Kadare: “Letërsia shqipe nuk është e panjohur për Perëndimin”
Petrika GROSI
I pyetur nga gazeta “Albania” mbi vlerësimin më të fundit të veprës së tij me çmimin prestigjoz spanjoll në letërsi “Princi i Asturias”, shkrimtari i madh Ismail Kadare (modest si gjithmonë) nuk dëshiron që të komentojë gjatë, por pohon se kjo gjë, do të thotë që letërsia shqipe nuk është e panjohur në botë, sikundër mund të flitet në shtypin tonë nga individë të ndryshëm. Ai ka vetëm dy ditë që është kthyer në Shqipëri pas impenjimeve të ndryshme që ka pasur nëpër Europë dhe natyrisht që për 73 vitet që mban mbi shpinë, ndihet pak i lodhur për t’u marrë me mediat. Kadare thotë se nuk dëshiron të flasë më gjerë në lidhje me vlerësimet që i janë bërë brenda këtij muaji në Itali, Shqipëri dhe Spanjë por kjo nuk do të thotë se shkrimtarit nuk i bëjnë përshtypje titulli “Honoris causa” i dhënë nga Universiteti i Palermos, apo një nga çmimet më prestigjoze letrare në botë siç ishte ai i princit Felipe të Spanjës, i cili shoqërohej me vlerën e 50 mijë eurove, e sigurisht, me më shumë botime në të ardhmen për veprën e Kadaresë në botën hispanike. Kujtojmë këtu se çmimi “International Man Booker Prize” i dhënë në vitin 2005 në Angli, bëri që Kadareja të tërhiqte menjëherë vëmendjen e botës anglosanksone dhe kërkesa për veprën e tij të rritej në mënyrë të ndjeshme. Kjo konstatohet si nga botimet e këtyre viteve në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada etj., po kaq edhe nga referencat mediatike, kritikat dhe artikujt e shumtë që mjafton të kërkosh në internet dhe përditë nuk mungojnë të reja. Pas rikonfirmimit të vazhdimësisë së tij krijuese dhe të të qenurit prodhues edhe pas rënies së sistemit komunist, me vepra të njëpasnjëshme e të suksesshme, herë në letërsi e herë në publicistikë, shkrimtari vazhdon të shkruajë e të mbetet gjithmonë aktiv edhe në punët e politikës, diplomacisë, debateve të ndryshme siç ka qenë ai i identitetit europian të shqiptarëve, apo sprova me Dante Aligerin, deri te dy romanet e fundit “Çështje të marrëzisë” dhe “Darka e gabuar” që mund të thuhet me plotë gojë se që në kontaktin e parë kundërmojnë aroma “Kadare” dhe ndonëse u kanë munguar çmimet letrare jashtë shtetit, pasi mbeten ende të panjohura, janë vlerësuar si më të mirat e viteve kur janë krijuar në Shqipëri. Ndoshta më në fund, komiteti i Çmimit “Nobel” do të ndërgjegjësohet për vlerat humane dhe letrare të shkrimtarit të madh që lindi në qytetin e vogël të gurtë e të përhimtë në jug të Shqipërisë, për të lënë gjurmë të thella në historinë e literaturës botërore përkrah emrave të tjerë si Homeri, Dantja, Eskili, Shekspiri, Hygoi, Kafka, Kavabata, Dostojevski, Borgesi etj. Një betejë që pa dyshimin më të vogël është e fituar me të gjallët, e që do të jetë mjaft e fortë me të vdekurit. Së fundi, le të kthehemi te fillimi, fakti që dy nga çmimet më të rëndësishme botërore në letërsi janë fituar nga Kadareja tregon me të vërtetë se ai është ambasadori më i mirë që kultura shqiptare në veçanti dhe ajo ballkanike, kanë aktualisht në botë. Falë veprës së tij historia, doket, zakonet, tradita ballkanike është bërë e njohur për miliona njerëz, ndërkohë që letërsia e një vendi dhe një gjuhe të vogël, ka gjetur dhe në vijimësi marramendëse po gjen lexues të ngjyrave, moshave, statuseve, gjinive, kombësive, bindjeve fetare e politike dhe gjeografive të ndryshme nëpër botë.
26 Qershor 2009