim të luftës sonë ndaj trafiqeve e drogave, Shqipëria do vazhdojë të mbajë në fuqi moratorumin për skafet.
Vazhdimi i reformave në sistemin e drejtësisë si garanci për gëzimin i e të drejtave dhe forcën e shtetit ligjor.
Pavarësia, përgjegjshmëria, ndershmëria dhe efektiviteti i drejtësisë shqiptare janë parimet bazë të mirëfunksionimit të pushtetit të tretë, garantit të drejtave. Ndërsa progresi në pavarësi është i padiskutueshëm, përgjegjshmëria, ndershmëria dhe efektiviteti mbeten thellësisht të cënuara.

Garantimi dhe zhvillimi i të drejtave themelore të individit. Prona. Liria e Informimit. Harmonia Fetare. Te drejtat e minoriteteve.
Shqipëria ka bërë progres në rritjen e shkallës së realizimit praktik të të  drejtave themelore të individit duke rritur edhe shkallën e zbatimit të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore. Por arritja e standarteve europiane kërkon më shumë reforma dhe më shumë përpjekje për arritjen e standarteve europiane. Në veçanti:
Qeveria do të vazhdojë reformën e nisur të garantimit dhe gëzimit të të drejtave të pronës. Përmirësimet ligjore dhe ato administrative, përdorimi i teknologjisë se informacionit, eliminimi ligjor i abuzimeve me pronat si dhe realizimi në shkallë gjithnjë e më të lartë të proçesit të kthimit e kompensimit të pronave do të përbëjnë drejtimet bazë të reformës pronësore.
Qeveria angazhohet për transparencë maksimale, respektim të lirisë së medias, për një proçes proaktiv informimi dhe llogaridhënie, për mbështetjen e veprimtarisë së shoqërisë civile duke respektuar pavarësinë e saj. Shqipëria do të vazhdojë të jetë vendi i stardartit unik në Europë dhe botë ku administrata nuk mund të ngrejë padi civile apo penale ndaj mediave pavarësisht çfarë botojnë ndaj zyrtarëve.
Qeveria mbështet dhe bashkëpunon me komunitetet fetare dhe respekton tërësisht lirinë e besimeve fetare.
Qeveria do të vazhdojë të realizojë në shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e minoriteteve.

Shqipëria, partnere e Rendit, Sigurisë Publike dhe Drejtësisë Europiane.
Arritja e standarteve europiane të rendit, sigurisë e drejtësisë janë kushte bazë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Sistemi i rendit dhe drejtësisë shqiptare gjithnjë e më shumë do të jetë pjesë përbërëse e atij Europian. Përafrimi dhe integrimi po përparojnë në shumë drejtime.
Në veçanti bashkëpunimi i integruar në hetimin e krimeve ndërshtetërore apo në sigurinë e kufijve ka njohur zhvillime mjaft pozitive. Shqipëria nuk është më “streha e sigurtë” e kriminelëve. Kufijtë e Shqipërisë janë bërë gjithnjë e më të sigurtë edhe për Europën.
Qeveria do të vazhdojë të mbështesë këto zhvillime në mënyrë që të realizohen të gjitha kërkesat e Planit të Veprimit dhe Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufijve si dhe çdo kërkesë tjetër që lidhet me çështjen e liberalizimit të vizave në hapësirën Shengen.
Në periudhën afatmesme 2-3 vjeçare reformat në vazhdim do të shënojnë arritje të tjera drejt vlerësimit të Shqipërisë si një partner kyç dhe efektiv në garantimin e të drejtave themelore, të sigurisë publike dhe ligjit jo vetëm për Shqipërinë e shqiptarët por edhe për europën dhe qytetarët e saj.
Shqipëria është tashmë një vend garantues i sigurisë europiane.

II.1.3. QEVERISJE EFEKTIVE, TRANSPARENTE DHE NË SHËRBIM TË QYTETARËVE. VAZHDIMI I REFORMIMIT TË ADMINISTRATËS QËNDRORE E VENDORE. ADMINISTRATE NE DIETE.

Vazhdimi i reformave në administratën qëndrore. Administratë e vogël dhe efiçiente.
Qeveria do të vazhdojë reformat organizative në administratën qëndrore bazuar në një administratë të vogël por efiçiente.
Forcimi i koordinimit dhe ndërveprimit brënda dhe ndër institucional përbën një drejtim parësor si në formulimin e politikave ashtu edhe në zbatimin e detyrave dhe/ose kryerjen e shërbimeve.
Për këtë qëllim do të vazhdojë reforma e nisur e organizimit të sistemeve ministrore sipas ndarjeve funksionale të roleve politikëbërëse, shërbimofruese, rregullatoro/inspektuese si dhe e përcaktimit më të qartë të kompetencave dhe përgjegjësive organizative të njësive përbërëse. Delegimi nga lart-poshtë si dhe bashkëpunimi horizontal ndërinstitucional përbëjnë dy parime bazë të përmirësimeve organizative.
Qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë – është zotimi ynë solemn para qytetarëve shqiptarë. Ndaj do të reduktohet administrata me 10% dhe shpenzimet administrative 25 %.

Vazhdimi i delegimit të kompetencave në qeverisjen vendore. Demokracia dhe përgjegjshmëria vendore.
Qeveria do të vazhdojë të zbatojë reformën e decentralizimit të kompetencave drejt njësive të qeverisjes vendore. Autonomia vendore, një parim bazë e shtetit edhe në modelin europian të qeverisjes do të zgjerohet e forcohet më tej. Modeli shqiptar i autonomisë vendore, i vlerësuar si i suksesshëm do të vazhdojë të bazohet në delegimin proporcional e të balancuar të përgjegjësive me burimet dhe mjetet.
Ndërkaq, forcimi i demokracisë vendore, rritja e shkallës së ndërgjegjësimit të komuniteteve vendore dhe afërsia me vendimmarrjen do kontribuojnë në rritjen e shkallës së përgjegjësisë dhe performancës së qeverisjes vendore.

