E Hënë, 2 Nëntor 2026

Murinjo: Asgjë nuk na ndal

03/05/2005  Trajneri portugez pwrswri vazhdon t’iu japë kurajo lojtarëve të tij, prej të cilëve kërkon edhe Ligën e Kampioneve

Trajneri i Çelsit, Hoze Murinjo, si gjithmonë vazhdon të lehtësojë presionin e madh që bie mbi skuadrën e tij, në prag të supersfidës me Liverpulin, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Kështu, ai është shprehur se lojtarët e tij do të kthehen në Londër si heronj, edhe nëse nuk do t’ia dalin dot që të triumfojnë kundër skuadrës së Rafael Benitez. “Unë mendoj se presioni më i madh bie mbi Liverpulin- ka komentuar Murinjo. -Këtë e them me bindjen time të plotë. Ne sidoqoftë do të kthehemi në Londër, si heronj të vërtetë, pavarësisht nga rezultati që do të marrim në takimin e sotëm. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se ne jemi shpallur kampionët e Anglisë. Madje, nëse Liverpuli humbet, atëherë do të jenë ata, të cilët do të mbeten duarbosh edhe për këtë sezon”. Ndeshja e parë, zhvilluar në Londër ka përfunduar në barazim pa gola, ku loja e bluve nuk ka qenë në nivelet më të mira. Megjithatë, vetë fakti i fitimit të titullit kampion në Premier Ligë, duket se do të rrisë së tepërmi moralin në radhët e bluve, në prag të përballjes me Liverpulin. “Unë mendoj se për ne do të jetë shumë e thjeshtë që të përqëndrohemi në këtë ndeshje- ka shtuar Murinjo. Ndoshta mund të quhet mënyra më e mirë për të harruar paksa momentin e suksesit në Premir Ligë. Duhet të kemi kujdes, sepse tani ne sapo kemi fituar një emër të madh në botën e futbollit. Grupi i lojtarëve të mi meriton të festojë titullin kampion në një tjetër mënyrë. Gëzimi ynë ka qenë i pamjaftueshëm dhe prandaj ne duhet t’i shtojmë diçka, akoma më speciale. Nuk i kemi falur vetes asnjë farë festimi të denjë, për një sukses kaq të madh. Ne thjesht iu jemi rikthyer përgatitjeve tona për sfidën me Liverpulin. Tani për tani nuk mund të mendojmë për të pushuar, sepse një përballje kaq të rëndësishme nuk do ta lëmë të na shpëtojë nga duart. Të gjithë lojtarët e mi duan të marrin pjesë në këtë ndeshje. Ata kanë futur në xhepat e tyre, Kupën Karling, titullin kampion, por nuk mund të jenë të kënaqur, ndërkohë që do të luajnë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›