Kadare-Feraj, s’ka kompromis
TIRANE
Ismail Kadare dhe pedagogu Hysamedin Feraj nuk bien dakord të zgjidhin me kompromis padinë për shpifje. Marrëveshja e ofruar dje në Gjykatën e Tiranës nga gjykatësi Ilir Çeliku u refuzua nga palët, pasi paditësi Feraj dhe avokati i tij kërkuan në këmbim të heqjes dorë nga padia, pranimin publikisht nga ana e Kadaresë të shpifjes dhe fyerjes ndaj Feraj. Pas këtij propozimi dy avokatët Përparim Rama dhe Vangjel Kosta, të caktuar nga shkrimtari i njohur me famë ndërkombëtare Ismail Kadare, pohuan se klienti i tyre nuk kishte bërë asnjë shpifje ndaj Ferajt, për më tepër që kishte dhënë një opinion të tijin bazuar në një botim të mëparshëm të publicistit Pirro Misha. Pas mosarritjes së kompromisit gjykata vendosi dje ta deklaronte të hapur shqyrtimin gjyqësor të çështjes, duke ftuar palët për të paraqitur provat e tyre në këtë proces. Padia kundër Kadaresë u dorëzua në gjykatë në muajin prill të këtij viti, por për tre seanca radhazi nuk ishte arritur të kalohej faza përgatitore e këtij procesi, kohë gjatë së cilës togat e zeza ftuan palët për ta zgjidhur çështjen me marrëveshje. Hysamedin Feraj, pedagog i shkencave politike dhe sociale pretendon se në një shkrim publicistik të datës 28 dhjetor 2008 i botuar në një të përditshme shqiptare, me titullin “Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Skënderbeut” dhe nëntitull “Përbaltja, rrënim për kombin tonë”, me autor Ismail Kadarenë, është shpifur ndaj tij. Artikulli i publikuar në gazetë është parathënia që Kadare ka shkruar për të prezantuar për herë të parë botimin “Foleja kombëtare”, e vetmja dramë e Mit’hat Frashërit. “Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se ‘antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve’. Emri i këtij rimohuesi është H. Feraj dhe sa ç’është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri”, thotë Kadare në artikullin e publikuar. Shkak për debatin mes Kadaresë dhe Feraj është bërë Skënderbeu, ndërsa gjithçka ka nisur pas botimit në shqip të historisë së Skënderbeut shkruar nga Oliver Schmitt. Ndërkohë mbrojtësit e Kadaresë pohuan dje se klienti i tyre nuk ka shpifur ndaj Ferajt dhe se paragrafi ku pretendon se ka bërë shpifje ndaj tij, është marrë nga një libër i publicistit Pirro Misha. fa.ma.
Kadare për Ferajn
“...Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t’u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit. Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t’i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë. Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se “antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve”. Emri i këtij rimohuesi është H. Feraj dhe sa ç’është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky, e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë”!