Kuvendi seancë live për Kosovën
• Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do të mbledhë seancën e veçantë të Parlamentit në nder të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Në këtë seancë që do të nisë në ora 14.30 do të marrin pjesë të gjithë deputetët, si dhe personalitete të fushave të ndryshme të artit dhe të shkencës në Shqipëri. Dy ekranet e mëdha do të transmetojnë drejtpërdrejt çdo gjë lidhet me procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. I gjithë evenimenti do të jepet në ekranet e televizorëve që janë instaluar në pjesën ballore të seancës. Sipas burimeve mësohet se do të jenë të pranishëm edhe Kryeministri Berisha dhe një pjesë e mirë e ministrave. Seanca pritet të jetë e hapur edhe për një pjesë të qytetarëve, të cilët do të ndjekin live momentin e shpalljes së pavarësisë. Dy parlamentet, i Kosovës dhe i Shqipërisë do të përjetojnë njëherësh momentin e vendimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës që pritet të ndodhë rreth orës 18.30.