Formësimi i një administrate civile në standartet europiane.
Rritja e cilësisë së burimit njerëzor në administratën shtetërore, qëndrore e vendore, rritja e shkallës së profesionalizim, përgjegjshmërisë dhe motivimit të nëpunësve është të jetë i rëndësishëm. Shqipëria Europiane kërkon administrate dhe nëpunës të cilësive europiane.
Reformat në sistemin e të rekrutimit, vlerësimit të performacës, garancive, incentivave dhe masave ndëshkimore do të përmirësohen dhe do të zbatohen në një shkallë gjithnjë e më të lartë dhe do të përfshijnë segmente gjithnjë e më të gjera të administratës shtetërore.
Një vëmendje të veçantë qeveria do t’i kushtojë tërheqjes së individëve me shkollimin më të mirë dhe eksperiencën më të pasur në administrimin publik nëpërmjet incentivave dhe mjeteve të përshtatshme për “rifitimin e trurit”. Qeveria do të konsiderojë gjithashtu ngritjen e Universitetit të Administrimit Publik.

Përmirësimi i cilësive të proçesit administrativ në funksion të cilësisë së shërbimeve dhe të të drejtave të qytetarëve.
Përmirësimi i cilësisë së proçesit administrativ, në veçanti ato të lidhura me informimi, dëgjimi i palëve të interesuara, e drejta e ankimit administrativ, si dhe konsultimi e pjesëmarrja në vendimmarrje janë standarte të rëndësishme për tu arritur. Përmirësimet ligjore që do të adoptohen do të zbatohen nëpërmjet trajnimeve, përhapjes së kulturës administrative si dhe përdorimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit.

II.1.4. SHQIPËRIA DIXHITALE. TEKNOLOGJIA E INFORMACIONIT NË SHËRBIM TË DEMOKRACISË, LIGJIT, DREJTËSISË DHE QEVERISJES.
Shqipëria Dixhitale nuk është me slogan por një realitet në formësim. Ndaj, Qeveria e Integrimit Europian është e vendosur të kalojë në fazën e përdorimit masiv të teknologjisë së informacionit nga të gjithë institucionet shtetërore të të gjitha degëve e niveleve qoftë lidhur me proçeset e brëndshme vendimmarrëse e operative ashtu edhe në shërbimet direkte për qytetarët dhe subjektet.
Përdorimi masiv i teknogjisë së informacionit do të bazohet në modelin e ngritjes së rrjeteve të integruara e me të gjitha garancitë e sigurisë së ruajtjes dhe proçesimit të informacionit sipas përcaktimeve ligjore të të drejtës së informimit, mbrojtjes së të dhënave personale e informacionit të klasifikuar. Gjithashtu do të përdoret në shkallë të lartë modeli i sporteleve elektronike me një ndalesë si dhe lehtësia në përdorim dhe aplikim on-line.

II.1.5. RRITJA E BESUESHMËRISË SË QYTETARËVE TEK SHTETI. REDUKTIMI I KORRUPSIONIT. PARANDALIMI DHE NDËSHKIMI.
Lufta kundër korrupsionit ka qenë kryefjala e katër vjetëve të shkuara. Qeveria drejtoi një aksion të balancuar parandalues dhe ndëshkues për çdo praktikë, për çdo rast dhe çdo individ të korruptuar. Si rezultat i këtij aksioni Qeveria u konfirmua si kampione e reformave antikorrupsion dhe Shqipëria, nga 24 vëndet më të korruptuara të botës në vitin 2005, la mbrapa më shumë  se 95 vënde të botës dhe u rendit ne 10 vendet e para te suksesit ne luften kunder korrupsionit.
Edhe në ketë mandat të dytë, Qeveria do ta ketë luftën kundër korrupsionit prioritet të sajin me synimin e qartë - ta nxjerrim përfundimisht Shqipërinë nga harta e korrupsionit. Me reformat tona orientohen dhe marrin për bazë reformat, normat dhe modelet e 20 vendeve më pak të korruptuara të botës per t’u bere sa me shpejt pjese e ketij grupi vendesh.

Parandalimi nëpërmjet reformave, balancimit të pushtetit dhe transparencës së vendimmarrjes.
Parandalimi i korrupsionit është metoda që jep rezultate të ngadalta por të qëndrueshme. Parandalimi do të mbështetet në radhe nga tërësia e reformave të forcimit e modernizimit institucional e ligjor si dhe ato të zhvillimit ekonomik.
Reformat institucionale dhe sektoriale do të kenë në çdo rast objektiv edhe reduktimin e hapësirave për korrupsion nëpërmjet ndarjes dhe balancimit të pushtetit vendimmarrës, dhe e përgjegjshmërive të zyrtarëve. Me prioritet janë reformat në sektorët me problematike si sistemi gjyqësor, lejet e ndërtimit, shëndetësia, shërbimet lidhur me pronat, tatimet, doganat.
Rritja e transparencës së vendimmarrjes dhe e llogaridhënies vertikale dhe tek publiku janë mjetet e tjera të rëndësishme që do të përdoren në parandalimin e korrupsionit.

Ndëshkimi ligjor i rasteve korruptive.
Reformat sektoriale për reduktimin  mundësive për korrupsion do të jenë të shoqëruara me shtimin e mbështetjes dhe programeve konkrete që synojnë rritjen e forcës goditëse të institucioneve të inspektimit, hetimit dhe dënimit të rasteve korruptive.
Për këtë qellim dhe në radhë të parë do të ngushtohet imuniteti dhe do të reduktohen privilegjet e zyrtarëve të lartë të të gjtha pushteteve. Për maxhorancën tone nuk ka imunitet ndaj akuzës për korrupsion.
Prandaj dhe në kuadrin e zvogëlimit të shpenzimeve, abuzimeve, muajin e parë të këtij parlamenti, ne do të sjellim për miratim ligjin për heqjen e disa privilegjeve të pamerituara të administratës dhe institucioneve shtetërore. Qeveria do të shtoje burimet financiare për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të kontrollit të brendshëm administrative e financiar. Përmirësimi i metodikave të punës dhe mjeteve të nevojshme për hetimin e korrupsionit, si dhe garantimi i koordinimit me institucionet në varësi të qeverisë për të rritur efikasitetin e zbulimit të korrupsionit.
Bashkëpunimi me trupat e jashtme inspektuese dhe/ose zbuluese është jetik për forcimin e integritetit të institucioneve, prandaj qeveria mbetet e angazhuar plotësisht për të konsideruar me seriozitet maksimal rezultatet e kontrolleve të jashtme, si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo nga vetë Kuvendi. Ne gjithashtu do te fuqizojme me tej kompetencat inspektuese te Inspektoriatit te Larte te Deklarimit dhe Kontrollit te Pasurive.
Agjensitë e specializuara qeveritare të rendit, financave etj, do të zgjerojnë bashkëpunimin me Prokurorinë për hetimin dhe vënien para drejtësisë të rasteve të korrupsionit. Njësitë e Përbashkëta Hetimore kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në qarqet kryesore do të ngrihen dhe konsolidohen mbi përvojën dhe praktikat më të mira dhe do të mbështeten me metodikat dhe mjetet e nevojshme për të siguruar efektivitet të lartë në ndëshkimin e   korrupsionit.

