“Durrës-Kukës”, gati për në gjyq
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria thotë se mund ta dërgojë në gjykatë dosjen penale kundër ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, edhe pse ai nuk u paraqit për t’i komunikuar akuzën. Sipas organit të hetimit, prokurori i çështjes, Arben Kraja, i dërgoi me postë aktakuzën ish-ministrit të Transporteve, duke zgjedhur adresën e banimit të Bashës, por edhe Ministrinë e Jashtme. Në këto kushte, Prokuroria tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të deklaruar mbylljen e hetimeve dhe nisjen e dosjes për në gjykatë. Në procedimin penal të regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme me nr. 1, viti 2007, ministri Basha akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre” (parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal) me procedurat e ndjekura me prokurimin, tenderimin, financimin dhe zbatimin e punimeve në segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. Sipas Prokurorisë, e gjithë kjo procedurë në të cilën janë gjetur shkelje të rregullave dhe ligjeve shqiptare i shkaktoi shtetit një dëm që deri më tani arrin shifrën e 232 milionë eurove. Për këtë humbje nga buxheti i shtetit, Prokuroria akuzon edhe Andi Tomën, ish-drejtor Juridik në Ministrinë e Transporteve në kohën kur ky institucion drejtohej nga Lulzim Basha. Madje, sipas akuzës, dy zyrtarët akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Mbyllja e hetimeve
Organi qendror i akuzës ka deklaruar se do t’i përmbahet datës 6 dhjetor 2008 në mbylljen e hetimeve për dosjen “Durrës-Kukës”. Sipas Prokurorisë, edhe pse ministri i Jashtëm nuk u paraqit, aktakuza atij i është bërë e ditur me postë, një procedurë kjo e njohur nga ligji për rastet kur i akuzuari nuk paraqitet para organit të hetimit. Prokuroria tha se nisja e dosjes për në gjykatë nuk pengohet as nga padia që Lulzim Basha dhe avokati i tij kanë bërë në Gjykatën e Tiranës me objekt shpalljen e pavlefshmërisë për thirrjen e datës 24 nëntor 2008 nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila kërkoi pyetjen e ministrit në cilësinë e të pandehurit. “Edhe nëse gjykata do të shpallë pavlefshmërinë e thirrjes, ajo do të ripërsëritet dhe dosja nuk ka asnjë pengesë të dërgohet për shqyrtim në gjykatë”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, nga shqyrtimi i tërësisë së materialeve dhe provave të grumbulluara në dosje, rezulton se akuzat e ngritura janë të provuara dhe se procedura për këtë rast nuk kërkon hetime apo veprime të mëtejshme me qëllim faktimin e akuzës. “Vepra penale e konstatuar në këtë procedim penal është faktuar me anë të akt-ekspertimit të rrugës, që tregon se dëmi ka qenë 232 milionë euro, me më shumë se 15 persona të pyetur si dëshmitarë si dhe me një dosje voluminoze dokumentesh të sekuestruara në Ministrinë e Transporteve, Drejtorinë Juridike në këtë dikaster, Qendrën e Publikimeve Zyrtare dhe Drejtorinë e Rrugëve. Sipas Prokurorisë, të gjitha provat e grumbulluara madje edhe ish-vartësit e Bashës në Ministrinë e Transporteve, dëshmojnë se ish-ministri ka qenë iniciator i procedurave për zgjedhjen e firmës së supervizionit “Ecorys Grup” dhe më tej prokurimin, tenderimin dhe financimin e ndërtimit të aksit Rrëshen-Kalimash, shpenzimet e të cilit sipas akuzës kanë tejkaluar çdo parashikim që ishte bërë në mungesë të projektit dhe preventivit për investimin e këtij objekti.
Padia e Bashës, shqyrtohet nga Fatmira Hajdari
Tiranë- Lulzim Basha, ish-ministër i Transporteve, tashmë ministër i Jashtëm, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesëpadi kundër organit qendror të akuzës për shpalljen të pavlefshme të procedurave të njoftimit të tij nga prokurori i çështjes. Burime nga gjykata pohojnë se, ministri Basha ka kërkuar pavlefshmëri të aktit të thirrjes si i pandehur në Prokurorinë e Përgjithshme, institucion në të cilin aktualisht ndodhet dosja e tij. Pas dorëzimit, paraditen e së enjtes padia e Bashës iu nënshtrua procedurave të shortit elektronik, i cili përcaktoi për të shqyrtuar padinë gjykatësen Fatmira Hajdari. Përfundimi i procedurave në kryesekretarinë penale të gjykatës dhe ciklimi i kërkesë-padisë nga kancelari i institucionit ishte veprimi që bëri avokati pasdite, pak minuta para përfundimit të orarit zyrtar të punës, ajo të mbërrinte në zyrën e gjykatëses Hajdari. Gjatë javës së ardhshme pritet që gjykatësja e çështjes të caktojë seancën e parë të shqyrtimit të kërkesës së Bashës.
Padia
Objekti i padisë së ministrit Basha mbështetet ligjërisht në paragrafin e dytë të nenit 128 të Kodit të Procedurës Penale. Paditësi është mbështetur në nenin 128 të Kodit të Procedurës penale, ku thuhet se aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme kur respektohen dispozitat që lidhen me të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesëmarrjen në procedim. Më tej në ligj thuhet se absolutisht të pavlefshme aktet janë edhe kur kanë të bëjnë me thirrjen e të pandehurit, ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme. Ndërsa në fund të këtij neni pohohet se një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm. Në të njëjtën ditë që u paraqit padia në Gjykatën e Tiranës, ministri i Jashtëm refuzoi të paraqitej në Prokurori, ku do i komunikohej akuza për marrjen si i pandehur në çështjen për rrugën “Durrës – Kukës”.
Çështja paralele
Pavlefshmëria e akteve të kësaj dosjeje, sipas argumenteve që ka paraqitur avokati i ministrit Basha në kërkesëpadi, mbështetet në vendimin e pak ditëve më parë që dha Gjykata e Tiranës pas kërkesës së Armand Telitit dhe Andi Tomës, dy të bashkëhetuarit me Bashën në të njëjtën dosje. Gjykata pranoi si ta pavlefshme të gjitha veprimet hetimore të kryera pas datës 6 nëntor të këtij viti, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatje të hetimeve deri më 6 dhjetor. Prokuroria e argumentoi vendimin e saj me kryerjen e disa veprimeve të tjera hetimore, ndërsa gjykata e shpalli si të paligjshme këtë shtyrje afati jashtë atij që ka përcaktuar ligji. Kjo u bë shkak që edhe Basha të pretendojë se veprimet e organit të akuzës ndaj tij janë gjithashtu të paligjshme dhe si të tilla të shpallen të pavlefshme.