E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kacani pro draftit. Reforma financiare e duhura

Reforma financiare është një nga rrugët e duhura për t’i integruar universitetet publike në tregun e konkurencës. Drafti që iu është ofruar universiteteve nuk është i dobët, por duhet të rishikohet për të shmangur problemet që mund të lindin nga implementimi i tij. Ky ka qëndrimi i rektorit të Universitetit Politeknik Jorgaq Kacani i cili pjesërisht e ka vlerësuar draftin.

”Do ta vlerësoja reformën e re që e fut universitetin mbi bazën e aktivitetit të tij mësimor dhe shkencor në licencim dhe e bën konkurrent në treg. E kemi kërkuar me kohë. Kemi kërkuar që të gjitha projektet që zhvillohen në Shqipëri të kalojnë nëpërmjet një oponence universitare dhe të gjitha projektet që kalojnë në një opononencë universitare të kenë prioritet nga qeveria për tu implementuar. Duhet të ketë rregulla të qarta, të sakta, të kontrolluara e deri në rregulla penalizuese, deri në mbyllje të një universiteti në qoftëse aty zbulon ose arrin të marrësh vesh, të kesh indikatorë të tillë që ai nuk është më jofitimprurës”- tha Kacani.

Por jo të gjitha universitetet publike e kanë vlerësuar draftin. Universiteti i Tiranës e cilësoi atë shumë të dobët dhe të paqartë, të hartuar nga specialistë që nuk kanë lidhje me financat. Megjithatë të gjitha opinionet dhe propozimet, pritet të debatohen në një tryezë pasi reforma finaciare kërkon kohë për tu aplikuar në universitete.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›