Maldini: Të lodhur, por optimistë
03/05/2005 Pas fitores së vështirë në Firence, skuadra kuqezi ka filluar të mendojë për sfidën e rëndësishme kundër PSV Eindhovenit. Kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, përmbledh situatën në prag të ndeshjes së nesërme: “Në Firence vuajtëm shumë, jo vetëm për faktin se Fiorentina zhvilloi një ndeshje të madhe. Është e vërtetë që jemi pak të lodhur, edhe nga ana psikologjike, sepse nuk mund të përballohet lehtë një sezon kaq i ngarkuar, por jemi të vetëdijshëm se na duhet edhe një sforcim i vogël për të mbyllur në mënyrë madhështore një sezon spektakolar”. Kapiteni kuqezi analizon edhe gjysmëfinalen e nesërme: “Nuk do të jetë e lehtë, përkundrazi, sepse kemi parë disa ndeshje të holandezëve në shtëpi dhe janë me të vërtetë të frikshëm. Kanë një tifozeri shumë të zjarrtë dhe përpiqen të mos i lënë kohë kundërshtarit të mendojë. Edhe në ndeshjen e parë treguan cilësi të jashtëzakonshme, ndaj do të na duhet të bëjmë shumë kujdes. Për fat të mirë, nuk kemi mungesa në këtë moment dhe mund ta përballojmë finalen e sezonit të plotë dhe me shumë alternativa për trajnerin”. Në mbyllje, Maldini rezervon edhe një batutë për superndeshjen e së dielës me Juventusin: “Në radhë të parë duhet të kualifikohemi në finalen e Ligës së Kampioneve, pastaj do të japim gjithçka kundër Juventusit. Tashmë varet gjithçka nga ne, sepse nëse fitojmë me Juven, jemi shumë afër titullit”.