E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lartësitë e pallateve sjellin edhe dy të vdekur

Tiranë Një punëtor rrëzohet, ndërsa një 50-vjeçar vetëhidhet

Dy persona kanë humbur jetën ditën e djeshme në kryeqytet, ku njëri është aksidentuar në punë, ndërsa tjetri është hedhur nga tarraca e një pallati. Vetëvrasja ka ndodhur gjatë mesnatës, ndërkohë që aksidenti në punë pasditen e djeshme. Burimet policore bënë të ditur se rreth mesnatës, në Komisariatin Nr. 2 është njoftuar se një person 50 vjeç është hedhur nga pallati pranë stadiumit “Dinamo”. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shkërbimet e policisë, të cilët kanë dërguar të dëmtuarin në morgun e Tiranës, ndërkohë që kanë kryer veprimet në vendin e ngjarjes. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, mendohet se ai i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit. Nga ana tjetër, një ngjarje tjetër e rëndë ka ndodhur pasdite në një pallat në ndërtim. Rreth orës 16:00, një punëtor ka rënë nga tarraca e pallatit pranë Fakultetit Juridik. Viktima është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, por me të mbërritur atje ka humbur jetën. Policia e mbërritur në vendngjarje, sqaroi se rënia e punëtorit mund të ketë qenë aksidentale, gjatë kohës që ai punonte. Pas identifikimit të viktimës, policia ka marrë në pyetje edhe përgjegjësit e punimeve dhe po kryen gjithë veprimet hetimore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›