Një shikim ndryshe për Skënderbeun
Dr. Dritan EGRO *
Sot edhe pas 500 vjetësh personaliteti i Skënderbeut dhe ajo se çka ndodhi në shek. XV në viset shqiptare dhe më gjerë në Ballkan vazhdon të ndezë debat të nxehtë, diku të kulturuar dhe diku jo. Ç’është e vërteta Skënderbeu dhe bëmat e
tij kaluan nga goja në gojë deri në fillim të shekullit XX dhe mbeti më së shumti një mit dhe një gjysmë legjendë, falë kontributit të shkrimeve të humanistëve të kohës. Por, figura e tij u bë aktuale në shkrimet historike gjatë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare; ndaj, nuk është fare rastësi që edhe shkrimet historike më të hershme në historiografinë shqiptare, si me karakter populist ashtu dhe me karakter shkencor, fillojnë me trajtimin e figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij.
Edhe sot, pavarësisht nga koha që kalon me shpejtësi, figura e Skënderbeut vazhdon të jetë ende e gjallë mes shqiptarëve dhe kontributet shkencore për ndriçimin e tij po njohin një frekuencë të shtuar vitet e fundit. Kjo siç duket është e lidhur me momentet historike që po kalon çështja shqiptare.
Po a janë shfrytëzuar shterueshëm të gjitha burimet që lidhen me heroin kombëtar të shqiptarëve? Mendoj se jo. Figura e Skënderbeut do të gjejë portretizimin e vet sa më afër reales vetëm pasi të jenë shpalosur dokumentet historike që vijnë nga të gjitha kancelaritë e kohës, pa asnjë paragjykim. Një mozaik ndërtohet dhe jep imazhin e tij të plotë kur në të janë vendosur të gjithë elementët, në të kundërt do të ndeshnim në vende bosh që pa dyshim nuk të lejojnë që të perceptosh drejt figurën e mozaikut. Duke filluar që nga koha e Barletit e deri më sot, është krijuar imazhi se studiues të Skënderbeut përgjithësisht kanë qenë vetëm ata që kanë qenë në gjendje të lexonin në origjinal burimet relativisht të plota kronikale dhe dokumentare në gjuhën latine. Po a mund të themi të njëjtën gjë edhe për burimet bizantine, sllave dhe për më tepër ato osmane? Kurrsesi që jo. Të paktën këtë e them me bindje përsa i përket burimeve historike osmane. Dua të theksoj edhe një herë se po aq sa zbulimi i dokumenteve të reja, i rëndësishëm është edhe parashtrimi dhe analiza e shterueshme e tyre.
Rëndësinë e dokumentacionit historik të prodhuar nga osmanët nuk është e nevojshme ta vë në dukje, pasi ai dokumentacion flet vetë, dhe sidomos në kushtet kur “biznesi” i Skënderbeut dhe të atit të tij ishte para së gjithash me ta; ndaj edhe është krejt e pavend të mendohet se osmanët nuk do t’i kushtonin familjes Kastrioti vëmendjen e duhur. I ati i Skënderbeut në kronikat osmane shfaqet me emrin Jovan, versioni ortodoks i emrit të një apostulli të Krishterimit, që varianti shqip është Gjon, ndërsa në latinisht Johanes. Një fakt i tillë nuk duhet të na habisë, në kushtet e Mesjetës kur si gjuhët zyrtare të kancelarive të kohës ishin si sllavishtja ashtu edhe greqishtja, dhe fatkeqësisht jo shqipja. Ndaj përsa kohë që emrin e të atit të Skënderbeut nuk e takojmë në një dokument shqip ku do të bëhej e qartë edhe trajta grafike e tij, askush nuk mund të pretendojë se versioni zyrtar i emrit të tij ishte Ivan apo Jovan.
Në të gjitha kronikat osmane pa përjashtim emri i princit serb Llazar, i cili udhëhoqi koalicionin ballkanik në Betejën e Kosovës (1389) na identifikohet me emrin Laz apo Las, pra shumë larg trajtës së përdorur në dokumentacionin sllav.
