E Diel, 1 Nëntor 2026

Kah po lëvizin marrëdhëniet SHBA-Rusi?

Vladimir Putin ishte në favor të planit të Barack Obamës për rikonfigurimin mbrojtjes raketore para se ta kundërshtonte atë.

Kur presidenti i ri amerikan kumtoi në shtator se ai ka hequr dorë nga planet për të vendosur elemente të mburojës raketore në Poloni dhe Çeki, në favor të qasjes së re për t’u mbështetur në bazat mobile detare raketore në Europën Jugore, kryeministri i Rusisë e cilësoi këtë si një hap “korrekt dhe të guximshëm” të kryetarit amerikan.

Por vetëm disa muaj më vonë, Putini krijoi huti në Washington, pasi që ndryshoi befas kursin në dhjetor dhe kritikoi qasjen e re të Obamës, duke theksuar se ajo po e prish baraspeshën e forcave në Europë dhe se po e detyron Rusinë që të zhvillojë armë të reja ofensive.

Kjo lëvizje para dhe prapa ka karakterizuar marrëdhëniet e Rusisë me SHBA-në, që nga momenti kur zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, kumtoi vitin e kaluar gjatë Konferencës për siguri në Munih, se ka ardhur koha për rifreskimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së.

Kjo deklaratë shpresëdhënëse, e bërë para një viti, u shoqërua nga prezantimi gazmor i një pulle me ngjyrë të kuqe, nga ana e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pullë e cila duhej të simbolizonte rifreskimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Më vonë pati edhe disa ndryshime thelbësore, duke përfshirë këtu edhe retorikën dhe atmosferën dukshëm më pozitive mes Moskës dhe Washingtonit. Përkundër faktit se janë zbutur grindjet dhe konfrontimet, që karakterizuan dekadën e kaluar, ato ende nuk janë zëvendësuar nga fryma e bashkëpunimit të vërtetë.

Analistët theksojnë se kjo në pjesën më të madhe ndodh për shkak të elitës aktuale politike në Rusi, në veçanti për shkak të veteranëve të shërbimeve të sigurisë, të cilët e rrethojnë Putinin, të cilët vazhdojnë ta shikojnë SHBA-në si një konkurrente, së cilës nuk mund t’i besohet.

“Natyrisht, problemi kryesor mbeten dallimet në fushën e objektivave strategjike ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë. Ekziston një boshllëk në objektiva dhe një boshllëk ideologjik, gjëra këto të cilat e kufizojnë bashkëpunimin”, thotë Pavel Felgenhauer, analist për siguri në Moskë.
Fyodor Lukyanov, botues i revistës “Russia in Global Affairs”, thotë se problemi është edhe më i thellë. Dy dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, dy ish-rivalët ende nuk e dinë në të vërtetë se si duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin.

“Ekziston dëshira e vërtetë për të përmirësuar marrëdhëniet, e cila kishte hyrë në një shteg pa rrugëdalja, para se Obama të merrte pushtetin. Por çfarë kërkojnë Rusia dhe SHBA-ja nga njëra-tjetra në botën e sotme? Kjo mbetet e paqartë”, tha Fyodorov.

Ideja prapa qëndrimit të Obamës për rifreskimin e marrëdhënieve me Rusinë ishte që të shpërqendrohet vëmendja nga çështjet e vështira, siç janë zgjerimi i NATO-s dhe mbrojtja raketore dhe të përqendrohet vëmendja në fushat e bashkëpunimit, siç janë kontrolli i armatimit, lufta në Afganistan dhe parandalimi i Iranit që të sigurojë armë bërthamore.

Megjithatë, një vit më vonë, rekordi është i përzier. Ishte paraparë që marrëveshja e re për reduktimin e armatimit strategjik të kompletohej në fund të vitit 2009, kur skadoi afati i marrëveshjes paraprake. Por negociatat zgjatën më shumë sesa ishte pritur dhe analistët theksojnë se deri te arritja e marrëveshjes mund të kalojnë edhe disa muaj.

Rusia ka dërguar sinjale të përziera edhe sa i përket mbështetjes së përpjekjeve të Washingtonit për të vendosur sanksione të ashpra kundër Iranit, me qëllim që të frenohen ambiciet bërthamore të Teheranit.

Në shtator, presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, la të kuptojë se e mbështet politikën e SHBA-së, me deklaratën e tij se në disa raste sanksionet janë të pashmangshme.

Megjithatë, disa javë më vonë, Lavrov duket se u tërheq nga ky qëndrim, duke theksuar se sanksionet dhe kërcënimet në rrethanat ekzistuese do të mund të ishin kundërproduktive.

Lukyanov thotë se shumë njerëz në radhët e elitës ruse janë të mendimit se SHBA-ja po kërkon shumë dhe po ofron pak.

SHBA-ja në ndërkohë ka ndalur trysninë për anëtarësimin e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë në NATO, një pikë serioze e konfliktit me Moskën, gjatë kohës së administratës së George Bushit. Megjithatë, Obama dhe zyrtarët e tjerë amerikanë kanë bërë të qartë se dera e aleancës është e hapur dhe se Rusia nuk e ka të drejtën e vetos për të bllokuar anëtarësimin e shteteve në NATO.
Sidoqoftë, Rusia kërkon nga SHBA-ja që të pajtohet dhe t’ia garantojë Moskës sferën e ndikimit në ish-hapësirën sovjetike, në kuadër të “arkitekturës së re të sigurisë” në Europë- gjë që administrata amerikane ka theksuar se nuk do ta bëjë.

Në një artikull të shkruar para ca kohësh, ish-zëvendësshef i personelit në Kremlin, Yevgeny Savostianov, theksoi se ekzistojnë disa pengesa të pakapërcyeshme, në përpjekjet për vendosjen e partneritetit gjithëpërfshirës mes Washingtonit dhe Moskës.

Lukyanov thotë se një debat për partneritetin mes Rusisë dhe SHBA-së është duke u zhvilluar edhe brenda elitës ruse, por shtoi se aktualisht janë të paktë ata zëra, të cilët angazhohen për aleancë me Washingtonin.

“Është i vogël numri i njerëzve në Rusi, të cilët besojnë në nevojën për formimin e një aleance me SHBA-në. Dhe ekzistojnë njerëz në Rusi, të cilët janë të mendimit që të shfrytëzohet ky moment, në të cilin duket se SHBA-ja nuk e di se çfarë dëshiron”, tha Lukyanov.

Aktualisht, analistët vlerësojnë se në Moskë mbizotëron mendimi se SHBA-ja është dobësuar nga kriza ekonomike dhe nga luftërat në Afganistan dhe Irak dhe se Rusia duhet ta shfrytëzojë këtë rast.

“Rusia i sheh SHBA-në dhe Perëndimin si armiqtë e vet kryesorë- si në fushën e politikës, atë të ideologjisë, të ekonomisë dhe atë ushtarake. Kështu shikon Rusia, por jo edhe Perëndimi. Ekzistojnë dallime tejet serioze, të cilat nuk mund të tejkalohen vetëm me retorikë”, thotë Felgenhauer.

(RFE)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›