II.2. ZHVILLIMI I SHPEJTË I QËNDRUESHËM DHE I BALANCUAR EKONOMIKISHT. NISMA E LIRË DHE PUNËSIMI
Qeveria e Integrimit Europian synonë Shqipëria të kalojë sa më shpejt efektet e krizës botërore mbi ekonominë shqiptare dhe t’i rikthehet ritmeve të larta të rritjes ekonomike që në vitin 2010. Vetëm një rritje e shpejtë ekonomike do të mundësojë punësimin e 160 mijë qytetarëve.
Për këtë qellim Qeveria do të përfundojë reformat e nisura dhe do të ndërmarrë nisma të reja. Reformat me fokus zhvillimin ekonomik janë të shumëanëshme por të harmonizuara mes tyre.

II.2.1. TREG I HAPUR DHE FUNKSIONAL NË STANDARTET EUROPIANE
Do të vazhdojë hapja e tregut shqiptar nga atij global duke eliminuar barrierat e dukshme dhe të padukshme, duke zbatuar dhe/ose zgjeruar hapësirat e përcaktuara nga marrëveshja e tregtisë së lirë si dhe duke eliminuar e zbutur edhe barrierat ne tregjet e brendshme.
Qeveria e integrimit europian do të sigurojë arritjen e standarteve europiane në funksionimin e tregjeve, në garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorit. Përmirësimet ligjore, adoptimi i standarteve europiane të garancisë së produkteve dhe fuqizimi dhe/ose ngritja e agjensive të specializuara të mbikëqyrjes së tregjeve apo të verifikimit të cilësisë së produkteve dhe të shërbimeve si ato ushqimore, shëndetësore, te ndërtimeve, etj janë drejtimet bazë.

II.2.2. KONSOLIDIMI I NATYRËS NXITËSE TË SISTEMIT FISKAL. TAKSA TË ULTA PËR MË SHUMË INVESTIME DHE PUNËSIM
Reforma fiskale në mandatin e kaluar është udhëhequr nga parimi “Më pak taksa më shumë zhvillim”.
Shqipëria adoptoi me kurajo modelin e taksës së sheshtë dhe të ulët duke u bërë një nga vëndet e para në ketë reforme fiskale. U reduktua numri i taksave kombëtare nga 24 në 6, tatim fitimi dhe ai mbi të ardhurat personal u vendosen në nivelin e 10% nga 25% që ishin ato para kësaj reforme. U ul në 15% kontributi i punëdhënësit për sigurimet shoqërore nga 29% që ishte ai më parë. Reforma fiskale shënon një nga arritjet më të mëdha të Qeverisë në mandatin e kaluar dhe konstatohet se kjo reformë dha shume shpejt frytet e saj.

Konsolidimi i modelit të taksës së sheshtë. Vazhdimi i reformës fiskale. Krijimi i lehtësirave dhe nxitësave të tjerë fiskale.
Qeveria e Integrimit Europian do të konsolidoje modelin e taksave të ulta dhe atë të taksës së sheshtë. Gjithashtu ajo do të dekurajojë tendencat abuzive të taksimit artificialisht të lartë të bizneseve nga qeverisja vendore.
Bazuar në performancën e lartë dhe efektet pozitive të vërejtura si dhe në vlerësimet e përfitimeve dhe risqeve reforma fiskale do të vazhdojë të thellohet.

Administrimi efiçient, transparent, i thjeshtë dhe i ndershëm i sistemit tatimor në shërbim të biznesit. Edukimi fiskal.
Reformimi i administratës tatimore e doganore do të vazhdojë me ritme të larta.
Politikat fiskale do të konsultohen rregullisht dhe paraprakisht me komunitetin e biznesit ndërsa performanca e administratës fiskale e doganore do të vihet nën transparencën dhe vlerësimin e organizatave përfaqësuese të këtij komuniteti.

II.2.3. SHPENZIMET PUBLIKE TË ORIENTUARA NË SHËRBIM TË ZHVILLIMIT EKONOMIK. TRANSPORTI. ENERGJIA. UJI
Edhe në këtë mandat, Qeveria e Integrimit Europian dhe maxhoranca e re do të përdorin fondet publike në favor të zhvillimit ekonomik, punësimit dhe mirëqënies.

Vazhdimi i investimeve të integruara në rrjetin ndërlidhës, kombëtar, rajonal e vendor të transporteve.
Investimet publike të kombinuara me ato private në infrastrukturën hard dhe soft të transporteve do të rriten me ritme të larta në katër vitet e këtij mandati.
Ne kater vitet e ardheshme do te ndertohet rreth 7 mije kilometra rruge te te gjitha kategorive.

Shqipëria fuqi energjetike në Ballkan. Investime publike dhe partneriteti publik privat në sistemin energjetik.
Fuqizimi dhe modernizimi i sistemit energjetik shqiptar i integruar në atë europian mbetet një prioritet dhe domosdoshmëri për zhvillimin e vendit.
Objektivi i Qeverisë së Integrimit Europian është që në fund të mandatit të arrihet pavarësia nga kushtet ekstremale hidrike.

