Vartësit,dëshmi kundër Bashës
TIRANE – Ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve që janë marrë në pyetje në Prokurori në cilësinë e dëshmitarëve për procedurat e ndjekura me rrugën Durrës-Kukës, kanë dhënë deklarime që në fakt, sipas Prokurorisë, kanë rënduar pozitën e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Ish-drejtoresha e Rrugëve, Lejla Saraçi, e cila është marrë në pyetje që në kohën kur dosja ndodhej në Prokurorinë e Tiranës, ka mohuar gjithçka duke thënë se urdhrat dhe projektvendimet që i hapën rrugë prokurimit, tenderimit dhe financimit të aksit Rrëshen-Kalimash, janë propozuar nga Ministria e Transporteve. Po kështu edhe një anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, i cili ka dhënë dorëheqjen ditën kur komisioni ishte mbledhur për të marrë vendim, është shprehur se ka paraqitur dorëheqjen tek ish-ministri Basha, i cili e ka pranuar atë, por edhe pse ishte vënë në dijeni për këtë fakt ka lejuar, madje ka urdhëruar që komisioni ndërkombëtar me një anëtar shqiptar në mungesë, të merrte vendim.