Mbi “Luçiano Berio dhe folk songs” të Mikaela Mingës
Gjon KAPIDANI*
Në jetën e studentit mbeten të ngulitura ato kujtime që kanë të bëjnë me vlerësimin e pedagogëve që të kanë drejtuar në profesionin që ke zgjedhur. Kështu, unë do të kujtoj gjithnjë me dashuri profesor Zadejën, Papariston, Larën, Stringën, etj., që më drejtuan në formimin tim. Këtë hyrje e bëra sepse në jetën time të mësuesit nuk mund të rri pa kujtuar edhe ata studentë që gjatë ecurisë së tyre, më kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme me formimin e tyre kulturor e profesional. Sot më paraqitet rasti të përgëzoj dhe vlerësoj njërin prej tyre, kolegen, ish-studenten time të orkestracionit Mikaela Mingën. Sinqerisht, më duhet të them se formimi i saj kulturor profesional më ka lënë një mbresë të veçantë dhe për këtë, e kam vlerësuar e përgëzuar si një ndër studentet më të mira. Edhe më pas, kur u bëmë kolegë, marrëdhëniet tona në këtë fushë u ngritën në nivelin e diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojës të ndërsjelltë. Mikaela Minga, në përvojën e saj si muzikologe e re ka dhënë dy shembuj kuptimplotë për këtë me botimin e dy librave, të cilët me problematikat përkatës mbartin vlera të vërteta të studimeve muzikologjike. I kam lexuar me ëndje të dy këta libra jo vetëm nga ana profesionale, por edhe nga ajo stilistike e letrare. Muzikologjia që ka si objekt studimin e muzikës dhe të krijimtarisë muzikore me kritere shkencore, bazohet në kontributet e historiografisë, filologjisë, analizës muzikore, antropologjisë, ikonografisë, psikologjisë, sociologjisë etj. Të gjitha këto kanë rëndësinë e tyre dhe unë shikoj e në librat e Mikaelas këtë formim. Sot do të flasim për librin e saj të fundit, i cili sjell para lexuesit kompozitorin e shquar italian Luçiano Berio, një prej figurave më të fuqishme krijuese të pas Luftës së Dytë Botërore. Libri titullohet “Luçiano Berio dhe Folk Songs”. Personalisht, mendoj se trajtimi i vlerave krijuese të Berios në një mënyrë të tillë që në titull më është dukur shumë i arsyeshëm. Është një punë që iu vlen studentëve, lexuesve dashamirës dhe pse jo kompozitorëve, si një model i veçantë në fushën e krijimtarisë artistike; një model për t’u studiuar, analizuar dhe nxjerrë mësime. Në kapitullin “Folk Songs” – Traditë e veçantë e realiteteve të muzikës bashkëkohore, përveç analizave të thella profesionale në pikëpamje të formës, fakturës, modeve, orkestrimit, harmonisë, si dhe përkthimin e teksteve nga autorja, shihet njohja e saj në të gjitha ato disiplina të kulturës që i nevojitet një muzikologu për të thënë fjalën e vet të bazuar në kritere shkencore. Këtu qëndron një ndër vlerat njohëse të autores së librit. Ajo ka ditur të zgjedhë me zgjuarsi e kompetencë profesionale që nga bibliografia e pasur (rreth 25 tituj), si dhe t’ia nënshtrojë mendimet e gjykimet e saj, arsyetimeve profesionalisht mirë të realizuara. Libri, edhe pse i natyrës profesionale është shumë i këndshëm për t’u lexuar. Kur kam lexuar librin e saj të parë i kam pas thënë: “Ti Mikaela ke sensin e prozës poetike”, gjë që ajo e tregon në komentet po ashtu edhe në përkthimin e teksteve. Në fund të kësaj fjale, duke marrë shkas edhe nga parathënia që prof. dr. Fatmir Hysi i bën librit dhe që shprehet: “Libri i saj është një befasi e bukur, nga më të bukurat e muzikologjisë në 50 vitet e zhvillimit të kësaj disipline.” Më lejoni që përveç argumenteve që shtova gjatë kësaj fjale të shtoj edhe diçka, të cilën e vërej tek autorja: Një muzikolog duhet të ketë një kulturë njohëse shumë të gjerë profesionale e enciklopedike. Krahasimi i prof. Hysit shtrihet në 50 vitet që mendojmë se u zhvillua kjo disiplinë. Atëherë ka pasur kufizimet e veta dhe sot, duke u gjendur përpara zhvillimeve të reja, mendoj se i takon pikërisht gjeneratës së Mikaelës të plotësojë me profesionalizëm rrugën shkencore të së shkuarës dhe ta pasurojë me gjërat e reja. Ndaj i uroj koleges time suksese të mëtejshme.
* (Ky shkrim për librin e muzikologes Mikaela Minga është bërë nga kompozitori i ndjerë Gjon Kapidani, i cili u nda nga jeta para se ta botonte, në mesin e këtij muaji)
26 Qershor 2009