Patozi: Të hapim një kapitull të ri në komunikimin politik
TIRANË: Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje në Kuvend se mazhoranca nuk mund të fajësohet për ngërçin politik, dhe as për bashkëpunimin e munguar të këtyre dy viteve. “...Në mënyrë të përsëritur, para dhe menjëherë pas zgjedhjeve, ju kemi ftuar që të ngremë pa humbur kohë, komisionin e reformës zgjedhore dhe të miratojmë çdo ndryshim të nevojshëm, në përputhje me rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it. Porta vijon të mbetet e hapur, në fakt, për një çështje që nuk kërkon fare ftesë. Sepse opozita, si përfaqësuese e një pjese të rëndësishme të shoqërisë, i takon të jetë pala më e interesuar për zgjedhje me standarde të larta”, - tha dje Patozi. Kryetari i
deputetëve demokratë shtoi se vendi ka nevojë për opozitën. “...Sepse vetëm një opozitë e fortë dhe dinjitoze i bën më të vështira paudhësitë e pushtetit dhe se nuk ka gjë më të lehtë për një mazhorancë, sesa kur ka përballë një pakicë kaotike dhe me besueshmëri të mangët apo të cunguar. Le ta fillojmë nga e mbara këtë sesion të ri, pa mëdyshje dhe me vendosmëri. Le të ngremë pa humbur kohë, komisionin e reformës zgjedhore, si minimumin e përgjegjësisë dhe vullnetit për të hapur një kapitull të ri në komunikimin politik. Le të vijojmë me ligjet me shumicë të cilësuar, që pa asnjë arsye në botë, presin prej më shumë se tri vitesh, miratimin tonë konsensual...”,- tha ndër të tjera Patozi.