Pogradec, pezullohet n/kryebashkiaku
Pogradec
Gjykata e Pogradecit vendosi dje të pezullojë nga detyra nënkryetarin e Bashkisë së këtij qyteti së bashku me dy drejtorë, me akuzën se kanë abuzuar me një tender prej 4 milionë eurosh për pastrimin e qytetit. Vendimi është shpallur ditën e djeshme nga gjyqtari Klodian Rado, i cili sanksionoi se zyrtarët e Bashkisë duhet të mos hyjnë më në institucion, por edhe të mos dalin nga vija e verdhë e zonës. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave, Erion Vesho, nënkryetar i Bashkisë dhe njëkohësisht Drejtor Juridik në këtë institucion, është penalizuar së bashku me Drejtorin e Urbanistikës Paskalin Ziko, dhe Drejtoreshën Ekonomike, Arjana Braholli. Ata janë akuzuar për abuzime me tenderin e pastrimit të qytetit të Pogradecit. Sipas burimeve mësohet se vlera e këtij tenderi ka qenë 4 milionë dollarë. I gjithë procesi gjyqësor filloi pas një padie në Prokurorinë e Fierit, e cila pretendoi parregullsi në tender. Menjëherë pas kallëzimit penal, Prokuroria vendosi të fillojë hetimet duke kryer bllokimin e dokumentacionit, pyetjen e dëshmitarëve dhe ekspertimeve të nevojshme. Pas një hetimi disa mujor, prokuroria dërgoi dosjen penale në Gjykatën e Pogradecit, ku fashikulli penal po shqyrtohet nga gjyqtari Klodian Rado.
Pezullimi i zyrtarëve
Prokuroria e qytetit të Pogradecit i ka akuzuar për kryerjen e veprës penale "shpërdorim detyre", tre zyrtarët e Bashkisë. Sipas pretendimit të akuzës, zyrtarët kanë kryer parregullsi gjatë organizimit dhe zhvillimit të tenderit, si dhe në përzgjedhjen e kompanisë fituese. Për këto shkelje Prokuroria ka ngritur akuzë dhe ka dërguar në gjyq tre zyrtarët e Bashkisë. Gjykata ka marrë dosjen në shqyrtim, duke hapur shqyrtimin penal për këtë çështje. Masa e sigurimit është vendosur siç mësohet nga gjykata, duke u nisur nga vlera e lartë e tenderëve me të cilët akuzohen se kanë abuzuar zyrtarët e bashkisë. "Është caktuar me vendim që nënkryetari i Bashkisë dhe dy zyrtarët tjerë, të mos hyjnë në Bashki, të mos lejohen të dalin nga territori i vijës së verdhë Pogradec", thanë burimet zyrtare nga Gjykata. Sipas saj, për këtë vendim janë lajmëruar Bashkia dhe organet e policisë së Pogradecit me qëllim që të zbatojnë vendimin e marrë nga togat e zeza. Ndërkaq në Gjykatën e Pogradecit do të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor për këtë çështje. Prokuroria ka depozituar në fashikull një seri provash për dokumentimin e shkeljeve dhe abuzimeve që janë bërë me tenderët prej personave të pandehur në proces.
Ndalimi për të hyrë në bashki
Vendimi i Gjykatës së Pogradecit për të ndaluar hyrjen e tre zyrtarëve në Bashkinë e Pogradecit, një masë kjo e parashikuar në ligj, është bërë në mënyrë që ata të mos kenë mundësi të ndikojnë në hetimin dhe gjykimin e çështjes duke prekur dokumentet që kanë të bëjnë me tenderët.