E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria kufizon lirinë

Tiranë - Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj ka deklaruar se liria ekonomike në Shqipëri vazhdon të mbetet e kufizuar dhe cënohet rëndë nga niveli i ulët i lirisë së pronës dhe niveli i lartë i korrupsionit. Përmes një deklarate për shtyp, zoti Malaj reagoi pas raportit të lirive ekonomike të vitit 2009 që sipas tij qeveria po keqpërdor për të mbuluar dështimet në elementet thelbësore të rritjes ekonomike, siç janë pronësia dhe mirëqeverisja.

Kështu, sipas deputetit socialist, liria e pronës është vetëm 30% dhe liria e korrupsionit 29%,ose niveli më i ulët në të gjithë vendet e rajonit. Ai shtoi se “mburrja me lirinë fiskale është vetëm dekorative. Perkeqësimi i administratës fiskale, nepotizmi dhe emërimet militante, mbledhjet abusive të të ardhurave, cmimet e referencës abuzive dhe korruptive, rimbursimet korruptive, i kufizojnë në maksimum impaktet pozitive të lirisë fiskale”.

Duke vijuar më tej me shifra, Malaj theksoi se Shqipëria për shkak të uljes së nivelit formal të taksave vlerësohet se ka lirinë fiskale 92%, por korrupsionin 29%, ndërsa Danimarka një nga vendet më të zhvilluara dhe me politika sociale të harmonizuara e ka lirinë fiskale vetëm 35% por lirinë nga korrupsioni 94%.

“Në vitin 2008, Forumi Botëror i Davos e rendit Shqipërinë në nivele shumë të ulta për të konkuruar në ekonominë globale dhe klasifikoi qeverinë shqiptare si një nga më të korruptuarat në marrjen e vendimeve, si edhe njënga më pak transparentet në 134 vende të botës”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›