Kacin: Vizat, nëse hiqen në fund të vitit
Eurodeputeti slloven, Jelko Kacin, ka deklaruar dje se, nëse vizat do të hiqen për Shqipërinë dhe Bosnjën, kjo do të ndodhë vetëm në fundin e vitit 2010. Jelko Kacin është nënkryetari i Delegacionit për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën në Parlamentin Europian. “Mendoj se kjo do të ndodhë më 19 dhjetor të vitit 2010, deklaroi Kacin”, bën të ditur “Telegraf”. Këtë vlerësim Kacin e dha pas arsyetimit se propozimi i KE-së për heqjen e vizave për BeH-në, që do të arrijë para deputetëve në shtator, do të pasohet nga shumë etapa të tjera. Sipas tij, fajtorë për vonesën e liberalizimit të vizave janë autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkaq, në një shkrim të sajin, gazeta italiane “La Stampa” e konfirmonte këtë fakt në publikimin e javës së shkuar. Në këtë artikull theksohet se vendimi i Komisionit Europian pritet të merret në korrik dhe nëse gjithçka do të shkojë ashtu siç ka deklaruar Berisha dhe Kukan, Bosnja dhe Shqipëria pritet të përfitojnë nga liberalizimi i vizave në fund të këtij viti. Por komisioneri Fule ka kujtuar se “vendimi do të merret sipas meritës së arritur nga vendet në zbatimin e udhërrëfyesit dhe nuk ka dhënë parashikime mbi datën e mundshme.
#