E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: G99 kthehet në parti, po do funksionojë si OJQ



Lëvizja sociale G99 e drejtuar nga Erion Veliaj i është bindur rregullave të Kodit të ri Zgjedhor, duke u kthyer në një parti politike, për të mundësuar hyrjen në zgjedhje. Por ku ndryshimi i statusit sipas drejtuesit të saj nuk do të sjellë asnjë ndryshim në organizimin dhe funksionimin e kësaj lëvizjeje. “Nga dita e sotme ka disa gjëra që do ndryshojnë dhe disa të tjera që nuk do ndryshojnë! Ajo që do ndryshojë, është statura jonë para ligjit, pasi ne jemi një grupim që e zbatojmë ligjin, që respektojmë autoritetet, një grupim që i marrim kartat e identitetit, që i paguajmë taksat, e kësisoj s’kish si të shkonte ndryshe: do duhet ta bënim këtë ndryshim e t’i jepnim kohë drejtësisë që të regjistrohet statut i ri”, - tha Veliaj para mbështetësve të partisë së tij të mbledhur dje për këtë shkak. Por ai bëri të qartë se fakti që G99 u bë parti, nuk do të prekë organizimin dhe sjelljen e saj të deritanishme. Veliaj tha se “nuk do ndryshojmë asgjë në mënyrën si ne organizohemi, pasi në këtë aspekt jemi krenarë që kemi sjellë shumë gjëra të reja, s’do ndryshojë asgjë në mënyrën vullnetare se si ne grupohemi, ku secili paguan kuotën e vet dhe është aksioner i kësaj ndërmarrjeje, e cila nuk është një ndërmarrje politike private, si shumë të tjera sot në Shqipëri. E kur them aksionerë, nuk e kam fjalën vetëm për kuotat, por them aksionerë edhe të votave”. Duke ditur pikëpyetjet që qëndrojnë në vendimet e marra nga G99 dhe vetë Veliaj, i cili fillimisht u njoh si përfaqësues i shoqërisë civile, ai vetë ka tentuar të sqarojë disa gjëra lidhur me këtë. “Shumë njerëz, me të drejtë thonë: ishit shumë mirë si pjesë e shoqërisë civile! Pse u futët në politikë?! Unë them se politika nuk ndryshon, nëse ne të gjithë heqim dorë prej saj e një pakicë vazhdon të rrijë ashtu siç ka bërë këto 18 vjet. Unë mendoj, dhe besoj edhe ju jeni dakord, se politika ndryshon vetëm nëse ne të gjithë bashkë bëhemi pjesë e saj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›