Sistem komunikimi dhe informimit modern, i lehtë, i lirë dhe me penetrim të lartë. Roli rregullator dhe nxitës i shtetit.
Synimi i Qeverisë së Integrimit Europian është arritja e shkallës më të lartë të zhvillimit të këtij sektori për të hyrë në epokën e shoqërisë të informacionit si një faktor i fuqishëm në mbështetje të një zhvillimi dhe modernizimi të vendit. “Shqiperia Dixhitale” është vizioni i qeverisë.
Në radhë të parë Qeveria ka investuar dhe do vazhdojë të investojë masivisht në përdorimin e teknologjisë së komunikimit dhe informimit në të gjithë institucionet e shtetit si dhe në sistemin arsimor. Qeveria do te sigurije internet me bandë të gjerë brenda vitit 2012 në të gjitha familjet, në fshatrat dhe qytetet e vendit si dhe kompjuter për të gjithë të rinjtë shqiptarë në shkollat e vendit, brenda qershorit të vitit 2013.

Furnizim 24 orë me ujë të pishëm. Investime masive në ujësjellësa, kanalizime dhe në trajtimin e ujërave të zeza.
Në mandatin e kaluar Qeveria investoi në rreth 700 ujësjellësa si dhe në impiantet e trajtimit të ujërave në Pogradec, Golem.
Objektivi kryesor i Qeverisë së Integrimit Europian është  furnizimi me 24 orë ujë të pijshëm. Njëkohësisht përmirësime të ndjeshme do të arrihen në sistemin e kanalizimeve dhe trajtimit të ujrave të zeza duke synuar që gradualisht të arrihen standartet europiane edhe në këtë drejtim me prioritet qytetet e mëdha dhe zonat turistike bregdetare të vendit.

II.2.4 VAZHDIMI I REFORMAVE RREGULLATORE PËR NJË SISTEM TË LEHTËSUAR TË REGJISTRIMIT, LIÇENCIMIT DHE INSPEKTIMIT TË BIZNESEVE
Modeli i suksesshëm one stop shop do të përdoret në mënyrë të dedikuar edhe në raste liçencash/lejesh specifike si ato për sektorin e energjisë, minierave apo për lejet ndërtimore. Këto sisteme të dedikuara do të jenë operative brënda vitit 2010.
Në tërësi në administratën shtetërore do të konsolidohet kultura e sjelljes bashkëpunuese dhe mbështetëse për bizneset ndërsa rritja e kapaciteteve administrative dhe modernizimi në tërësi i saj krijojnë kushtet e përgjithshme për relacione të lehta, korrekte dhe miqësore me bizneset.

II.2.5. PËRDORIMI EFIÇIENT I BURIMEVE PUBLIKE PËR SEKTORËT MË PREMTUES TË EKONOMISË
Qeveria e Integrimit Europian do të zbatojë edhe instrumente specifike të dedikuara për sektorë dhe/ose drejtime të caktuara në ekonominë shqiptare që premtojnë efekte më pozitive në rritjen ekonomike dhe/ose punësimin.

Politikat dhe mbështetja specifike për bujqësinë, agroindustrinë dhe zhvillimin rural.
Fodent buxhetore për bujqësinë do të dyfishohen brënda 4 viteve. Këtyre do t’iu shtohen edhe fonde nga burime të tjera të donatorëve apo nga partneriteti publik privat.
Politikat bujqësore do të përafrohen me ato të bashkimit europian, si dhe do të konceptohen e zbatohen brënda një kuadri më të gjerë të zhvillimit të itegruar rural dhe të zhvillimit të balancuar rajonal.
Ne synojme qe ne nje hark kohor afatmesem 6 vjecar te dyfishojme prodhimin bujqesor e blektoral te shqiperise. Ne teresi, fondet per zhvillimin e integruar rural do te trefishohen.

Politikat dhe mbështetja specifike për turizimin.
Në katër vitet e ardhëshme do të synohet që të gjitha zonat turistike të vendit, bregdetare, malore e kulturore të jenë të aksesueshme në netëork, duke kuptuar rrjetin fizik të infrastrukturave si dhe rrjetin e informimit, qarkullimit, akomodimit, sherbimeve argetuese etj. Zonat turistike do të zhvillohen mbi bazën e planeve të përgjithshme dhe/ose tematike.
Ndërsa do të vazhdojë një politikë liberale lidhur me nismen private në këtë sektor, qeveria do të përdorë instrumente nxitës për të orientuar ofertën turistike drejt diversifikimit të llojeve të turizmit dhe rritjes së cilësisë e garancive të shërbimeve turistike me qëllim arritjen e një zhvillimi afatgjate e te qëndrueshëm të këtij sektori.

Politikat dhe mbështetja specifike për zhvillimin industrial. Eksportet dhe investimet e huaja.
Qeveria e Integrimit Europian do të kalojë në një program me instrumente specifike e të mirëkoordinuar të mbeshtetjes së zhvillimit industrial dhe eksportues.

II.2.6. ROLI I SHTETIT NË SIGURIMIN E NATYRËS SË QËNDRUESHME DHE TË BALANCUAR TË RRITJES EKONOMIKE.
Rritja me ritme të larta të ekonomisë është objektiv parësor. Qeveria e Integrimit Europian vlerëson se janë të domosdoshme që natyra e qëndryeshme dhe e balancuar e rritjes duhet të përbëjë gjithashtu një objektiv dhe angazhim thelbësor.

Mbrojtja e cilësisë së mjedisit dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Shqipëria që mban vendin e 25 në botë për pastërtinë e mjedisit, duhet të ndërmarrë të gjitha reformat, vendimet për të mbrojtur dhe avancuar këtë pozicion. Në këtë kuadër, mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit, do të mbetet shtyllë dhe objektiv kryesor i qeverisë.
Politikat dhe zhvillimet mjedisore do të mbështeten me fonde të konsiderueshme publike si dhe private. Deri në fund të mandatit, parashikohet dyfishimi i fondeve publike për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

II.2.7 ROLI I SHTETIT NË NXITJEN E PUNËSIMIT
Eksperienca botërore tregon se jo në çdo rast nga rritja e shpejtë ekonomike rriten mundësitë e punësimit. Ndaj qeveria ka gatur nën kujdesin e saj që rritja ekonomike në Shqipëri të shoqërohet me rritjen e shanseve për punësim dhe vetëpunësim. Vlerësohet me kënaqësi se modeli i rritjes ekonomike të Shqipërisë po merr gradualisht edhe tiparet e një rritjeje punësuese.

