Gjinushi: Meta të ndajë mendjen, pozicionim majtas apo djathtas
LSI-ja duhet të ndajë mendjen nëse do të pozicionohet majtas apo djathtas. Me këtë kërkesë publike i është drejtuar dje kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, ish-kryeministrit Meta. Sipas tij ka një perceptim të gabuar, sikur është çarë koalicioni i majtë me shkëputjen e LSI-së. "Pyetja ka qenë gjithmonë: a është bashkuar ndonjëherë sinqerisht dhe realisht LSI-ja me të majtën", tha Gjinushi. Ai konstatoi se kjo parti nuk ka qenë me të majtën as në zgjedhjet e ‘05, as pas zgjedhjeve të ‘05 dhe me shumë sforco dhe vetëm për arsye pragmatiste u bashkua në zgjedhjet lokale. "Edhe për zgjedhjen e Presidentit, qëndrimet e saj nuk kanë qenë të tilla, siç kishte marrë vendim bashkimi i majtë, sepse LSI-ja ishte nga ato parti që bërtiste që në asnjë mënyrë nuk duhej kaluar në zgjedhje të parakohshme, sepse destabilizohej qeverisja e Berishës, pra vendi sipas tyre", u shpreh Gjinushi. Në vlerësimin e kreut socialdemokrat nuk është ndonjë gjë e re që LSI-ja shpesh deklarohet jashtë së majtës, pastaj kthehet prapë në të majtë, e me radhë. "Pyetja është, a do të mbledhë mendjen LSI-ja një ditë për të qenë majtas apo jo, e nuk është pyetja a është çarë apo jo e majta", theksoi Gjinushi. Bashkimi i majtë, shtoi ai, për pasojë ka mbetur dhe është në fund të fundit bashkimi PS-PSD, sepse janë dy parti të internacionales socialiste, që kanë një program të majtë dhe të tjerat janë fraksione të tyre, të cilat kanë ardhur si rezultat edhe i përplasjeve që ka pasur brenda PS-së, apo reflektimi i kësaj përplasjeje tek PSD-ja. "Me largimin e Nanos, me daljen e së majtës në opozitë, ne vlerësojmë se kanë rënë shkaqet për të qenë të ndarë, sepse ndarja ka pasur në bazë kontradikta për mënyrën e qeverisjes, ku shpesh gjërat parimore, pra defektet dhe problemet reale përmendeshin më shumë për interesa personale, sesa për korrigjim të tyre", këmbënguli Gjinushi. Sa i takon reformës zgjedhore, ai tha se disa specifika duhen sanksionuar, p.sh. që rajoni duhet të jetë në nivel qarku, sepse ndryshe loja me qarqet kthehet në një lojë për të përcaktuar rezultatin zgjedhor. "Nuk vlerësoj dhe nuk mendoj që nëse komisioni mund të anashkalohet pa ‘pyetur‘, atëherë Kuvendi nuk anashkalohet dot dhe 94 votat për të ndryshuar Kushtetutën. Palca e reformës duhet të jetë sa më konsensuale, pra këto 2 parime nuk shkelen dot në çdo rast", këmbënguli Gjinushi.