Problemi i onomastikës ballkanike ndërlikohet edhe më kur në kronikat osmane në të gjitha rastet për qytetin e Durrësit përdoret emërtimi sllav Draç, emër i cili është përdorur gjerësisht gjatë gjithë periudhës osmane. A thua vërtet ky të ketë qenë emri zyrtar i këtij qyteti, dhe jo trajta Durrës ajo Dyrrahium? Për të mbërritur në këtë qytet osmanët kaluan nëpër territore sllavishtfolëse. Me këtë fakt shpjegohet se pse osmanët huazuan nga sllavishtja këtë emër për këtë qytet me histori të lashtë sa arbërore aq edhe adriatike. Me të njëjtën logjikë shpjegohet edhe fakti se pse edhe sot e kësaj dite vetëm populli turk i quan shqiptarët Arnavut. Duke ndjekur logjikën e shpjegimit të dhënë nga Sami Frashëri, bazë për një emërtim të tillë kanë qenë termi greqisht identifikues për shqiptarët gjatë mesjetës Arvanitis, pasi osmanët kaluan edhe në zona greqishtfolëse para se të mbërrinin në Ballkanin perëndimor. Me këtë shpjegohet edhe emërtimi Defter-i Arvanid i regjistrit të parë kadastral osman që posedojmë sot për viset shqiptare. Ndonëse populli grek sot e ka ndryshuar emërtimin për shqiptarët, turqit i kanë mbetur ende besnik emërtimit që përdorën që në kontaktet e para me shqiptarët. Për t’iu shmangur çdo lloj spekulimi mund të themi se nga versioni i emrit që sot hasim nëpër dokumente, ne mund të nxjerrim vetëm faktin se i ati i Skënderbeut i përkiste besimit ortodoks, ndërsa përsa i përket identitetit të tij kombëtar vetëm nga emri nuk mund të nxjerrim dot gjë. Porse atë e gjejmë të dëshmuar në të gjitha kronikat osmane: Gjon Kastrioti përmendet si princ/sundimtar shqiptar, pra evidentohet pa asnjë ekuivok identiteti i tij shqiptar; madje edhe Skënderbeu kur citohet për herë të parë në këto dokumente identifikohet me emrin Skënderbej, biri i princit/sundimtarit të viseve shqiptare.
Pa vënë në dukje fuqinë politike dhe ekonomike të Gjon Kastriotit, do të ishte shumë e vështirë të parashtrosh logjikshëm atë histori të Skënderbeut në shekullin XV, aq sa së bashku me Janosh Huniadin dhe Vlad Drakulën, të ishte një ndër tre personalitetet që vonoi përparimin e shpejtë osman drejt Evropës Perëndimore. Më mirë dhe më lehtë se ne sot fuqinë ekonomike dhe politike të Gjonit e kanë përcaktuar osmanët, të cilët qysh në dekadën e tretë të shek. XV përpiluan një defter të posaçëm për pronat e Gjonit, ashtu si dy dekada më pas bënë edhe për territoret e Vuk Brankoviçit. Duke pasur parasysh parimet administrative osmane të kryerjes së një regjistrimi kadastral, rezulton që Gjoni të ketë zotëruar territore të konsiderueshme, aq sa të përfshiheshin në një defter që mbante emrin e tij, kurse të gjitha viset e tjera shqiptare, përfshi këtu edhe Aranitët, në një defter tjetër.
Turqit osmanë në asnjë rast nuk i kanë lejuar vetes të bërit gabim në vlerësimin e statusit politik dhe fuqisë ushtarake të fisnikëve ballkanas, kushdo qofshin ata. Mbi bazën e kësaj njohjeje reale turqit osmanë përgatiteshin t’i thithnin fisnikët ballkanas në strukturat e tyre apo t’i eliminonin përfundimisht ata. Tek kjo njohje realiste e fuqisë së princërve ballkanas qëndron edhe ai sukses i cili osmanëve u siguroi një përparim të shpejtë, të sigurt dhe të qëndrueshëm në Ballkan; dhe rezultati nuk lë vend për koment të mëtejshëm: 500 vjet sundim i pandërprerë në Ballkan.
