“Kabllogramet e Wikileaks, pasqyrë e cunguar e shtypit të përditshëm shqiptar”

Kryeministri Sali Berisha rikonfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-të
Kryeministri Sali Berisha i ka cilësuar dje kabllogramet e Wikileaks për Shqipërinë si një “pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar, akuzave dhe kundër akuzave të ndërsjella që forcat politike kanë adresuar ndaj njëra-tjetrës”.
Në konferencën për shtyp me Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, Berisha iu përgjigj interesit të medias për kabllogramet që Wikileaks ka publikuar për politikanët dhe situatën në Shqipëri me mbishkrimin sekret të ish-Ambasadorit Amerikan në Tiranë, john Withers, në adresë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kryeministri Berisha e ka quajtur kryeredaktorin e Wikileaks, Julian Assange një Arsen Lupen të kohërave moderne.
“Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur. Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kjo për sa i përket atij, për sa i përket pjesës tjetër, ju them lexoni sa më shumë. Ato, siç e keni parë, janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë një qind për qind, por aty afër”, tha Berisha.
Kryeministri i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ju garantoj se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, vlerësimi për ambasadorin Arvizu është i palëkundur. Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij, mbështet shqiptarët e Shqipërinë dhe jo forca të caktuara politike. Tani, të komentoj për akuzat e mediave, ato janë komentuar shumë here”, tha Kryeministri Berisha.