E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmendet” Reali, firmos edhe Karim Benzema

 

Florentino Perez nuk di të ndalet. Duket se është presidenti i parë në historinë e Realit të Madridit, që realizon të gjitha objektivat që premton në merkato dhe mbi të gjitha, duhet theksuar se ka premtuar më të mirët në botë për momentin. Surpriza e tij e parë ishte Kakà. Pagoi 68 milionë euro për brazilianin e Milanit. Vetëm pak ditë më pas erdhi edhe goditja e dytë e bujshme, Kristiano Ronaldo, për plot 93 milionë euro. Pas tyre erdhën edhe blerje të tjera, por duket se këtë herë i ka takuar sulmuesit francez, Karim Benzema. Klubi francez ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes. Shuma e transferimit të tij është 35 milionë euro, por mund të shkojë deri në 41 milionë për shkak të paraqitjeve të tij sportive. “Klubi i Lionit konfirmon arritjen e një marrëveshjeje me Realin e Madridit për transferimin e Karim Benzemas për shifrën e 35 milionë eurove, por që mund të shkojë deri në 41 milionë euro, në rast se plotësohen disa klauzola sportive”, është thënë në komunikatën për shtyp të klubit francez. Bëhet e ditur se Mançester Junajtid ka ofruar një shifër më të lartë se aq, por ka qenë vetë futbollisti, ai që ka zgjedhur të bëhet një nga blerjet e bujshme të presidentit Florentino Perez, duke refuzuar kështu “djajtë e kuq”. Ndërkohë, përsa i përket kontratës së tij, nuk është bërë ende e ditur paga që do të marrë, por është 6-vjeçare, duke llogaritur edhe moshën e re të lojtarit. Perezi ka arritur të bëjë gjithçka me radhë dhe të mos dështojë në asnjë nga dëshirat e tij. Benzema do formojë dyshen e sulmit së bashku me Kristiano Ronaldon, të mbështetur nga braziliani Kakà. Një treshe përrallore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›