E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatë e Lartë apo Gjykatë Kushtetuese

DR. THEODHORI SOLLAKU 

Një synim i rëndësishëm i Kushtetutës së re shqiptare ishte parashikimi i ndarjes dhe pavarësisë së tre pushteteve: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Tashmë dihet që në një sistem demokratik të ruajtjes së “kontrollit dhe ekuilibrit” çdo pushtet është i pavarur nga pushtetet e tjera dhe të gjithë janë në gjendje të kontrollojnë njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, në rast se njëri nga pushtetet abuzon me fuqinë e vet, pushtetet e tjera kanë kompetencën të kontrollojnë situatën.
Parimet e mësipërme u mbajtën në konsideratë gjatë hartimit të Kushtetutës, edhe përsa i përket ndërtimit të sistemit gjyqësor.
Kushtetuta, e cila këto ditë mbush dhjetë vjet, solli disa risi në lidhje me këtë sistem, krahasuar me ligjin “Për dispozitat kryesore kushtetuese” të vitit 1992. Ajo, para së gjithash, rikonfirmoi pavarësinë e gjyqtarëve, duke theksuar se ata i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve (neni 145). Në dallim nga ligji i mëparshëm kushtetues, Kushtetuta e vitit 1998 nuk u mjaftua vetëm me një dispozitë deklarative, por ajo vendosi edhe disa norma të tjera kushtetuese, që e sigurojnë realisht këtë pavarësi.    
Kështu, sipas Kushtetutës, ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve po sjell përgjegjësi sipas ligjit (neni 145/3).
Se koha e qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet e tjera të tyre nuk mund të ulen. (neni 138).  
Se gjyqtarët mund të shkarkohen nga detyra vetëm në rastet që parashikon shprehimisht Kushtetuta (si kryerja e një krimi, paaftësi mendore dhe fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, ose për pamjaftueshmëri profesionale) (147/6).
Se gjyqtarët nuk mund të transferohen pa pëlqimin e tyre, përveç rasteve të riorganizimit të sistemit gjyqësor (147/5).
Këshilli i Lartë i Drejtësisë u riformatua si në përbërje, ashtu dhe në kompetencat e tij. Nga 15 anëtarë, 9 janë gjyqtarë që zgjidhen në mënyrë demokratike nga Konferenca Gjyqësore, ndërkohë që përbërja sipas ligjit kushtetues ishte mikse, kriter i vetëm ishte qenia jurist i shquar, çka në praktikë krijoi një situatë paradoksale, ku hetuesit dhe prokurorët vendosnin fatin e gjyqtarit.
Vendosja për herë të parë e normave të tilla kushtetuese përbëjnë një hap shumë të rëndësishëm në garantimin e pavarësisë së vërtetë të gjyqësorit, duke i prerë çdo rrugë tendencave të maxhorancave parlamentare, që me norma ligjore ato të mund të deformonin elementët bazë që sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Debate të shumta komisioni për hartimin e Kushtetutës zhvilloi për Gjykatën e Lartë, jo vetëm për emërtimin e saj, por edhe për përbërjen dhe kompetencat e saj. Do të kishim përsëri një Gjykatë Kasacioni apo do të shkonim drejt krijimit të Gjykatës së Lartë. Siç dihet tashmë, fitoi emërtimi Gjykatë e Lartë. Në dallim Gjykata e Kasacionit, që me ligjin kushtetues kishte vetëm kompetencën e shqyrtimit të bazës ligjore të vendimeve gjyqësore të gjykatave, Gjykata e Lartë do të kishte juridiksion fillestar dhe rishikues, si dhe rol unifikues të praktikës gjyqësore. Pra, nuk kemi vetëm ndryshim emri të gjykatës më të lartë, nga Gjykatë Kasacioni në Gjykatë të Lartë, por edhe të reja në funksionet bazë të saj. Ndërsa funksioni fillestar është qartësuar në Kushtetutë, neni 141 (gjykon si shkallë e parë akuzat penale kundër një kategorie funksionarësh të lartë të shtetit), ai rishikues, duke qenë se nuk shpjegohet në Kushtetutë (normale, jo çdo gjë Kushtetuta duhet ta sqarojë) ka sjellë paqartësi në praktikë, e shprehur jo vetëm në veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, por edhe në debatet midis kësaj të fundit dhe Gjykatës Kushtetuese.
