E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kacin: Politika s’e mbajti premtimin

06/10/2011  Ngërçi i tejzgjatur politik do të reflektohet në raportin e KE-së për statusin e Shqipërisë

Mungesa e gjatë e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës si dhe marrëdhënia e kushtëzuar e kësaj të fundit me Kuvendin pritet të reflektojë edhe në vlerësimet e Brukselit për Shqipërinë më 12 tetor. Një javë përpara publikimit të raportit të KE-së zëvendëskryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Jelko Kacin, i bëri dje thirrje klasës politike të tregohet serioze dhe realiste në prioritetet strategjike që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë. “Ky raport do të jepet më 12 tetor dhe ai do na paraqesë progresin ose mungesën e tij në Shqipëri. Fatkeqësisht, në rastin e Shqipërisë vendi është bllokuar për një periudhë të gjatë nga konflikti i shumicës me opozitën. Të dyja palët, pozita dhe opozita, mund të premtojnë se integrimi në BE është alfa dhe omega, po kur ne vëzhgojmë praktikat politike të përditshme, vëmë re se ato janë komplet të ndryshme nga premtimet. Nuk është e mjaftueshme të deklarosh diçka. Ju keni nevojë ta zhvilloni dhe ta zbatoni atë, jo vetëm një herë, por në vazhdimësi”, - tha dje për mediet Jelko Kacin. Zëvendëskryetari i Delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore në prononcimin e tij u shpreh edhe në lidhje me përgjigjen që pritet të marrë Shqipëria më 12 tetor. Kacin theksoi se politika shqiptare ndodhet përballë sfidës për të treguar veten, e cila duhet të krijojë besim te qytetarët, por edhe te faktori ndërkombëtar. “Pas gjithë këtyre eksperiencave negative të këtyre viteve në Shqipëri unë besoj se politika shqiptare duhet ta tregojë veten. Kjo është sfida për politikanët. Ndoshta mund të duhet ende një vit ose dy për të treguar një imazh tjetër, për të prezantuar veten përsëri në atë nivel që ne t’u besojmë atyre deklaratave dhe premtimeve që bëjnë politikanët. Tani për tani unë mendoj se ekziston një dallim i madh midis fjalëve dhe realitetit”, - nënvizoi Kacin. Rikthimi i opozitës në Kuvend u vlerësua nga ndërkombëtarët, por mungesa e votës së tyre duket se nuk sjell ndonjë shpresë për korrektim të raportit në minutat e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›