Kartat e identitetit, qeveria parapaguan kuponët
TIRANË- Qeveria ndryshon mënyrën e kompensimit të vlerës së kartave të identitetit për kategoritë e përfshira në skemën e subvencionimit. Në qoftë se deri tani, shtresat e cilësuara në nevojë paguanin shumën e plotë të kuponit dhe më pas ajo u subvencionohej në mënyra të ndryshme, sipas Vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria, me të ardhurat nga fondi rezervë, do të parapaguajë vlerën e kuponëve. Parapagimi me fondet e buxhetit do të bëhet para se personat e përfshirë në këtë skemë të shkojnë për të bërë aplikimin. Nga subvencionimi përfitojnë pensionistët, studentët, personat me aftësi të kufizuara, familjet në nevojë, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, anëtar të komunitetit rom e egjiptian, etj. E gjithë kjo procedurë do të zgjasë deri në datën 20 qershor dhe pritet që të ketë një kosto financiare prej 5 milionë dollarësh.
Procedura
Referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, shpjegoi dje gjatë një konference për shtyp, hapat që do të ndiqen. Ai, gjithashtu, bëri të ditur se, pagesa e kompensimit është e vlefshme vetëm për aplikimet deri më datë 20 qershor 2009. "Pagesa e kompensimit bëhet për aplikimet e kryera deri në 20 qershor 2009, apo për letërnjoftimet e marra deri më 20 qershor 2009. Për aplikimet e bëra pas 20 qershorit të 2009-ës, kompensimi është i pavlefshëm dhe çdo pagesë e marrë për këtë qëllim është e paligjshme", - tha ai. Për kompensimin e pensionistëve, të cilët përbëjnë shumicën e të subvencionuarve, parashikohet dhënia e shumës së bashku me pagesën e pensionit, duke filluar nga data 1 maj 2009. Në lidhje me studentët e universiteteve publike, fakultetet do të blejnë paraprakisht kuponët, për të pajisur me to, ata studentë që nuk e kanë kryer ende aplikimin. Në rastin konkret, këta të fundit do të paguajnë diferencën, ndërmjet çmimit të kuponit dhe masës së njohur për kompensimin e tyre. Ndërsa ata që e kanë bërë më parë aplikimin, do t'u bëhet kompensimi pasi të kenë dorëzuar kopjen e formularit të aplikimit ose kopjen e kartës. Pothuajse e njëjta praktikë do të ndiqet edhe për ata që për herë të parë votojnë këtë vit dhe janë ende në gjimnaz, kuponët do të blihen nga drejtoritë arsimore të rretheve, ndërsa këtyre të fundit do t'ju duhet të paguajnë diferencën midis shumës së përcaktuar për t'u kompensuar dhe vlerës së kuponit. Ndërsa ata që votojnë për herë të parë më datë 28 qershor, por që nuk janë në marrëdhënie me shkollën, kjo procedurë do të kryhet në zyrat e pushtetit lokal. Ata, të cilët përfitojnë pagesë papunësie, duhet të paraqiten në zyrat e punës në rrethe për t'u pajisur me kuponët përkatës ku duhet të paguajnë diferencën, ndërmjet çmimit të kuponit dhe masës së njohur të kompensimit. Ndërsa ata që vuajnë dënimin në burgje apo që janë në paraburgim, të cilëve u njihet kompensim i plotë, kuponët do t'u blihen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Zëvendësministri Shehu, saktësoi se, ata të cilët përfshihen në grupet e parashikuara për kompensim të plotë apo të pjesshëm, por që e kanë marrë kuponin duke paguar 1200 lekë, për të përfituar kompensimin e përcaktuar, duhet që të paraqesin pranë zyrave përkatëse, kopjen e formularit të aplikimit ose të kartës së identitetit që kanë marrë.