Shtimi i vendeve të punës nëpërmjet zhvillimit ekonomik në tërësi.
Maxhoranca dhe Qeveria e Integrimit Europian kane si objektiv madhor krijimin e 160 mije vendeve te reja te punës. Zhvillimi i tregjeve të lira dhe i gjithë programi ekonomik i qeverisë orientojnë një tipar të forte punësues të zhvillimeve të pritshme ekonomike. Lehtësimi fiskal dhe përmirësimi i mjedisit për biznesin, investimet e mëdha publike dhe private në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjetike, minerare e mjedisore, zhvillimet në turizëm, në bujqësi dhe agroindustri, mbështetjet për SMT-ë, eksportet, ngritja e parqeve industriale dhe nxitja e investimeve të huaja janë të gjithë faktorë që kontribuojnë jo vetëm në rritjen e shpejtë ekonomike por edhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Mbi 90 % e vëndeve të reja të punës do të krijohen për shkak të këtyre faktorëve të programuar.

Përdorimi i programeve efiçiente të nxitjes së punësimit.
Gjithashtu qeveria do të fuqizojë instrumentet tashmë të ngritura të ndërmjetësimit në tregun e punës si dhe të programeve të subvencionuara të nxitjes së punësimit. Qeveria do të dyfishojë buxhetin për shkollimin, trajnimin, kualifikimin, përshtatjen e aftësive të të papunëve dhe atyre që humbasin vendin e punës me kërkesat e tregut. Do të përdoren stimuj fiskalë për punëtorët në vitin e parë të punësimit të tyre. Sikundër ka vepruar gjatë këtyre muajve, qeveria do të marrë përsipër sigurimet shoqërore për punonjësit e rinj.

II.2.8. STABILITETI MAKROEKONOMIK SI GARANCI E ZHVILLIMIT EKONOMIK TË VENDIT

Parametrat makroekonomike optimale.
Parametra bazë optimale që qeveria mendon se profilizojnë këtë stabilitet janë: inflacion në nivelin e 3 % në vit, borxh publik në nivelin e 50 % të PBB, defiçit buxhetor në nivelin e 3 % të PBB.
Analizat ekonomike flasin se në vitet e ardhshme ka një probabilitet të lartë që ekonomia shqiptare t’i rikthehet ritmeve të larta të rritjes që u vërejtën në vitin 2008 dhe po ashtu këto ritme të rriten edhe më shumë.
Qeveria e Integrimit Europian synon që norma e investimeve publike e private mbi PBB të arrijë dhe të jetë sistematikisht mbi 30 % ndërsa synohet që niveli administrativ i papunësisë të ulet nën 11 %.

Menaxhimi buxhetor. Balancimi i të ardhurave me shpenzimet. Harmonizimi i politikave fiskale me ato monetare.
Qeveria e Integrimit Europian është për një peshë të moderuar të shpenzimeve publike në ekonomi. Nga këto Investimet dhe shpenzimet e tjera zhvilluese si psh mirëmbajtja e infrastrukturës apo shpenzimet në arsim do të vazhdojnë të rriten në vlerë nominale dhe të ruajnë një peshë të konsiderueshme në shpenzimet buxhetore dhe mbi PBB. Po kështu rritja e pagave dhe pensioneve me prioritet ato të ulëta do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme me një nivel rritjeje rreth 10%.

II.3. ZHVILLIMI NJERËZOR NË NIVELET EUROPIANE. ARSIMI, SHËNDETËSIA, KULTURA DHE SPORTET
Qeveria e Integrimit Kombëtar synon që zhvillimi njerëzor të arrijë nivele gjithnjë e më të larta të krahasueshme me vëndet më të zhvilluara anëtare të Bashkimit Europian. Gëzimi i lirisë, mirëqënia, arsimimi, shëndeti, rekreacioni kulturor, shpritëror e sportin, janë në fakt qëllime finale. Ndaj dhe politikat që lidhen më drejtpërdrejt me zhvillimin njerëzor do të përbejnë një prioritet madhor të Qeverisë.

II.3.1. SHOQËRIA E DIJES. ARSIMIM MASIV, I VAZHDUESHËM E CILËSOR NË NIVELET EUROPIANE
Reformat në 4 vitet e ardhëshme të Qeverisë së Integrimit Europian do të synojnë përmirësimin e treguesve sasiore e cilësore të arsimimit duke ecur me shpejtësi drejt treguesve mesatare të Bashkimit Europian. Arritja e objektivave do të bazohet në kryerjen e reformave institucionale, rritjen e kapaciteteve dhe përdorimin e metodave të përshtatshme të mësimdhënies, orientimin e shkollës drejt shoqërisë dhe tregut, rritjen e burimeve të financimit për arsimin si dhe rritjen e rolit të qeverisjes vendore dhe sektorit privat në politikat arsimore.
Masivizimi i arsimit. Zgjerimi i pjesëmarrjes në arsimin e mesëm, profesional dhe universitar.
Masivizimi i arsimit, me gjithë progresin e bërë mbetet një prioritet i arsimit shqiptar dhe reformave të qeverisë. Rritja e shkallës së pjesëmarrjes synohet si në arsimin parashkollor ashtu edhe në atë të mesëm dhe universitar. Si rezultat parashikohet që niveli i pritshmërisë së shkollimit të arrijë në 14 vite duke u afruar mjaft pranë mesatares së vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërkaq, Shteti do marrë përsipër të gjitha librat shkollore për arsimin parashkollor dhe parauniversitar, për familjet me ndihmë ekonomike dhe të dyfishojë bursat për shkollat e mesme dhe universitetet e vendit.

Rritja e cilësisë së arsimimit. Arsimin në funksion të shoqërisë demokratike, tregut, punësimit dhe qytetarisë europiane.
Rritja e cilësisë së arsimimit përben një objektit njëkohësisht të rëndësishëm për arsimin shqiptar. Qeveria vlerëson se objektivi i masivizimit dhe ai i rritjes së cilësisë mund të kombinohen pozitivisht mes tyre nëpërmjet politikave dhe instrumenteve të përshtatshëm dhe është plotësisht e shmangshme lidhja negative mes tyre.

