E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 31-vjeçari, dhunoi policët

Julijan Jace është konfrontuar me grupin e policisë që ishte nisur për të kryer shoqërimin e vëllait të tij, Tomorrit


GIROKASTËR- Një 31-vjeçar nga Përmeti është arrestuar pasi ka dhunuar dhe fyer disa punonjës policie. I arrestuari është Julijan Jace nga fshati Stërmbec i Përmetit.

Një konflikt fizik mes tij dhe policëve të cilët kishin ardhur për të shoqëruar të vëllanë e tij Tomorr Jacen, është bërë shkas që atij t'i hidhen prangat ndërsa i vëllai të shpëtonte si pasojë e grindjes mes dy palëve duke ikur në drejtim të paditur.

Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje kanë mbërritur forca të tjera të policisë të cilët kanë kryer shoqërimin për në Komisariatin e Përmetit të 31-vjeçarit Julian Jaçe dhe më pas arrestimin e tij në flagrancë për veprat penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë dhe fyerje për shkak të detyrës.

Sipas burimeve zyrtare, i vëllai i Julijanit, Tomorr Jace, do të shoqërohej në polici pasi një ditë më parë rreth orës 15.00, ka debatuar me një bashkëfshatar i cili po qarkullonte me motoçikletë ku më pas e ka kërcënuar me jetë madje për ta kryer atë që pati deklaruar.

Tomorr Jace e ka ndjekur nga mbrapa me makinën e tij për ta vënë nën rrota. Pas një pune kërkimore intensive, policia ka arritur të kapë dhe më pas të shoqërojë në Komisariatin e Policisë Tomorr Jacen i cili gjendej i fshehur në pyll mbi fshat. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Tomorr Jace është lënë i lirë dhe ndiqet në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale të kanosjes.

-----------------------------------------------------------

Sarandë, fluks emigrantësh për pashkët


SARANDË- Pashkët ortodokse duket se kanë kthyer jetën dhe gjallërinë në qytetin e Sarandës. Kjo pasi një numër shumë i madhe emigrantësh është kthyer në banesat e tyre për këtë fundjave. Krerët e policisë lokale pohuan se parashikohet që të kthehen në shtëpitë e tyre rreth dhjetë mijë vetë.

Gjatë javës që po mbyllet, në pikat e Kalimit të Kufirit, me gjithë dyndjet e ardhjes për pashkët, nga burimet policore bëhet e ditur se nuk ka pasur asnjë ngjarje incident. Saranda, për vetë vijën kufitare që disponon, ka tre pika kalimi në kufirin tokësor dhe një Pikë Kalimi - doganë në Kufirin detar.

Në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, ditët e fundit, situata ka qenë e ngarkuar, por pa ngecje dhe ndalesa. Në Pikën e Kontrollit kufitar të Portit Detar , gjatë gjithë javës kanë punuar deri në katër sportele me personel të kompletuar që ka zvogëluar kohën e përpunimit të dokumenteve.

Gjallëria dhe lëvizjet e shtuara në Sarandë u panë edhe në ceremonitë e organizuara në mjediset e Kishës së Shën Harallabit në qendër të qytetit, që në kremtimin e të Premtes së Zezë, ose të Premtes së Shenjtë, ku numri i besimtareve të të gjitha besimeve, arriti në një pjesëmarrje të rrallë.

Ndërsa të shtunën lokalet, rrugët dhe vendet ku organizohen ritualet për pashke janë plot, si rrallë ndonjë vit tjetër.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›