Nga ana e tij, Gjergj Kastrioti e përdori me krenari emrin-titull Skënderbej gjatë gjithë jetës, megjithëse u konvertua në katolik dhe u bë një nga kundërshtarët më të fortë të vendosjes së sundimit osman në Ballkan. Një fakt i tillë vërehet në korrespondencën që ai mbajti me shtetet perëndimore, ku pothuajse në të gjitha letrat ai nënshkruan me emrin Gjergj Kastrioti Skënderbej, pa e ndarë këtë emër të tretë nga dy të parat. Për më tepër, gjurma e vulës së madhe të tij është një dokument autentik që dëshmon se emri Skënder ishte barazuar me emrat Gjergj dhe Kastrioti, duke u shndërruar kështu në pjesë integrale dhe e barazvlefshme që formëzonte në trajtë letrare identitetin e tij politik dhe juridik. Në këtë mënyrë, duke e radhitur emrin Skënder krahas emrit dhe mbiemrit të tij shqiptar, ai nuk shkaktoi pak habi si te bashkëkohësit e tij, ashtu edhe te studiuesit e sotëm të kësaj periudhe.
Në sytë e osmanëve Gjergj Kastrioti ishte një zyrtar i ri osman, që kishte marrë përgatitjen përkatëse në Saraj, por që kishte gjak fisnik dhe ishte trashëgimtar/lord i një rajoni të caktuar diku në Ballkan. Gjergj është emri identifikues që i vunë prindërit, ndërsa mbiemri Kastriot, përveçse një tregues i prejardhjes se tij familjare, ishte edhe një element diplomatik që shprehte fisnikërinë e tij feudale. Përsa i përket emrit Skënder, përveçse të qenit një emër personal identifikues i sferës orientale, njëkohësisht ishte edhe një emër-titull, të cilin ai e fitoi falë fuqisë fizike dhe ambicieve të tij.
Skënderbeu ishte shumë i vetëdijshëm për prejardhjen e tij, po aq sa edhe për ato se çfarë do të bënte pasi u shkëput nga osmanët. Gjithsesi shpjegimin për arsyen e “rebelimit të gjatë” të Skënderbeut do të ishte mirë ta kërkonim në shkaqe dhe arsye madhore. Ishte studiuesi i parë serioz i Skënderbeut, Xhevat Korça, që qysh në vitin 1923 shprehet: “Ishte krejt e natyrshme që Skënderbeu të përballej me shtetin osman, pasi ai ishte zot i tokave të trashëguara nga i ati”. Pra për të shkuar më tej, arsyeja e kryengritjes së Skënderbeut qëndron në faktin se shteti osman, për vetë natyrën e tij centraliste nuk mund ta pjesëtonte autoritetin e vet si pronar suprem i tokës. Konflikti i saj me Skënderbeun qëndronte në faktin që ajo tokat e Gjon Kastriotit i konsideronte territore perandorake, pra pjesë integrale të shtetit osman, kurse Skënderbeu i konsideronte tokat e tij të trashëguara në linjë familjare, falë fisnikërisë së gjakut. Ndaj dhe konflikti në fjalë ishte për jetë a vdekje, ndaj dhe nuk do të kishte statusquo mes tyre. Fitorja do t’i përkiste o njërit, o tjetrit. Skënderbeu luftonte për ekzistencën e tij dhe në momente paqeje me sulltanin për të konsoliduar pozitat dhe për të zgjeruar territoret ashtu si kudo ndodhi edhe në viset e tjera ballkanike dhe evropiane të kohës. Ndaj dhe iu drejtua për ndihmë shteteve italiane dhe Papatit, madje edhe u nxeh me Papët kur ata nuk i ofruan ndihmën që priste (1467). Ambasadori i Milanos raporton se, ndërsa po kthehej duarbosh nga Roma, Skënderbeu kishte thënë se tashmë ai do të luftonte kundër Vatikanit dhe jo kundër osmanëve. Vërtetësinë e këtyre fjalëve të Skënderbeut e dëshmojnë ngjarjet që pasuan vdekjen e tij. Menjëherë pas rënies së Shkodrës në duart e osmanëve (1479), osmanët realizuan kalimin e tyre të parë dhe të fundit në Itali. Papa u largua për në Francë, kurse e gjithë Italia u kaplua nga frika.
Skënderbeu dhe epoka e tij kërkon medoemos një qasje të plotë, pasi qëndresa shqiptare e shekullit XV ishte një ngjarje dominante për gjithë rajonin dhe me pasoja të drejtpërdrejta edhe për Italinë.
* Autori është studiues i Historisë së Perandorisë Osmane dhe pedagog në Universitetin Europian të Tiranës