Pavarësia, hapet kufiri me Kosovën
• Maqedonia dhe Kosova do t’i kenë të hapura të gjitha pikat kufitare gjatë fundjavës. Vendimi u mor pas paktit mes ministrit të Brendshëm të Kosovës dhe homologut të tij maqedonas.“Sipas paktit, kufiri do të jetë i hapur për të respektuar vullnetin e të gjithë qytetarëve që duan të vijnë në Kosovë ditën e pavarësisë. Do të ketë lehtësime në procedura gjatë kalimit, por pritet të krijohen edhe radhë të gjata nga fluksi i njerëzve të parashikuar për të hyrë në Kosovë ditën e festës”, tha ministri i Brendshëm kosovar, Zenun Pajaziti. Por edhe pse rrugët janë tashmë të hapura për të gjithë qytetarët, shumë nga etnia shqiptare në Maqedoni do ta festojnë pavarësinë e Kosovës në vendbanimet e tyre. Pavarësia do të festohet mirëfillti edhe në Shkup. Një koncert me emrat më të njohur të muzikës shqiptare në Maqedoni do të zhvillohet i organizuar nga komuna e Cairit në bashkëpunim me lëvizjen “Zgjohu” dhe Lëvizjen e Historianëve Shqiptarë. Koncerti do të jetë i pasuruar edhe me interpretimin e valleve shqiptare.