Vazhdimi i reshjeve rrezikon digën e hidrocentralit të Fierzës
Reshjet e stinës mbysin tre hidrocentralet më të mëdha në vend, duke rrezikuar sigurinë e tyre për shkak të prurjeve të mëdha. Kur nuk kishin kaluar 24 orë nga deklarata e Ministrisë së Energjetikës për një situatë larg rrezikut të përmbytjeve, të tria HEC-et u gjendën në një situatë kritike nga prurjet e mëdha, duke detyruar autoritetet të rrisin shkarkimet. Të dhënat e fundit zyrtare nga KESH tregojnë se shkarkimi nga Vau i Dejës, përfshi dhe prodhimin, regjistrojnë nivelin e 2 mijë metër kub uji në sekondë. Sa i takon HEC-it të Fierzës, niveli i tij vijon të jetë në pikë kritike, duke kapërcyer kufirin e lejuar me të paktën 50 centimetra, ndërsa rritja gjatë ditës së djeshme shënonte një cm në orë.
“Përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës kanë ardhur edhe si pasojë e mungesës së argjinaturës dhe kaosit urban”, ishte reagimi i djeshëm nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri. Duke u nisur nga situata e krijuar së fundmi nga reshjet e shumta të shiut është mbledhur sërish Komisioni i Posaçëm i Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, nën drejtimin e zv/ministrit Beqiri, i cili në konferencën për shtyp qartësoi se të gjitha vendimet janë marrë në interes të ruajtjes së sigurisë së Kaskadës së Drinit.
“Në 24 orët e fundit është përkeqësuar situata në Kaskadën e Drinit si pasojë e reshjeve të shumta. Duke parë këtë gjendje, e cila është monitoruar hap pas hapi nga Sekretariati Teknik pranë KESH dhe nga Grupi i Posaçëm, janë marrë vendime në vazhdimësi dhe në interes të ruajtjes së sigurisë së Kaskadës së Drinit. Shkarkimet ka qenë të tilla, në varësi të prurjeve”, u shpreh Beqiri.
Nga ana e tij, drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, (KESH) Muharrem Stojku informoi mbi të dhënat e prurjeve dhe shkarkimeve në tre hidrocentralet mbi Kaskadën e lumit Drin. Sipas tij, sa i përket Fierzës, shkarkimet janë me 710 metër kub në sekondë, prurjet 1360 metër kub në sekondë, ndërkohë që niveli rritet më 1 cm në orë. Megjithatë, duke pasur parasysh se tri orë më parë prurjet ishin 1560 metër kub ujë në sekondë, drejtori i KESH tha se kjo është shenjë e uljes së prurjeve. “Në Koman shkarkojmë 1100 metër kub ujë në sekondë dhe jemi në rënie të kuotës 4-5 cm në orë. Tani jemi 174.12 metra ndërsa prurjet janë 500 metër kub ujë në sekondë. Në Vaun e Dejës prurjet janë 120 metër kub ujë në sekondë, shkarkimet 1450 metër kub në sekondë nga portat dhe me gjithë shkarkimet nga turbinat ato shkojnë 2000 metër kub ujë në sekondë”, tha Stojku.
Drejtori i KESH-it pranoi se ka përmbytje, por theksoi se deri më tani ato nuk kanë përfshirë banesat e popullatës përreth. Megjithatë, kreu i KESH u shpreh optimist se situata do të ndryshojë, falë stafit të përgatitur të Korporatës, të cilët kanë eksperiencë në menaxhimin e të tilla situatave.
Ndërkaq, prodhimi vijon të jetë në nivele të larta, rreth 30 milionë kilovat energji elektrike, kurse eksporti në masën e 17 milionë kilovatëve. Nga ana tjetër, situata është duke favorizuar KESH-in në shitjen e energjisë elektrike, i cila është rritur shumë në dy muajt e fundit.