E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano merr pjesë në çeljen e sesionit parlamentar

20/01/2009  Drejtuesi i seancës, Ceka uron deputetët

Seancës së djeshme parlamentare nuk i ka munguar as ish-kryeministri Fatos Nano, i cili ka marrë pjesë në seancën e parë të sesionit të fundit për legjislaturën. Ish-kryetari i PS-së, dhe pse i zgjedhur që në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005, gjatë kësaj legjislature e ka frekuentuar sallën e Kuvendit vetëm në momente të rëndësishme për vendin, si dhe kur ka dashur të mos shkelë afatet ligjore që e zhveshin atë nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Seanca e parë për sesionin e fundit të kësaj legjislature ishte një nga më të shkurtrat: ajo zgjati vetëm 10 minuta, gjatë së cilës sekretari për çështjet elektorale në Partinë Socialiste Kastriot Islami paraqiti zyrtarisht kërkesën e selisë rozë për ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc, që do të monitorojë përgatitjet e infrastrukturës zgjedhore. Në mungesë edhe të kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli, nënkryetari i Kuvendit Neritan Ceka, drejtuesi i djeshëm i seancës, u bëri deputetëve të pranishëm urimet për realizimin sa më me sukses të punimeve të sesionit të ri kuvendor. “Sesioni i ri do të përmbyllet me sukses me zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë të ndershëm. Ndërsa sesioni i kaluar shënoi disa momente të rëndësishme për vendin dhe politikën shqiptare, si marrja e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO, mbyllja e ratifikimit të MSA-së nga parlamentet e BE-së etj., suksese që do të shoqërojnë dhe këtë vit”, - tha Ceka në fjalën e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›