E Diel, 1 Nëntor 2026

Të parat u shkrinë tre seksione të policisë në Tiranë

Struktura

Ndryshimet në strukturat e policisë kanë prekur fillimisht Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në të cilën pak ditë më parë u shkrinë tri seksione. Sa i përket shkrirjes së tre seksioneve në drejtorinë e kryeqytetit, burimet kanë shpjeguar se ky është një projekt, që bazohet në rialokimin e forcave të policisë, sipas rekomandimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga të dhënat mësohet se nga Drejtoria e Qarkut Tiranë është bërë shkrirja e seksionit të mbrojtjes së të miturve e dhunës në familje, seksionit kundër akteve terroriste dhe seksionit kundër krimeve seksuale e lirisë së personit. Duke parë që këto tre seksione nuk kanë pasur shumë veprimtari në punën e tyre, është vendosur që ato të shkrihen në seksione të tjera, me qëllim që efikasiteti i policisë të jetë më i lartë dhe në rastet e ngjarjeve të veçanta, oficerët dhe ekspertët mund të punojnë edhe nga seksionet e tjera. Në këto kushte, është vendosur që seksioni i mbrojtjes së të miturve e dhunës në familje të kalojë në sektorin e rendit. Oficerët e këtij seksioni kanë kaluar në varësi të rendit, pasi edhe shumica e veprimtarisë së këtij seksioni vjen prej informacioneve të mbledhura nga strukturat e rendit dhe lidhen direkt me gjykatën. Një pjesë e oficerëve të saj ka kaluar në rend, që do vazhdojnë të trajtojnë çështjet e dhunës në familje, ndërkohë që pjesa tjetër janë lënë në varësi të strukturave të hetimit të krimit për seksionet e tjera. Ndërsa dy të tjerat, përkatësisht seksioni kundër akteve terroriste dhe seksioni kundër krimeve seksuale e lirisë së personit kanë kaluar në varësi të seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, ose siç njihet ndryshe si “seksioni i vrasjeve”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›