Për herë të parë pas shfuqizimit të Kushtetutës të vitit 1976, me Ligjin për Dispozitat Kryesore Kushtetuese të miratuara me ligjin nr. 7561, datë 29.04.1992, Gjykata e Lartë u quajt Gjykatë Kasacioni dhe kësaj gjykate iu përcaktua juridiksioni, siç e cekëm më lart, ndër të tjera i verifikimit të zbatimit të ligjit nga gjykatat më të ulëta. Në nenin 7 parashikohej se “…Gjykata e Kasacionit shqyrton vetëm bazën ligjore të vendimeve gjyqësore që i paraqiten në rrugë kundërshtimi, ose që i tërheq vetë”. Pra, ajo gjykatë verifikonte nëse ishte zbatuar drejt ose jo ligji nga gjykata më e ulët dhe nuk verifikonte problemet që lidheshin me provat dhe drejtësinë e vendimit bazuar mbi to. Mbi këtë rregullim kushtetues, u hartuan edhe kodet e procedurave, në themel të të cilave, nëpërmjet rekursit në Gjykatën e Kasacionit, nuk mund të atakoheshin vendimet e formës së prerë për bazueshmërinë e tyre në prova.
Pra, Gjykata e Kasacionit, me këto dispozita kushtetuese, u ndërtua dhe u transformua si një gjykatë ligji dhe jo fakti.
Në dallim nga ky realitet kushtetues, Kushtetuta e vitit 1998 ndryshoi përsëri emrin e kësaj gjykate nga Gjykate Kasacioni në Gjykatë të Lartë. Kjo, jo për ndonjë shkak konvencional, apo parapëlqimi të autorëve të hartimit të kësaj Kushtetute, por për një shkak thelbësor, që lidhet me juridiksionin e kësaj gjykate. Në qoftë se në dispozitat kryesore kushtetuese përcaktohej se juridiksioni i Gjykatës së Lartë lidhur me vendimet e gjykatave më të ulëta, kufizohej në verifikimin e zbatimit të ligjit prej tyre, pra Gjykatë Kasacioni, me nenin 141 të Kushtetutës aktuale, përcaktohet se kjo gjykatë ka funksion rishikues ndaj vendimit të gjykatave më të ulëta, pa përcaktuar nëse ai kufizohet vetëm për problemet e ligjit.
Duke qenë kjo dispozitë e Kushtetutës e hapur për interpretim, ligjvënësi përcaktoi Gjykatën e Lartë, si një gjykatë ligji dhe fakti, me saktësimin në dispozitat e Kodeve të Procedurës Civile dhe Penale, se në cilat raste kjo gjykatë funksionon si gjykatë ligji dhe në cilat si gjykatë fakti. Kodet e Procedurës njohin dy mjete reagimi për të kundërshtuar vendimet e formës së prerë të gjykatave. Rekursin, të cilin e lidh me shkaqe të moszbatimit, apo zbatimit të gabuar të ligjit dhe rishikimin, i cili aplikohet për rrethana të faktit që rezultojnë të ndryshme me ato që janë shqyrtuar me parë nga gjykatat, të përcaktuar në mënyrë të shprehur (si raste në nenin 494). Sikurse lehtësisht konstatohet, shndërrimi i emrit nga Gjykatë Kasacioni në Gjykatë të Lartë lidhet drejtpërdrejt me ndryshimin e juridiksionit të kësaj gjykate, duke i shtuar asaj, ndër të tjera, edhe të drejtën të verifikojë bazueshmërinë në fakt të vendimit të formës së prerë, veç të drejtës së verifikimit të zbatimit të ligjit prej gjykatave. Aktualisht, si rekursi ashtu edhe rishikimi i vendimit të formës së prerë, janë dy mjete reagimi të barazvlefshme për efektet që pas sjellin, por të ndryshëm për shkaqet e parashtrimit të tyre. Por, shtrohet pyetja: Vetëm kaq ka qenë qëllimi i Kushtetutës kur ka përmendur funksionin rishikues të Gjykatës së Lartë? Me fjalë të tjera funksion rishikues do të thotë baraz rishikim të vendimeve të formës së prerë? Unë mendoj se nuk ka qenë ky qëllimi i Kushtetutës, pasi instituti i rishikimit të vendimeve të formës së prerë, në një emërtim tjetër (KML) ka ekzistuar edhe me ligjin “Për dispozitat kryesore kushtetuese”. Ka qenë detyrë e qeverive dhe ligjvënësve të miratonin ndryshimet procedurale në funksion të parashikimeve të reja kushtetuese për funksionet e Gjykatës së Lartë. Sot pas dhjetë vjetësh është e vështirë që të dallosh ku ndryshon Gjykata e Lartë nga ajo e Kasacionit dhjetë vjet më parë, për më tepër që operohet me Kodet e Procedurave të miratuara në vitet ‘95-‘96, ose e thënë ndryshe sot Gjykata e Lartë ushtron aktivitetin e saj mbi një bazë procedurale pothuajse të njëjtë me atë të Gjykatës së Kasacionit. 
