E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, qyteti feston pavarësinë mes borës

• KORÇE – Qyteti e Korçës i ka nisur festimet për pavarësinë e Kosovës i mbuluar nga dëbora.Mbi bardhësinë e saj dhe pa u stepur nga temperaturat e ulëta, janë zhvilluar veprimtaritë e para festive. Organizimi është realizuar nga Bashkia e Korçës, e cila ka parashikuar një sërë aktivitetesh artistike. E para që ka startuar festën për pavarësinë kosovare ka qenë banda muzikore e qytetit. Ajo ka përshkuar bulevardet kryesore të Korçës për disa orë, duke interpretuar këngë dhe pjesë patriotike. “Ky aktivitet kulturor, në vigjilje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i paraprin aktiviteteve të tjera që pritet të zhvillohen ditën e diel”, pohoi dje zëdhënësja e Bashkisë së Korçës, Ana Qeramixhi. Në rrugët e qytetit juglindor janë vendosur banderola dhe flamuj kombëtarë, jo vetëm nga ana e pushtetit vendor, por dhe nga subjekte private që zhvillojnë bizneset e tyre përgjatë zonave të ndryshme të Korçës. Gjatë ditës së sotme pritet që kori karakteristik “Lira” të interpretojë repertorin e tij të këngëve patriotike në një nga lulishtet kryesore të qytetit, atë që mban emrin e patriotit “Themistokli Gërmenji”, i cili njihet gjithashtu si drejtuesi i shpalljes së Republikës Autonome të Korçës më shumë se një shekull më parë. Dita e sotme pritet të mbyllet me një sërë tubimesh e koncertesh festive, gjithçka në kuadër të panoramës mbarëshqiptare që pret shpalljen e pavarësisë.                                                 j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›