Kafeja, pasioni per perlen e zeze
Një kafe. Momenti i përshtatshëm? Në çdo moment të ditës: në mëngjes, drekë e mbasdite nën shoqërinë e miqve apo personave të tjerë që duam t’i njohim më mirë. Çdo çast i ditës duket i përshtatshëm për të shijuar pijen me aromën më tunduese që të fton ta shijosh për minuta të tëra, minuta që marrin vlerën e përjetësisë. Ndërsa një dekadë më parë kafeja konsumohej për të marrë thjesht një kënaqësi të momentit dhe nevojë për t’u gjallëruar, sot ajo është kthyer në një ritual dhe simbol të shoqërisë për të përjetuar çastet më të rëndësishme si bisedat e punës apo problemet familjare me orë të tëra të kaluara nën shoqërinë e njerëzve që na rrethojnë dhe kafe që përsëriten çdo tri ose katër orë. Për shumë njerëz, kjo është një mënyrë e veçantë për të thyer monotoninë e një dite të lodhshme pune apo për një çast relaksi dhe qetësie në këto ditë të zhurmshme. Por kafeja, veçanërisht tek ne, konsiderohet si një ftesë për të flirtuar me dikë. Shpesh herë, ftesa për të pirë një kafe bashkë merret si një ftesë për një takim romantik, midis dy adoleshentësh, dy të rinjsh apo njerëz me moshë më të thyer. Nuk ka rëndësi mosha, kafeja pihet dhe pëlqehet nga të gjithë. Të gjithë e pranojnë një ftesë për kafe, nuk ka rëndësi arsyeja e ftesës pasi kafeja konsumohet jo vetëm mes miqsh, shokësh, të dashuruarish, por edhe në një takim biznesi.
Sa kafe duhet të konsumojmë
Por sa filxhanë kafeje këshillohet të konsumohen në ditë? Konsumimi i rregullt i kafesë zvogëlon rrezikun e sëmundjeve në tru. Sipas studimeve, duhen 45 minuta që kafeina që përmban kafeja të arrijë në gjak, por reagimi në fakt ka rezultuar vetëm pas pak minutash. Për rreth 20 vjet, shkencëtarët kanë grumbulluar dhe analizuar të dhënat për gjendjen shëndetësore dhe shprehitë ushqyese të personave të ndryshëm përgjithësisht efektin që ka kafeja te femrat. Rezultatet kanë treguar se femrat që brenda ditës pinë katër ose më shumë filxhanë kafe, janë 20 për qind më pak të rrezikuara të preken nga sëmundjet në tru në krahasim me femrat që pinë vetëm një filxhan kafe në muaj. Veprimi pozitiv i kafesë është vërejtur te femrat që nuk pinin duhan. Një tjetër studim ka arritur në përfundimin se një filxhan kafe ka më shumë efekt te meshkujt sesa te femrat. Ndikimi që ushtron kafeja ekspres ndihet pas 10 minutash te gjinia mashkullore, ndërsa te gjinia tjetër stimulimi vjen më ngadalë. Studiuesit kanë bërë të ditur se efekti mund të jetë edhe psikologjik. Një grup prej 660 personash kanë pirë kafe klasike ekspres që përmbante 100 mg kafeinë dhe një tjetër 5 mg. Të dyja gjinitë në rastin e parë patën përmirësim të aktivitetit pas 10 minutash. Por kafeja nuk ka vetëm efekte pozitive. Personat që konsumojnë më shumë se shtatë filxhanë kafe në ditë janë tri herë më të rrezikuar të kenë halucinacione, krahasuar me personat që konsumojnë vetëm një filxhan. Mësohet se personat që konsumojnë shumë kafe apo pije të tjera që përmbajnë kafeinë janë të prirur për të zhvilluar forma të ndryshme të halucinacioneve. Në këto raste, personat mund të dëgjojnë zëra (halucinacione auditive) ose të shohin diçka që nuk ekziston (halucinacione vizive). Kur është i stresuar, trupi prodhon një hormon të quajtur kortisol, që haset në sasi të mëdha pas konsumimit të kafesë. Produkte të tjera që përmbajnë kafeinë janë: çaji, pijet energjike dhe çokollata.
