“Volkswagen Tiguan” shpallet automjeti i vitit
Automjeti i vitit është shpallur “Volkswagen Tiguan” për cilësitë dhe karakteristikat specifike të një automjeti vërtet modern. Lexuesit e revistës “AutoBild Allrad” e kanë nderuar Tiguanin si automjetin më të mirë. Plasmani i jashtëzakonshëm i tij shihet edhe nga statistika e numrit të automjeteve të regjistruara në Gjermani, e cila vërteton se “Volkswagen Tiguan” për disa muaj rresht është më i bindshmi në këtë segment të automjeteve të terrenit. Tiguan ka fituar shpërblimin në kategorinë e “Automjeteve sportive dhe të terrenit deri në 40 000 euro”, i cili është dhënë në Lepzig në panairin e automjeteve (AMI), ku deri më 5 prill Volkswagen do të ketë premierën e Golf GTD dhe premierën gjermane të modelit të ri “Polo”. Ky model ngjason tepër me modelet e njohura “Toyota” (TM) “Rav4”, “Honda” (HMC), CR-V, “Ford” (F) “Escape” dhe “Nissan Rogue”.
Tiguan është i përbërë nga një kabinë luksoze që ngjason me modelin “GTI”. E keqja e vetme e tij konsiderohet çmimi 23 950 dollarë, me marsh manual dhe 25 050 dollarë me marsh automatik. “Është nder për gjithë punonjësit e kompanisë sonë të fitojmë çmimin si automjeti i vitit, pasi kjo tregon se prodhimet tona po rrisin cilësinë dhe sigurinë. Ky është kriteri për të cilin po përpiqen tashmë klientët tanë”, - është shprehur Stefan Jakobi, presidenti Volkswagen-it në Amerikë.
“Porsche Carrera GT3”, magjia në Gjenevë
Në kuadër të grupit të automjeteve gjermane të promovuara në Gjenevë, ka rënë në sy versioni gjysmësportiv i “Porsche Carrera GT3”, i cili përmbush kërkesat e dashamirësve të motorëve klasikë me benzinë. Prodhuesit e Porsch, pa dyshim që dinë të sjellin një automjet të cilin do ta “shijojë” çdo i pasionuar pas shpejtësisë. Motori 3.8 litërsh me gjashtë cilindra, zhvillon 430 KF, pa ndihmën e mbushësit turbo, që do të thotë se ka 20 KF më shumë se versioni i mëparshëm. Performancat e “Porsche Carrera GT3” janë të mjaftueshme për të kënaqur secilin entuziast: shpejtësinë prej 100 km/h e arrin për 4.1 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale e arritshme është 312 km/h.
Anulohet dalja në treg e “Fiesta RS”
Për shkak të krizës financiare botërore, shumë automjete të planifikuara nuk do të paraqiten, e në mesin e tyre gjendet edhe “Ford Fiesta RS”. Versioni sportiv i Fiesta-s, me shenjën shtesë RS, duhet të niste shitjen vitin e ardhshëm, por sipas informacioneve të fundit, kjo nuk do të ndodhë. Në fakt duket se gjithë projekti është ndryshuar, prandaj automjetet “Renault Clio RS” dhe “Opel Corsa OPC” do të mund të shijojnë avantazhet e tregut pa konkurrentë të fortë. “Ford Fiesta RS” është e përbërë nga një motor 1.6 litërsh me rreth 200 kuaj fuqi, që do të ofrojë performancë më shumë se modeste. Ata që kanë qenë të interesuar për këtë automjet sportiv, u mbetet të presin kohë më të mira.
4 Prill 2009