Shqipëria tani leje edhe burrave pas lindjes së grave
Drejtoria e Politikave të Shanseve të barabarta në Ministrinë e punës çështjeve sociale dhe shanseve të barabarta inicion futjen për herë të parë në legjislacionin shqiptar të lejes prindërore apo lejes së paslindjes edhe për babain. Sanksionimi në ligj i të drejtës prindërore është një domosdoshmëri, në kuadër të rishikimit të legjislacionit shqiptar nga pikëpamja e barazisë gjinore. Ky është një detyrim direkt i Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje 2007 – 2010, miratuar me VKM Nr. 913 datë 19.12.2007, si dhe i rekomandimeve të dhëna në kuadrin e zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, dhe veçanërisht në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Drejtoria e Politikave te Shanseve te Barabarta, institucioni përgjegjës i ngarkuar nga ligji për implementimin e Strategjisë së mësipërme është në procesin e draftimit të mendimeve të domosdoshme të legjislacionit të sigurimeve shoqërore në disa drejtime, të cilat prekin aktualisht trajtimin e barabartë që në ligj të burrave dhe grave. Një element shumë i rëndësishëm dhe i panjohur për shoqërinë shqiptare është pikërisht “ leja Prindërore”, që do të thotë se të dy prindërit, edhe nëna edhe babai kanë të drejtë të barabartë të përfitojnë lejen e paslindjes së fëmijës. Në varësi të kushteve dhe situatës së tyre familjare, të mundësive për tu integruar në tregun e punës etj, ata mund të zgjedhin që kujdesin për fëmijën e porsalindur ta ofrojë babai ose nëna. Gjithashtu të dy prindërit mund të alternojnë periudhat e lejes së paslindjes së fëmijës ndërmjet tyre. Një e drejtë e tillë aq sa është e panjohur në legjislacionin dhe shoqërinë shqiptare , është e konsoliduar prej vitesh në pjesën më të madhe të vendeve europiane dhe të rajonit. Ndërkohë që në legjislacionin shqiptar elementët e parë të përfitimit të një lejeje për lindje fëmije nga baballarët i gjejmë në VKM Nr. 511 dt. 24.10.2002 “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore” ku parashikohet që nëpunësi civil apo punonjësi (bëhet fjalë për administratën shtetërore) ka të drejtën e pushimit të paguar midis të tjerave - Lindjen e fëmijëve për baballarët 3 ditë. Legjislacioni aktual i sigurimeve shoqërore në këtë drejtim, duke i dhënë mundësi për lejen e paslindjes vetëm nënës, diskriminon në këtë mënyrë që në ligj pozitivisht apo negativisht të dyja gjinitë.
9 Maj 2008