Rritja e shpenzimeve në arsimin publik dhe inkurajimi i arsimit privat.
Reformat arsimore dhe objektivat që ato synojnë do të mbështeten me fonde gjithnjë e në rritje nga burime publike e private. Qeveria e Integrimit Europian deklaron se shpenzimet publike dhe private për arsimin dhe shkencën do të arrijnë në 7 % të PBB-së, pasi pritet nje rritje e ndjeshme në arsimin privat bazuar edhe në mbështetjen publike për rritjen e këtij sektori të rëndësishëm, me qellim masivizimin dhe përmirësimin cilësor të arsimit shqiptar.

Kërkimi shkencor, teknologjia dhe inovacioni në funksion të zhvillimit të shpejtë ekonomik të vendit.
Qeveria do të planifikoj një Fond për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin, i cili do të zë 0.6 % e GDP-së dhe do të implementohet nga një agjenci e specializuar. Njëkohësisht do të adaptohet një kuadër institucional nxitës për të gjitha institucionet publike dhe private si dhe kërkuesit që zhvillojnë veprimtari në këtë fushë.

II.3.2. REFORMIMI RRËNJËSOR I SISTEMIT SHËNDETËSOR. AKSESI, CILËSIA DHE GARANTIMI I BURIMEVE FINANCIARE
Tashmë janë plotësuar kushtet për kalimin në fazën tjetër të reformimit të sistemit në modelin e tij të administrimit, relacioneve me përfituesit dhe financimit. Rezultatet në këtë fazë të dytë të reformës do të rrisin aksesin, diversifikojnë llojet e shërbimeve dhe ofrojnë shërbime më cilësore, njëherazi duke siguruar një qëndrueshmëri financiare të këtij sistemi. Realizimi i një sistemi shëndetësor cilësisht të ri do të jetë Motoja dhe Zemra e reformave për vitet 2009 – 2013.

Investime masive në kujdesin parësor, spitalor dhe në parandalimin e sëmundjeve.
Investimet publike në sistemin shëndetësor do të rriten me shpejtësi duke arritur mbulimin e plotë të territorit me qendra të kujdesit shëndetësor parësor të pajisura me mjetet e përshtatshme. Ndërkaq do të vazhdojë investimi me ristrukturimin dhe modernizimin e qendrave spitalore të vendit me prioritet realizimin real të rajonalizimit të sistemit spitalor.
Po kështu do të investohet për krijimin e një sistemi të shërbimit kombëtar të urgjencës të unifikuar sipas standarteve dhe cilësisë së lartë i bashkërenduar me sistemet e urgjencës së vendeve fqinje.
Investimet publike dhe fonde operative do të përfshijnë edhe sistemin e laboratorëve dhe institucioneve të shëndetit publik duke rritur shkallën e mbulimit me vaksina si dhe duke zgjeruar llojet e vaksinimeve. Gjithashtu do të fuqizohet sistemi i monitorimit dhe vlerësimit të gjendjes dhe risqeve shëndetësore

Financimi i sistemit shëndetësor. Financimi publik dhe nxitja e nismës private.
Sigurimi i burimeve financiare të bollshme dhe të qëndrueshme për sistemin shëndetësor përbën një nga sfidat më të vështira por edhe vetë thelbin e suksesit të këtij sistemi në të ardhmen. Buxheti per shendetesine do te rritet me 60 %.
Qeveria është e vendosur të zbatojë modelin e blerjes së shërbimeve shëndetësore nga një blerës i vetëm, Institutit te Sigurimeve Shëndetësore si dhe blerjen e shërbimeve nga ofruesit privatë të tyre.
Qeveria është gjithashtu e vendosur të rrisë ndjeshëm masën e financimit në shëndetin publik dhe në investimet kapitale.
Gjithashtu qeveria do të mbështesë dhe nxisë zgjerimin e sektorit privat në shërbimin parësor e spitalor si një mënyre për të kënaqur më mirë kërkesat në rritje për shërbime shëndetësore si dhe për një rritje dhe modernizim të sistemit shëndetësor shqiptar.

II.4. ZGJERIMI DHE FORCIMI I NATYRËS SOCIALE TË SHTETIT. PËRKRAHJA, SOLIDARITETI DHE DREJTËSIA SOCIALE PËR SHANSE TË BARABARTA
Ne angazhohemi se, duke ruajtur standartet më liberale të ekonomisë së tregut, do të thellojmë gjithnjë e më shumë frymën sociale të qeverisjes sonë, luftën e pamëshirë kundër njërit prej dy armiqve më kryesorë të njerëzve të lirë – varfërisë, do zgjerojmë, konsolidojmë dhe përsosim më tej sistemin e mbrojtjes sociale, do realizojmë një rishpërndarje gjithnjë e më të mirë dhe më të ndershme të të ardhurave dhe do të bëjmë çdo përpjekje që ne Shqipëri, qoftë dhe një qytetar i vetëm, të mos ndjehet i përjashtuar nga shoqëria shqiptare.

II.4.1. PENSIONE DINJITOZE. REFORMA E SISTEMIT TË SIGURIMEVE SHOQERORE.
Reformimi i sistemit të kontributeve shoqërore sipas modelit miks. Vazhdimi i rritjes së pensioneve
Për të arritur një nivel dinjitoz të pensioneve qeveria do të punojë për ristrukturimin dhe reformimin e sistemit ekzistues njeshtyllës “pay as you go” për të bërë një lidhje më të drejtpërdrejtë midis kontributeve dhe pensioneve dhe duke synuar kalimin gradual drejt një sistemi shumshtyllës të pensioneve.
Do të ndërmerren të gjitha masat për një rritje graduale të kontributeve në krahasim me rritjen e përfitimeve për të forcuar kështu qëndrushmërinë fiskale të skemës së sigurimeve shoqërore. Do të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin drejt barazimit të kushteve të tyre  në vitin 2013, për këtë do të vazhdojë subvencionimi i pensioneve të fermerëve.
Pensionet do të vazhdojnë të rriten me një ritëm mesatar 10 % për qytetin dhe 15 % për fshatin, ndërsa të ardhurat do të rriten me 12-15 % në vit duke arritur që në vitin 2013 krahasuar me vitin 2005 të jenë 50 % më të larta duke rritur kështu aftesinë vetmbajtëse të skemës së sigurimeve shoqërore.

