E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’e kënaqën me parà, Vangjeli braktis Arisin

 

Jetmir Halilaj

Kristi Vangjeli është një lojtar i lirë tashmë. Mbrojtësi i Komb-ëtares shqiptare është “divorcuar” zyrtarisht me klubin e Arisit, pasi nuk u arrit akordi mes palëve. Futbollisti kishte kohë që ishte në bisedime me klubin ku është aktivizuar për shtatë vite, por në fund nuk u arrit akordi.
Paratë
Sipas medias greke, rinovimi i kontratës së Kristi Vangjelit me klubin e Arisit dështoi për shkak se nuk u arrit akordi financiar mes palëve. Arisi i kishte ofruar lojtarit të njëjtat kushte që kishte edhe sezonin e kaluar, por futbollisti kishte kërkuar rritje page. Pas disa bisedimesh, sipas medias helene, lojtari ka vendosur t’i thotë “jo” përfundimisht ofertës së skuadrës greke. Raporti i futbollistit të Kombëtares me drejtuesit e kësaj skuadre u acarua së tepërmi gjatë sezonit të fundit, madje kjo i kushtoi shqiptarit qëndrimin për një kohë të gjatë në stolin e rezervave. Kjo e detyroi futbollistin të lëshonte deklarata të ashpra në adresë të krerëve të skuadrës greke, duke thënë dy muaj më parë se jo vetëm që nuk do të rinovonte kontratën, por nuk kishte më aspak dëshirë të luante në Greqi, pasi ai nuk ndihej i vlerësuar aty. Megjithatë, pak ditë pasi përfundoi sezoni, për shkak edhe të lajkave të klubit Vangjeli ndryshoi mendje dhe pranoi të hynte në bisedime, të cilat në fakt nuk e shmangën ndarjen mes lojtarit dhe klubit.
Ultimatumi
Sipas medias greke, Van-gjeli është acaruar së tepërmi kur krerët e skuadrës së Arisit i kishin lënë dy ditë afat për të firmosur ose jo kontratën me të njëjtën pagë. Ai ka këmbëngulur që të rishikohen termat financiarë, por klubi nuk ka bërë lëshime, ndaj ka vendosur përfundimisht që të largohet. Për Vangjelin ka një interesim nga disa klube të huaja, ku spikasin dy klube të Bundesligës 2 gjermane dhe një klubi Bundelsigës 1 austriake, por pritet që gjatë ditëve në vazhdim mbrojtësi të hyjë në bisedime konkrete me menaxherët e këtyre ekipeve. 24-vjeçari cilësohet si një nga lojtarët më me perspektivë të Kombëtares. Avantazhi i tij është që arrin të përshtatet mjaft mirë në të dy krahët e mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›