Përplasje mes policisë dhe banorëve për prishjen e 30 objekteve në Lushnjë
LUSHNJE – Prishja e ndërtimeve pa leje në një fshat në Lushnjë është zhvilluar me përplasje të ashpra mes punonjësve të Inspektoratit dhe familjarëve të dëmtuar. Burimet zyrtare pohojnë se të premten dhe ditën e shtunë janë shënuar incidente në fshatin Bubullimë teksa Inspektorati ka shkuar për të prishur rreth 30 objekte të ndërtuara pa leje. Sipas tyre, operacioni i ndërtimorëve është mbështetur edhe nga forcat e rendit, por sërish kanë ndodhur përplasjet mes palëve. Burimet policore sqarojnë se janë shoqëruar në Komisariatin e Lushnjës disa persona, të cilët më pas janë lënë të lirë. Këto 30 ndërtime pa leje kanë qenë mure rrethues, të ndërtuar pas viteve ’90. Pronarëve të këtyre mureve rrethues u ishte dërguar njoftimi për prishjen e tyre pasi zyra e urbanistikës së komunës do të kryente rregullime e rikonstruksione në rrugët kryesore të fshatit duke i zgjeruar ato si dhe duke i bërë me trotuare. Edhe pse njoftimin banorët e kishin marrë prej Inspektoratit të Ndërtimeve, ata nuk kishin marrë asnjë masë për prishjen vetë të mureve rrethues pa leje.
26 Janar 2009