Kabineti qeveritar serb në Kosovë
• Ministrat serbë do të jenë në Kosovë ditën e shpalljes së pavarësisë, për të treguar se komuniteti serb nuk është minoritet, por një grup që i përkeq shumicës.Qeveria e Serbisë i ka dërguar një letër kreut të UNMIK-ut, ku i kërkon të lejojë praninë e tyre në ditën e shpalljes së pavarësisë. “Në rast se nuk do të na jepni lejen të vijmë zyrtarisht në Kosovë, atëherë ne do të vijmë në mënyrë private”, thuhet në kërkesën e tyre drejtuar UNMIK-ut. Ministri për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, ka konfirmuar se ai dhe sekretari serb i shtetit, Dushan Prorokoviç, do të mbajnë një konferencë në Mitrovicë në orën 13:00 të dielën. Dhe ndërsa Samarxhiç dhe të tjerët do të jenë në Mitrovicë, Gjeliç dhe ministri serb i Arsimit, Zoran Lonçar, do të shkojnë në zonën më të izoluar, Trepçë. Ministri i Energjisë dhe Minierave, Aleksandar Popoviç do të jetë në Ranilug, ndërsa ministri i Infrastrukturës, Velimir Iliç, në Graçanicë. Të tjerët do të shpërndahen në të gjitha komunat serbe në Kosovë. Ndërkohë serbët në Mitrovicë, nën organizimin e Beogradit, kanë marshuar në qytet me flamuj të mëdhenj ku shkruhet në serbisht, “Kosova, pjesë e Serbisë”. Protesta ka pasur edha nga nacionalistët në Beograd. Rreth 1000 prej tyre kanë dalë në shesh me sloganet “Kosova, zemra e Serbisë”, për të protestuar kundër deklaratës së pavarësisë si dhe kundër vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian, i cili nisi zbarkimin që dje.