Këto dhjetë vjet tregojnë se Gjykata e Lartë është marrë kryesisht me funksionin e saj rishikues, duke i dhënë përgjigje çdo rekursi ndaj vendimeve të formës së prerë të 6 gjykatave të Apelit të Republikës. Detyrimi për të marrë vendim ndaj çdo çështje që rekursohet, pavarësisht se vendimi jepet apo jo në prezencë të palëve, është një ngarkesë tejet e madhe për këtë gjykatë. Kjo është arsyeja kryesore që funksioni i saj unifikues ka mbetur disi në hije, çka e tregojnë statistikat zyrtare të saj. Për këto dhjetë vjet, mesatarisht në një vit, secili gjyqtar ka arsyetuar 0.4 vendime unifikuese në vit, ose me fjalë të tjera 5 gjyqtarë së bashku kanë arsyetuar 2 vendime unifikuese në një vit. Mendoj se niveli jo i kënaqshëm profesional i gjyqtarëve të shkallëve më të ulëta kërkon medoemos shumë më tepër vendime unifikuese nga Gjykata e Lartë, dhe kjo do të arrihet kur të ndërhyhet në Kodet e Procedurave, duke përcaktuar më mirë kompetencat e saj në sensin që jo detyrimisht Gjykata e Lartë të merret me çdo rekurs të paraqitur pranë saj.
Debati kushtetues, 10 vjet më parë, u fokusua edhe në një plan tjetër për gjyqësorin. A do të kemi vetëm Gjykatë të Lartë apo krahas saj edhe Gjykatë Kushtetuese. Ka patur për të dy variantet argumente pro dhe kundër. Nisur nga fakti që 6 vjet më parë Shqipëria kishte krijuar Gjykatën Kushtetuese, dhe se tendenca e gjithë vendeve ish-komuniste ishte krijimi i Gjykatave Kushtetuese, me sugjerim dhe insistim edhe të Komisionit të Venecias, u pranua ideja e ekzistencës njëkohësisht të dy gjykatave.
Ndërkohë, në gjykimin tim edhe në atë kohë, argumentet kundër dukeshin më të forta, dhe me pak fjalë ato përmblidheshin në këto drejtime: Së pari, ne jemi vend i vogël dhe duhet të qeverisemi me sa më pak shpenzime. Natyrisht një shteti do t’i duhet të bëjë shpenzimet e domosdoshme për të mbajtur institucionet e tij, por për ato që vërtet janë të domosdoshme. Së dyti, ngarkesa minimale e çështjeve që do të gjykonte kjo gjykatë. Së treti, funksionet e kontrollit kushtetues mund t’i kryejë më së miri Gjykata e Lartë, e cila teorikisht jep të njëjta garanci si dhe Gjykata Kushtetuese, sepse: a) anëtarët e gjykatës së Lartë kanë të njëjtat kritere emërimi si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese; b) procedura e emërimit është e njëjtë; c) garancitë e qëndrimit në detyrë janë të njëjta.
Tani mbas 10 vitesh, gjykoj se nuk e kanë pasur keq, se Shqipërisë i mjafton një gjykatë dhe se funksionet e kontrollit kushtetues mund t’i kryejë shumë mirë edhe Gjykata e Lartë. Argumentet, veç sa më sipër, plotësohen edhe me veprimtarinë praktike të kësaj gjykate. E kam fjalën jo për cilësinë e vendimeve të saj, por për punën efektive që ajo kryen. Statistikat tregojnë se në pesë vitet e fundit (2003-2007) Gjykata Kushtetuese ka përballuar mesatarisht një ngarkesë prej 39 çështjesh të gjykuara në vit, ose 4.3 çështje në vit për një gjyqtar, ngarkesë kjo që nuk mund të justifikohet me shpenzimet që përballon buxheti i shtetit (rreth 1 milion dollarë në vit) për këtë gjykatë. Veç kësaj, këto 10 vjet kanë treguar përplasje jo të vogla institucionale midis këtyre dy gjykatave në ushtrimin e kompetencave, duke pretenduar secila mbivendosje në kompetencat e njëra-tjetrës. Vetëm gjatë vitit 2007, nga 42 çështje të gjykuara nga Gjykata Kushtetuese, 29 prej tyre i përkasin kërkesave për pretendime për proces të rregullt ligjor, çka do të thotë se 70% e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese i përkasin rishikimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë, duke u kthyer kështu de facto në gjykatë e shkallës së katërt. Kujtojmë që Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut i njeh individit të drejtën vetëm të një apeli. Sot në Evropë do të gjesh shtete të vogla, siç jemi ne, që nuk kanë Gjykatë Kushtetuese, si p.sh. Zvicra, Danimarka, Belgjika, Estonia, Lituania etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›