Kafu: Jo aq e lehtë sa duket
03/05/2005 Për Milanin ka filluar java vendimtare, që do të vendosë me shumë mundësi fituesin e titullin në Serinë A dhe Markos Kafu shfaqet si gjithmonë i qeshur para gazetarëve, duke shprehur gjithë entuziazmin e tij për këtë situatë. “Skuadra është mirë, ose më saktë shumë mirë, duke parë që jemi të parët në kampionat dhe jemi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve”, deklaron mbrojtësi brazilian, i cili shprehet i pakënaqur për faktin që ndeshja me Juventusin do të luhet pasdite: “Për ne është më keq nëse luajmë pasdite, sepse është shumë nxehtë”. Megjithatë, në radhë të parë vjen gjysmëfinalja e Ligës së Kampioneve, kundër PSV Eindhovenit, nesër në mbrëmje. Pavarësisht fitores 2:0, në ndeshjen e parë, Kafu tregohet i matur: Do të jetë më e vështirë se sa mund të mendohet, sepse holandezët zhvilluan një ndeshje të madhe edhe në ‘San Siro’. Ne arritëm të merrnim një rezultat shumë të mirë, shpresojmë të përsërisim ndeshjen e parë dhe të kualifikohemi. Çfarë kam frikë? PSV- ja ka një mesfushë të shkëlqyer, që e përdor mjaft mirë topin. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm, sepse avantazhi që kemi nuk është shumë i madh”. Kafu nuk dëshiron të komentojë polemikat që kanë rrethuar Juventusin, javët e fundit dhe mendon vetëm për atë që ndodh në fushë: “Nuk jam shumë mirë fizikisht, por po punoj rregullisht. E di shumë mirë që kemi një përgjegjësi shumë të madhe në këtë moment, sepse do të luajmë brenda 4 ditësh, dy ndeshje vendimtare për sezonin tonë, por nëse fitojmë do të jetë e mrekullueshme. Sekreti im? Dëshira për fitore dhe fakti që jemi afër diçkaje shumë të madhe. Unë kërkoj vetëm të stërvitem mirë dhe të pushoj aq sa duhet, sepse ndihem akoma i ri brenda meje dhe dua të luaj edhe Botërorin 2006”, përfundon mbrojtësi i Milanit.