Përzierja dhe pjekja
Përzierja e kafesë është çështje preferencash personale. Konsumatorët në vende të ndryshme kanë preferenca të ndryshme për pirjen e kafesë dhe zgjedhjes së këtij produkti. Kafeja preferohet me raste e fortë ose më e lehtë e përzier me qumësht. Specialistët e kafesë kanë bërë studime për shijet e ndryshme në vende të ndryshme. Për të përftuar një shije të mirë në mjaft raste përzihen varietete të ndryshme së bashku. Si rregull, janë të domosdoshme katër varietete për t’u përzier dhe kombinuar kur kokrrat janë të papjekura. Më pas pjekja bashkon të gjitha aromat për të sjellë një të vetme. Shija dhe aroma karakteristike e kafesë përhapet gjatë procesit të pjekjes, pasi të gjitha këto vlera janë të mbyllura në kokrrën jeshile dhe dalin vetëm kur ajo piqet. Pjekja e duhur konsiderohet një art më vete dhe kjo varet nga nxehtësia dhe kushtet atmosferike në të cilat është prodhuar kafeja.
Historia e kafesë
Kafeja ka qenë e njohur në Lindjen e Mesme shumë kohë para erës sonë. Rhazes, një doktor arab (afërsisht në vitin 900 para Krishtit), e përmend kafenë në një nga shkrimet e tij. Një histori bën fjalë për një bari arab të quajtur Kaldi, i cili jetonte në Etiopi. Ai vuri re se pasi delet hëngrën kokrra të kuqe nga një pemë ishin më energjike deri në mbrëmje vonë. Ai i provoi ato kokrra edhe vetë të nesërmen dhe pati të njëjtin efekt si delet. Historinë me delet dhe kokrrat e kuqe bariu ua tregoi disa murgjve të një manastiri, të cilët ia dëgjuan fjalën dhe pinë kafe për të ndenjur zgjuar gjatë natës dhe për t’u lutur. Kjo legjendë gjithshtu flet gjithashtu për idenë e murgjve për t’i pjekur këto kokrra dhe me pluhurin më pas të përgatisnin një pije që çuditërisht kishte shije më të mirë se kokrrat e papjekura. Kokrrat e kafesë dhe pija e bërë prej tyre u bë më pas simbol i stimulantëve më luksozë.
Gjithçka që duhet të dimë për kafenë
- Përafërisht 20 milionë njerëz punojnë në industrinë e kafesë në të gjithë botën.
- Është aktiviteti i dytë më komod tregtar pas vajit.
- Brazili është vendi me prodhimin më të madh të kafesë.
- Vlera e llogaritur e eksportit të kafesë së papjekur arrin në 10 billionë dollarë.
- Ekzistojnë më shumë se 60 lloje varietetesh të kafesë.
- Vetëm dy varietete kafeje cilësore janë më ekonomike se të tjerat: Arabika dhe Robusta.
- Kafeja e zezë (pa sheqer dhe qumësht) nuk përmban kalori (më pak se 1 Kcal.)
- Kafeja e zezë preferohet dhe konsumohet më tepër në Europën Jugore.
- Një pemë kafeje mund të prodhojë deri në 1 kilogram kafe në vit.
- Gjatë pjekjes, kokrrat e kafesë thahen dhe sheqeri brenda saj fillon të karamelizohet.
- Cilësia e një filxhani kafeje nuk varet vetëm nga përzierja dhe pjekja, por edhe nga sasia e ujit dhe e kafesë që kemi përdorur.
- Kafeja rritet vetëm në vendet tropikale dhe subtropikale.
- Vendi nga ka ardhur kafeja janë malet Abysinian.
4 Prill 2009