Nxitja e nismës private në fushën e sigurimeve
Qeveria do të nxisë dhe lehtësojë nismën private në fushën e sigurimeve shoqërore dhe njëherësh do të krijojë sisteme të përgjegjshme e të sigurta të kontrollit ndaj institucioneve të liçensuara që do të operojnë në tregun e sigurimeve shoqërore.

II.4.2. MBËSHTETJA AKTIVE E KATEGORIVE SOCIALE DHE INDIVIDËVE NË NEVOJË
Reduktimi i varfërisë nëpërmjet politikave te mbështetjes aktive.
Qeveria vlerëson se lufta kundër varfërisë është një objektiv i shenjtë i saj. Politikat e mbështetjes aktive nëpërmjet punësimit do të jenë boshti i programit të qeverisë për reduktimin e varfërisë, e cila njëherësh do të shtojë edhe fondin e ndihmës ekonomike me qëllim që të ritet përfitimi për fryme nga ky fond.
Lufta kundër varfërisë në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, do të përbëjë përparësinë madhore për qeverinë tonë.
Brenda viti 2013 ne synojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë ndihmë ekonomike mbi dy dollar në ditë dhe pensionet e fshatit të barazohen me pensionet e qytetit.

Përkrahje aktive dhe integruese për individëd me aftesi të kufizuar.
Qeveria do të marrë masa për përmirësimin e vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në modelin social, përfshirjen e profesionisteve social në vlerësim, si dhe në rritjen e informimit për personat me aftësi të kufizuar dhe familjarëve.
Qeveria do të synojë ngritjen e shërbimeve komunitare për personat me aftësi të kufizuar dhe garantimin e cilësisë së tyre dhe do të shtoje fondet që, në bashkëpunim me organizata jo fitimprurëse, të sigurohet shërbimi ndaj personave me aftësi të kufizuara, shërbimet në familje dhe ato ditore edhe në ato Njësi Vendore që nuk e kanë këtë shërbim.

II.4.3. VAZHDIMI I KOMPENSIMIT TË ISH TË PËRNDJEKURVE
E ndërgjegjshme për detyrimin që shoqëria shqiptare ka përball ish të përndjekurve politik, njëherësh edhe si një provë e solidaritetit social qeveria angazhohet të shtojë fondet në drejtim të kompensimit financiar të ish të përndjekurve politik.
Përveç kompensimit financiar qeveria do të konkretizojë programe për forma alternative të riintegrimit në shoqëri të atyre grupeve dhe individëve të kësaj shtrese të shoqërisë që nuk kanë mundur të përfitojnë nga skemat e mëparshme të mbështetjes.

III. SIGURIA KOMBËTARE. SHQIPËRIA ANËTARE E NATOS KONTRIBUON NË SIGURINË DHE PAQEN GLOBALE
Shqipëria shënoi një arritje historike në 4 Prill, kur u bë anëtare e NATO-s, aleancës ushtarake politike më të madhë të të gjitha koherave. Me shpalljen e pavaresisë ne fituam lirinë, me antarësimin në NATO ne fituam sigurinë e lirisë sonë.  Kjo ngjarje është nje kulm historik, por njëherësh është edhe fillimin e një rruge të gjatë kontributesh, detyrimesh, përgjegjësish si pjestarë të aleancës.
Qeveria është e ndërgjegjshme dhe e përgatitur të bëjë të gjitha përpjekjet dhe të vërë në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme financiare, materiale dhe njerëzore për të realizuar me sukses sfidat e modernizimit të ushtrisë sonë në përputhje me standartet e NATO-s.

III.1. FUQIZIMI DHE MODERNIZIMI I MËTEJSHËM I FORCAVE TË ARMATOSURA
Në përputhje me angazhimet dhe sipas standarteve të NATO-s, do të krijohet një strukturë organizative e integruar e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshem. Deri në fund të vitit 2010 do të kryhet transofromimi i Forcave tona të Armatosura në një forcë tërësisht profesionale me fokus më të veçantë për njësitë e deklaruara për operacionet e NATO-s.
Qeveria do të sigurojë ndërveprimin dhe vënien në dispozicion të kapaciteteve të çdo ministrie dhe agjensie qëndrore për plotësimin në kohë të (49) Objektivave të Forcës të cilat do të bëjnë të mundur integrimin e plotë të FA në strukturat e NATO-s deri në vitin 2019. Përveç kapaciteteve të mirëfillta ushtarake në realizimin e Objektivave përfshin edhe kontribute kombëtare për operacionet e stabilizimit, rindërtimit, ekipe specialistësh civile e ushtarake, si dhe sigurimin e kufijve.
Për interimin e sistemit të mbrojtjes sonë ajrore me ato të NATO-s dëri në vitin 2013 do të përfundojë vendosja e kapaciteteve për të siguruar vëzhgimin e hapësirës ajrore, përfshirë instalimi dhe integrimi i strukturës së komandës dhe kontrollit ajror, si dhe identifikimi i sistemeve të sigurta të komunikimit me qëndrat ajrore të NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes do të zhvillojë politikat përkatëse për një personel të përshtatshëm e të trajnuar dhe do të riorganizojë sistemin e mbrojtjes dhe planifikimit të forcës në përputhje me proçesin e Planifikimit të Forcës së NATO-s. Duke filluar nga viti 2010 do të adoptohet modeli i situatave të planizimit operacional të NATO-s.
Do të prezantohen dhe zbatohen në të gjithë hierarkinë e komandimit të FA, standartet individuale, si dhe sistemet e vlerësimitë të trupave dhe shtabeve. Deri në fund të këtij viti, FA do të sigurojnë që të gjitha aspektet kritike të arsimimit e stërvitjes ushtarake të jenë përshtatur me konceptet strategjike të NATO-s, të doktrinës së NATO-s, proçesit të Planifikimit Strategjik, e Planifikimit Operacional dhe Listën e detyrave të NATO-s. Pervetesimi i gjuhes engleze dhe i perdorimit te compiuterit do te perhapet me shoejtesi ne forcat e armatosura.
Do të synohet përmirësimi i kapaciteteve të bazave ajrore të Kuçoves dhe Rinasit me pajisje dhe personel për realizimin dhe riparime të nivelit të dytë, si dhe i portit të Durrësit dhe bazës së Pashalimanit për rritjen e mundësive të Mbështetjes së Vendit Pritës për NATO-n.
Integrimi në strukturat e NATO-s dhe modernizimi i Forcave të Armatosura shoqërohet me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve nga 48 aktualisht në 4, si dhe shkatërimin e një sasie prej 85.000 tone municione deri në vitin 2015. Pjesa më e rrezikshme e municioneve do të eliminohet deri në fund të vitit 2010. Vëmendje e veçantë do t’i ushtohet zbatimit rigoroz të rregullave të sigurisë për shkatërimin dhe rruajtjen e municioneve.
Qeveria do t’i përmbahet pa asnjë hezitim kërkesave të NATO-s për mbajtjen e nivelit prej 2 % të PBB-së të buxhetit të mbrojtjes dhe do të tregojë kujdes të veçantë për përdorimin sa më të efektshëm të tij.

