Gjykata e Lartë refuzon dënimin e Jaupit
TIRANE – Gjykata e Lartë i “jep shansin” e ankimit për “burgimin e përjetshëm” Kastriot Jaupit, të dënuar për vrasjen e majorit të policisë, Ilir Ngresi. Ditën e djeshme Kolegji Penal i kësaj gjykate i ka legjitimuar “të tmerrshmit të Beratit” mundësinë për të rigjykuar në Gjykatën e Apelit dosjen në ngarkim të tij. Bëhet e ditur se pretendimi i Jaupit në Gjykatën e Lartë ka qenë fakti se ai është dënuar në mungesë nga të dy shkallët e para të gjyqësorit. Pas vendimit të djeshëm, dosja e Jaupit do të fillojë të shqyrtohet nga e para në Gjykatën e Apelit. Mësohet se shqyrtimi do të bëhet nga Gjykata e Apelit të Rrethit Vlorë, për arsye se në atë gjykatë është zhvilluar dhe gjykimi në mungesë ndaj tij. Kastriot Jaupi, 34 vjeç, i përfolur si një nga eksponentët kryesorë të krimit në zonë e Beratit, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e majorit të policisë, Ilir Ngresi, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2000. Gjithashtu ai njihet si autori i një atentati ku është plagosur Altin Dardha, dikur mik i ngushtë i tij. Një vendim i 04.07.2003 i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dënoi Kastriot Jaupin me burgim të përjetshëm në mungesë për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, “të vrasjes me paramendim në bashkëpunim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, të mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. I njëjti vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit pak kohë më vonë. Jaupi u arrestua në vitin 2001 në Madrid të Spanjës, ku ai i fshihej drejtësisë. Ndërsa ekstradimi i tij në Shqipëri do të bëhej vetëm në vitin 2008. Paralelisht me kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Jaupit, tek autoritetet spanjolle edhe drejtësia italiane kërkonte ekstradimin e tij, për një vepër penale në këtë vend. ar.ba