E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaçanik, perkujtohet 100 vjetori i kryengritjes së Kosovës

PRISHTINë- Rëndësia historike e kryengritjeve të vitit 1910 ishte mobilizimi popullor për liri dhe nxitja e kryengritjes së përgjithshme, me program kombëtar, e cila çoi drejt Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, u tha në një veprimtari perkujtimore per 100-vjetorin e kryengritjes së madhe të Kosovës, në Kaçanik. Në qytetin e Kaçanikut u përurua edhe shtatorja e udhëheqësit të kësaj kryengritje, Idriz Seferit.
Në veprimtaritë që shënonin edhe 100 vjetorin e Betejës së Kaçanikut, organizuar gjatë ditës së djeshme nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe Instituti i Historisë së Kosovës, mori pjesë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe deputetë të parlamentit kosovar.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit të Kosovës, në fjalën e tij kryeparlamentari Krasniqi theksoi se, gjatë vitit 1910 Kosova i ka dhënë historisë sonë kombëtare faqe lavdie dhe qëndrese titanike. “Qëndresa shqiptare në Shkallën e Kaçanikut, me në krye Idriz Seferin, në Jezerc të Shtimes e Caralevë, e prirë nga Isa Boletini e Hasan Budakova, në Qafën e Morinës e të Agrit, me ne krye udhëheqësit luftarakë, Zeqir Haliti, Prel Tuli, Mehmet Shpendi e Marash Delia, dëshmoi jo vetëm shpirtin liridashës e heroizmin masiv të popullit tonë trim, por edhe organizimin e fuqishëm e aftësitë e larta luftarake të tij”, tha Krasniqi.
Duke folur rreth rëndësisë së kryengritjes së vitit 1910, Krasniqi tha se ajo konsistonte në mobilizimin popullor për liri dhe nxitjen e kryengritjes së përgjithshme, me program kombëtar, e cila çoi drejt Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se sot, në 100-vjetorin e vitit të lavdishëm të 1910-ës, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i lirë dhe në miqësi me shtetet fqinje, të rajonit dhe të botës demokratike. “Ne jemi krenarë për marrëdhëniet e shkëlqyera që Kosova e re ka vendosur me demokracitë e mëdha si, SHBA, vendet e Bashkimit Evropian, Republikën e Turqisë, vendet anëtare të NATO-s, Kanadanë, Japoninë etj, të cilat ndihmuan vendin dhe popullin tonë të realizojë aspiratat e tij historike”, u shpreh kryeparlamentari Krasniqi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›