III.2. SHQIPËRIA, ANËTARE E NATOS, KONTRIBUON NË SIGURINË DHE PAQEN GLOBALE
Qeveria shqiptare në vijim të traditës së konsoliduar që para anëtarësimit, do të zgjerojë kontributin e Shqipërisë në angazhimet e aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë. Në zbatim të kërkesave të NATO-s për operacione të qëndrueshme dhe dislokimin e forcave tokësore, do të kontribuojmë me forca për luftim, mbështetje luftimi dhe për mbështetje me shërbime për luftim, lehtësira dhe infrastrukturë për pjesëmarrjen në operacione të drejtuara nga NATO, BE, OKB dhe operacione të tjera koalicionesh potenciale.
Do të vijojë proçesi i riorganizimit dhe zgjerimit me personel të misioneve civile e ushtarake në Përfaqësinë e Përhershme të Shqipërisë pranë NATO-s me qëllim që tu afrohet kërkesave të bashkëpunimit me organizmat dhe agjensitë e NATO-s.
Gjithashtu Shqipëria do të mbështesë angazhimet e kontributeve të NATO-s, në agjensitë e strukturat e saj me personel ushtarak në përputhje me “Proçedurat dhe Politikat e Personalit në NATO”.

IV. VAZHDIMËSIA NË POLITIKËN E JASHTME. SHQIPËRIA FAKTOR I RËNDËSISHËM I PAQJES E STABILITETI
Politika e Jashtme e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të ruaje vazhdimësinë e saj dhe rolin e konsoliduar të Shqipërisë, si një kontribuues i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit global, kudo që ai kërkohet, si dhe në mënyrë të veçante rolin e saj konstruktiv në forcimin e paqes, stabilitetit, bashkëpunimit dhe integrimit te përbashkët rajonal.
Për shtetin e ri te Kosovës, Shqipëria do të mbështesë fuqishëm njohjen ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, integrimin sa më të shpejtë në rrjedhat integruese Euro-Atlantike dhe praninë e saj si vend anëtar i Organiztës së Kombëve të Bashkuara. Vendi im do të japë ndihmesën e vet në konsolidimin  e insticuioneve të Kosovës dhe do të vendosë marrëdhëniet më të ngushta të kooperimit dhe bashkëpunimit të gjithanshëm dhe në të gjitha fushat.

V. SHQIPËRIA NË PRAGUN E ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EUROPIAN
Integrimi në Bashkimin Evropian, i cili përbën modelin, synimin dhe destinacionin tonë final e të pazëvendësueshëm, është emëruesi më i fuqishëm i përbashkët i kësaj qeverie. Modeli i shkëlqyer i suksesit të demokracive të vendeve të Evropës Perëndimore, mbeten një frymëzim për përthithjen e vlerave më të mira që do të na çojnë në respektimin dhe përsosjen e mëtejshme të tyre por edhe në një zhvillim progresiv më të shpejtë, më cilësor dhe më tërësor në të gjithë vendin.
I gjithe programi i maxhorances dhe Qeverise se saj te Integrimit Europian ka per orieentim dhe synim arritjen e standarteve te prag pranimit te shqiperise Anetare e Bashkimit Europian.
Nderkaq procesi i integrimit dhe anetaresimit kerkoj nje koordimim dhe ndjekjet te vazhdueshme te ceshtjeve, zbatim te detyrave, zgjidhje te situatave, monitorim, rishikim. Ai kerkon aftesimin tone per te negociuar dhe per te lobuar prane faktoreve europiane dhe per te permiresuar imazhin e Shqiperise, vecanerisht ne momentte e rritjes se skepticizimit per europen dhe zgjerimin e saj mes qytetareve europiane.

V.1. ZBATIMI I PLOTE I MARRVESHJES SE STABILIZIM ASOCIIMIT.
Më 1 prill 2009 hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, busulla e orientimit për reformat që do të ndërmerren në katër vitet e ardhshme të qeverisjes. Ky porgram i maxhorances dhe Qeverise se Integrimit Europian eshte nje pergjigje e pergjejshme dhe e plote ndaj angazhimeve te marra ne kete marrveshje.

V.2. ARRITJA E STANDARTEVE EUROPIANE TE PRAGUT TE ANETARESIMIT
Më 28 maj, 2009 ne depozituam aplikimin tonë për anëtarësim pranë Presidencës Çeke, vetëm pasi kishim siguruar se kjo kërkesë do të ishte e shoqëruar me një arkivë të pasur arritjesh e rezultatesh, dhe vetëm pasi në sytë dhe vlerësimin e Bashkimit Evropian Shqipëria kishte njohur progres të padiskutueshëm. Ky hap në vetvete tregoi për shkallën e kuptimit dhe të përvetësimit të standarteve evropiane nga qeveria shqiptare.
Objektivi ynë për katër vitet e ardhshme do të jetë një kalendar i qartë veprimesh institucionale dhe diplomatike për të përfituar lëvizjen e lirë, statusin e kandidatit dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit për në Bashkimin Evropian. Për të kaluar në këtë prag të ri çdo institucion do të raportojë rregullisht me vërtetësi, përgjegjësi, koherencë dhe saktësi për çdo detyrim të plotësuar ose në proces, pranë Qeverisë. Qeveria do të marrë të gjitha masat rregullatore dh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›