E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadare paditet për shpifje

Pedagogu i shkencave politike Hysamedin Feraj padit shkrimtarin për "shpifje". Çështja është Skënderbeu. Feraj: Kadare më përmend për një fakt që unë nuk e kam thënë kurrë. Burime pranë shkrimtarit: "Nuk ka asnjë shpifje kundrejt Hysamedin Ferajt."


Ismail Kadare paditet në Gjykatën e Faktit të Tiranës nga pedagogu i shkencave politike dhe sociale Hysamedin Feraj. Objekt i padisë është "shpifja". Paditësi i tha dje "Shekullit" se në shkrimin publicistik të datës 28 dhjetor 2008 i botuar në një të përditshme shqiptare, me titullin "Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Skënderbeut", me autor Ismail Kadarenë dhe nëntitull "Përbaltja, rrënim për kombin tonë", "ai vë në gojën time një pohim që nuk e kam thënë kurrë."
Artikulli në fjalë, në të vërtetë është parathënia që Kadare ka shkruar për të prezantuar për herë të parë botimin "Foleja kombëtare" e vetmja dramë e Mithat Frashërit. Emri i Ferajt përmendet në këtë paragraf në bazë të të cilit ai ka ngritur edhe padinë: "...Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t'u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit. Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t'i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë. Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se "antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve". Emri i këtij rimohuesi është H. Ferraj dhe sa ç'është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky, e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë!".
Si në gjithë debatin e këtyre muajve që pati shkas botimin në shqipe të historisë së Skënderbeut shkruar nga Oliver Schmitt, Kadare edhe këtu ka mbajtur po një qëndrim ndaj të quajturit sulm kundër vizionarit të madh, princit Skënderbe.
"Unë nuk mund ta ndaloj të shprehë mendimet e tij, opinione që nuk më shqetësojnë, por nuk mund të thotë fakte që nuk qëndrojnë, fjali që unë nuk i kam thënë. Më shumë se kaq tani për tani nuk mund të them. Çështja është në gjykatë", tha dr. Feraj, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, autor i librave "Skicë e mendimit politik shqiptar", "Pamundësia e kozmopolitizmit shqiptar nën shembullin Nano-Berisha". Nga ana tjetër nuk mohoi se ai vetë e ka përmendur më shpesh Kadarenë në shkrimet e tij lidhur me temën e mitit të Skënderbeut, të erës otomane dhe të çështjeve të interpretimit të tyre në ditët sot.
Ndërkaq burime pranë shkrimtarit pohuan dje se "nuk ka asnjë shpifje kundrejt Hysamedin Ferajt. Paragrafi ku pretendon se bërë shpifje ndaj tij, është marrë nga një libër i Pirro Mishës."
Gjykata e Tiranës sipas shortit që ka hedhur dje ia ka ngarkuar këtë çështje gjyqtarit Ilir Çeliku.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›